Esat Pasha: Pse bëra pakt për të qeverisur me Ismail Qemalin

Një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, për të cilin janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë i vendosur ose si patriot i kulluar, ose si emblemë e tradhtisë –Esat pashë Toptani nga historianët shqiptarë shpesh është refuzuar, duke vlerësuar studimet mbi të si një përpjekje pa vlerë. Ashtu si vetë jeta e Esat Pashës, komplekse është edhe përgjigjja që jep gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, botimet UET Press. Më poshtë botojmë tri intervista në gazetat italiane, kur pashai bëri pakt për qeverinë e përkohshme me Ismail Qemalin

Një mysafir i veçantë

Me të arritur në Itali, Esati u vendos në llixhat e Agnanos në perëndim të Napolit dhe, disa ditë më vonë, mori trenin për në Romë për t’u takuar me Nënsekretarin e Shtetit për Punët e Jashtme, Pietro Lanza di Scalea, meqenëse ministri San Giuliano nuk ndodhej në kryeqytet. Në tren ai i dha një intervistë gazetës La Tribuna:

LA TRIBUNA: Gazetat kanë shkruar se Shkëlqesia Juaj ka ndërmarrë aktin e nënshtrimit ndaj kreut të Qeverisë së Përkohshme.

ESAT PASHA: Jo. Nuk kam ndërmarrë ndonjë akt nënshtrimi për arsyen e thjeshtë se jam shqiptar. Pra, nuk kemi të bëjmë me nënshtrim, por vetëm me pjesëmarrje. Pjesëmarrje e plotë në idenë e pavarësisë së Shqipërisë, pjesëmarrje me bindje dhe me të gjitha forcat e patriotit në çështjen shqiptare. Lipset që ju ta thoni këtë qartë dhe shkoqur.

LA TRIBUNA: Cilat janë qëllimet tuaja?

ESAT PASHA: Unë nuk kam asnjë ambicie personale, por dëshiroj thjesht të mirën e vendit tim dhe e mënjanoj veten plotësisht nga ajo që mund të më përkasë mua si person. Biles, mund të shkruani se synimi i vizitës sime është të falënderoj personalisht qeveritë e dy vendeve, të cilat mbështetën idenë e Shqipërisë autonome. Shqipëria i ka borxhe të mëdha mirënjohjeje Italisë dhe Austrisë dhe pikërisht për të falënderuar qeveritë për këtë mbrojtje, po përfitoj nga ky udhëtim që e kam si pushim dhe si çlodhje. Do të çoj nderimet e mia në Romë dhe në Vjenë dhe do të çmallem me shumë miq të Shqipërisë në Itali. Ata janë pasuria më e madhe që mund t’i dhurohet vendit tonë.

LA TRIBUNA: Pra, në bisedimet tuaja nuk është folur për zërat e përhapur mbi mosmarrëveshjet mes jush dhe Qeverisë së Përkohshme?

ESAT PASHA: As edhe në ëndërr. Mes Ismail Qemalit dhe meje mbretëron harmonia më e madhe e mundshme. Mund t’ju tregoj edhe letrat që kam marrë nga Ismail Beu në banesën time në Tiranë, ku shkova vetëm e vetëm për të pushuar pas gjithë asaj lodhjeje në Shkodër.

LA TRIBUNA: Shkëlqesia Juaj rrinte në Shkodër në një strehë të qetë e jo në llogore. Kështu është hapur fjala…

ESAT PASHA: Jo, jo. Por dua të theksoj edhe një gjë: Unë nuk kam fare ambicie personale. Janë armiqtë e Shqipërisë ata, që me qëllime të liga përhapin fjalë për mosmarrëveshje mes meje dhe Qeverisë së Përkohshme. Sidoqoftë, kam bindjen e fortë se Shqipëria do të dijë t’ia dalë mbanë vetë, me gjithë skllavërinë dhe barbaritë me të cilat u mbajt nga turqit. Prova më e mirë e kësaj që them dhe që më bën vërtet përshtypje është kulti që shqiptarët e Italisë kanë për atdheun e tyre të të parëve. Me këtë rast, dëshiroj të takoj ndonjë nga kolonitë shqiptare të Italisë, për lidhjen e të cilëve me tokën e të parëve më kanë folur me shumë entuziazëm. Shpresoj se do të gjej kohë, por jam ende mjaft i lodhur. Në të vërtetë, lodhja më ka shtyrë që ta ndaj udhëtimin tim në vizita të shkurtra.

***

Në Romë, Esati u vendos në Grand Hotel. Përkthyes kishte Anselmo Lorecchion, drejtorin e revistës së vjetër La nazione albanese. Gazetat e kryeqytetit e komentonin pajtimin e Esatit me Ismail Qemalin si një sukses të diplomacisë italiane dhe pashai i tha një gazetari se fakti që ai mbante tani funksionin e ministrit të Brendshëm, provonte se mes tij dhe qeverisë së Vlorës nuk kishte asnjë mosmarrëveshje. Ai tha se ishte i vetëdijshëm për vështirësitë e këtij posti, por se do të përdorte gjithë vullnetin e tij të mirë dhe ndërgjegjen prej shqiptari për ta merituar besimin që i ishte dhënë. Shqiptarët, tha Esati, kanë një dëshirë të gjallë për të përparuar dhe për t’u qytetëruar. Ata janë të pjekur për qytetërimin. Tani për tani, tha ai, qeveria do ta ketë selinë në Vlorë, por së shpejti, ajo do të ndryshohet. Duhet zgjedhur një qytet që të jetë në qendër të shtetit të ri dhe zgjedhja nuk mund të jetë përveçse Elbasani, Kruja, ose Tirana.

Esati tha se menjëherë pas këtij udhëtimi do të kthehej në Shqipëri për t’i hyrë punës i frymëzuar nga besimi i madh te mbrojtja e dy Fuqive aleate, Austria dhe Italia. Lirinë tonë, tha ai, ia kemi borxh Italisë dhe Austrisë dhe do të vazhdojmë të mbështetemi tek ato për të arritur qytetërimin.

Esati i tha nënsekretarit të shtetit Di Scalea, se pjesëmarrja e tij në Qeverinë e Përkohshme ishte një akt i sinqertë dhe i foli gjerë e gjatë për gjendjen në Shqipëri. Ai shprehu zyrtarisht mirënjohje për mbështetjen e Italisë dhe i tha nënsekretarit se tani kërkohej përcaktimi i kufijve jugorë të mbretërisë së re shqiptare. Ky, tha Esati, është kusht i domosdoshëm që kombi shqiptar të ketë territorin e tij përfundimtar.

Në një intervistë tjetër, Esati sqaroi pikëpamjet e tij për kufirin e jugut, sovranin e ardhshëm dhe marrëdhëniet me Turqinë. Korrespondenti i gazetës Corriere della Sera tha se Esati fliste “me një saktësi matematike”.

CORRIERE DELLA SERA: A besoni se Qeveria e Përkohshme mund të realizojë menjëherë një pajtim në Shqipëri?

ESAT PASHA: Shpresoj, por asgjë më shumë se kaq. Cila është ajo qeveri që mund të garantojë suksesin e të gjitha synimeve të saj? Sidoqoftë, sot unë nuk shikoj arsyen për të mos patur besim të plotë se Qeveria e Përkohshme do të mbështetet nga populli i Shqipërisë në punën e saj.

CORRIERE DELLA SERA: Çfarë mendoni se duhet të bëjnë pa vonesë Fuqitë e Europës, që Shqipëria të mund të nisë jetën e saj normale?

ESAT PASHA: Për sa i përket Italisë dhe Austrisë, qëndrimi i tyre deri tani është një garanci për të ardhmen dhe këtë nuk e vë në dyshim njeri.

Për sa u përket Fuqive të tjera europiane, Shqipëria atyre nuk u kërkon përveçse pak besim. Pikërisht për një besim të madh moral kemi nevojë ne shqiptarët. Nëse në ecjen tonë nuk na vihen pengesa, ne me siguri që do ta përshkojmë rrugën që i kemi caktuar vetes.

CORRIERE DELLA SERA: Si e shihni çështjen e kufijve jugorë të Shqipërisë? Çfarë mendoni për pretendimet greke?

ESAT PASHA: Mendoj, dhe të gjithë shqiptarët janë dakord me mua, se në qoftë se Shqipëria nuk do të ketë brenda kufijve të saj Korçën, Gjirokastrën dhe Çamërinë, ajo absolutisht nuk do të mund të jetojë dot. Kjo do të ishte një Shqipëri e cunguar, pra, jo Shqipëria që ne duam dhe që kemi arsye ta duam. Veç kësaj, Europa i ka njohur një herë kufijtë e Shqipërisë, sidomos me Traktatin e Berlinit në 1878, pastaj me protokollet e Komisionit Ndërkombëtar, i cili në vitin 1880 shkoi në Shqipërinë e Jugut për të caktuar kufirin e Greqisë. Kufiri i Shqipërisë arrinte në atë kohë deri në lumin Kalamas. Prandaj, pretendimet e Greqisë as që duhen marrë parasysh.

CORRIERE DELLA SERA: Cilat janë bindjet tuaja për sa i përket regjimit që duhet t’i jepet Shqipërisë? A besoni se është i nevojshëm një princ në krye të shtetit shqiptar, apo duhet të caktohet një komisioner i lartë, siç do të propozonin Fuqitë e Antantës?

ESAT PASHA: Një komisioner, quajeni i lartë apo i ulët, duhet të përjashtohet në mënyrë absolute, me gjithë respektin që kam për Fuqitë, të cilat do të donin ta shihnin në krye të Shqipërisë. Ai do të përfaqësonte gjithnjë një kufizim të pavarësisë kombëtare. Me një komisioner të lartë, në Shqipëri nuk do të kishte kurrë paqe.

CORRIERE DELLA SERA: Besoni se Shqipëria mund të mbetet nën sovranitetin formal të Stambollit?

ESAT PASHA: Aspak. E përjashtoj në mënyrën më absolute çdo formë të sovranitetit osman në Shqipëri dhe bashkë me mua këtë e përjashtojnë të gjithë shqiptarët. Gjatë dominimit prej pothuajse pesë shekujsh, turqit nuk kanë lënë në tokën tonë kujtime të tilla, për të dëshiruar sadopak që sundimi i tyre të vazhdojë ende te ne, si emër apo si kujtim historik. Duhet patur parasysh se kanë qenë pesë shekuj rebelimesh të vazhdueshme të popullit shqiptar kundër turqve. Unë do të isha i pari që do të rrëmbeja pushkën për të luftuar kundër një pretendimi të tillë, që fyen nderin dhe sedrën e çdo shqiptari. Sidoqoftë, zgjedhja e një princi sovran, në qoftë se vjen puna aty, do të eliminonte çdo kërkesë për një sovranitet osman, qoftë edhe formal.

Qeveria e Përkohshme e Vlorës do të vazhdojë të bëjë ç’të mundet për të administruar në mënyrë të kënaqshme popullatën, në pritje të zgjidhjeve përfundimtare. Ditën tjetër, Esati shkoi në Liqenin e Braccianos afër Romës për një shëtitje me balon. Për fatin e tij të keq, era ishte tepër e fortë dhe asnjë balon nuk u lejua të ngrihej në ajër. Pashai u nis pastaj për në Venecie dhe prej andej, në mëngjesin e 9 korrikut arriti në Vjenë bashkë me Syrja beun.

***

Shtypi vjenez e priste me shumë kërshëri Esatin, të cilit gjatë disa javëve dhe muajve të kaluar i kishte vënë epitete të skajshme, nga intrigant e tradhtar në hero e shpëtimtar. Gazetarët u befasuan kur përpara u doli një Esat i veshur me rroba civile, në vend të një gjenerali me spaleta. Me anë të kunatit, dr. Aziz, që shërbente si përkthyes, e përditshmja Neue Freue Presse

i mori pashait një intervistë. Gazeta shkruante se Esati të jep përshtypjen e një njeriu jo vetëm shumë energjik por edhe shumë të zgjuar dhe mënyra se si flet për ngjarjet zbulon tek ai diplomatin e mençur.

NEUE FREIE PRESSE: A është kjo hera e parë që vizitoni Vjenën?

ESAT PASHA: Jo, nuk vij për herë të parë. E kam vizituar kryeqytetin tuaj mbi dhjetë herë. Këtë herë desha që së pari, të bie në kontakt me të dy shtetet që për ne janë të afërt, e kam fjalën për Austro-Hungarinë dhe Italinë. Qëndrova në Romë dhe kam ardhur tani këtu për t’u takuar me personalitetet më të larta. Kisha menduar të vizitoja edhe kryeqytete të tjera të mëdha të Europës, por duke patur parasysh se jam tepër i lodhur për udhëtime të tjera, nuk mund të qëndroj shumë larg Shqipërisë, sidomos në këtë çast kaq të rëndësishëm si ky i tanishmi.

NEUE FREIE PRESSE: Cili ishte qëllimi që hytë në Qeverinë e Përkohshme?

ESAT PASHA: E kam për nder që si patriot shqiptar, të punoj së bashku me bashkatdhetarët e mi në mënyrë që në Shqipëri të mbizotërojë rregulli i fortë. Kam hyrë në qeverinë e vendit tim dhe ndiej detyrën të punoj me sa mundem për organizimin e vendit, për ngritjen e administratës dhe për përgatitjen e të gjitha elementeve të nevojshme që i shërbejnë lulëzimit të ardhshëm të Atdheut tim.

NEUE FREIE PRESSE: Ç’mendoni mbi vendimet që po merren në Londër për organizimin e vendit tuaj me një komision ndërkombëtar?

ESAT PASHA: Mendimi im është se elementet për organizimin e vendit do të gjenden te ne vetë në Shqipëri. Prandaj nuk më duket me vend ideja e propaganduar në Londër për krijimin e një komisioni të përzier me përfaqësues nga të gjitha Fuqitë, që do të përgatiste regjimin e ardhshëm përfundimtar të Shqipërinë. Për këtë ne mund të kujdesemi vetë pa ndonjë komision nga jashtë.

NEUE FREIE PRESSE: Po princin kush duhet ta zgjedhë dhe i cilit besim duhet të jetë?

ESAT PASHA: Për sa i përket zgjedhjes së Princit, atë ua lëmë krejtësisht Fuqive të Mëdha. Atyre duhet t’u lihet të vendosin gjithashtu se mbi ç’baza do ta zgjedhin njeriun që do të sundojë Shqipërinë. Çështja për ne nuk është se cilit besim duhet t’i përkasë Princi. Nga sundimtari i ardhshëm ne kërkojmë vetëm një gjë: që ai të ketë vetitë për ta qeverisur Shqipërinë me aftësi.

NEUE FREIE PRESSE: A duhet që qeveria juaj të thërrasë një kuvend kombëtar?

ESAT PASHA: Qeveria e tanishme së cilës i përkas, është thjesht e përkohshme dhe më duket se nuk mund të jetë detyrë e saj që të thërrasë kuvendin kombëtar. Kjo mund të jetë vetëm çështje e një qeverie të ardhshme përfundimtare.

Në Vjenë Esati u prit nga Konti Berchtold, i cili i foli për rëndësinë që kishte një bashkëpunim i qetë i të gjithë faktorëve shqiptarë për të ardhmen e vendit. Berchtoldi mendonte se këto fjalë nuk kaluan pa i lënë përshtypje pashait. Megjithatë, Vjena u soll ftohtë me mysafirin nga Shqipëria. Pas takimit, Esati bëri një deklaratë për gazetarët. Ai tha se ekzistenca e Shqipërisë si shtet ishte e garantuar nga Europa, por pavarësia e saj duhet të ishte e padyshimtë dhe pa asnjë lloj kufizimi. Përsëri pashai e kishte fjalën për komisionin e kontrollit. “Ky është një projekt që nuk përputhet me dëshirën e kombit tonë”, tha ai. “Detyrat që na presin, -tha Esati, – janë të mëdha. Ne do të ndërtojmë tani rrugë dhe hekurudha, shkolla dhe spitale, do të krijojmë një ushtri të vogël model. Për t’i bërë të gjitha këto, kemi nevojë për rregull dhe paqe.

Nga Vjena mora përshtypje të shkëlqyera dhe rezultatet e kësaj vizite më mbushin me shpresat më të mira për të ardhmen e Shqipërisë”.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤