“Ju, zoti Pipa keni fyer nacionalizmin shqiptar”: Reagimi i Eqrem Çabejt në burg

-Pjesë nga libri “Në Shqipërinë burg”
Nga Kurt Kola

“Në ditët e para në kampin e Vloçishtit, më tronditi sjellja harbute e komandantit të burgut Tasi Marko, ndaj intelektualëve të njohur. As sot nuk e di se pse Eqrem Çabej dhe Et`hem Haxhiademi ishin futur në burg. Unë arrita t`i njoh në kampin e Vloçishtit, sidomos Çabejn, intelektual me zë që në vitet `20, i cili, nuk kishte provuar kurrë një punë të tillë.

Hej, ju të dy borgjezët, si dukeni me normën sot? – iu drejtua atyre Tasi Marko.

S`mundemi ta realizojmë, zotëri, – iu përgjigj profesor Çabej. – Ka mbi një metër ujë.

Po pse, ku dashke të punosh zotrote, në qilim a? – dhe iu kthye rreshterit të punës Hito Hitaj: – Dëgjoni, në qoftë se nuk realizojnë normën, merrni masa të rrepta kundër këtyre.

Sapo u largua Tasi Marko, dy kapterët i urdhëruan Çabejn e Haxhiademin të afrohen pranë skarpatës. Ata zbatuan urdhrin. Nënoficerët e veshur me çizme të gjata, hynë në kanal, i zhveshën dy të burgosurit thuajse lakuriq, vetëm me të mbathura, u lidhën duart pas dhe i futën në ujë deri në fyt. I lanë atje për tre orë, deri në pesë, kur u la puna. Kur i urdhëruan të dilnin jashtë ujit, u llahtarisa nga trupi i tyre i mbushur me ushunjëza të tej fryra me gjak, që ngjanin si kokrra fiku të zinj. Viktimat nuk kishin më pikën e fuqisë të qëndronin në këmbë dhe u lëshuan përtokë sapo dolën nga uji. Kapterët i zvarritën për krahësh, deri sa i nxorën në argjinaturë. Ra një bilbil i ashpër që lajmëronte nisjen për në kamp. Një grup të burgosurish u afruan pranë dy intelektualëve të sëmurë dhe i mbajtën në krah. I mori në dorëzim mjeku Isuf Hysenbegasi. Gjendja e tyre ishte shumë e rëndë. U detyrua t`u jepte një javë pushim. Të tjerët që nuk kishin realizuar normën, komandanti i futi në birucë.

Mirëpo, të gjitha këto ishin masa të përditshme, e në çdo rast mbetej vdekja, që në atë kamp mizor merrte trajta nga më të çuditshmet. Jo vetëm sëmundjesh, punësh të rëndë, pleqërie, trajtimi çnjerëzor, por mbi të gjitha, “trajta” plumbash. Po, po! Kurrë nuk do ta harroj atë ditë tmerri.

Pranë skarpatit të madh të kanalit qendror, befas, ndodhi diçka e çuditshme. Një depozitë mijëravjeçare uji nëntokësor shpërtheu! Uji ishte i kthjellët dhe bënte kontrast me ujin e kanalit, i cili, ishte i turbullt nga puna. Të burgosurit, të stepur nga fenomeni natyror, u gëzuan si fëmijë kur panë, se në qerthullin e burimit të madh filluan të dalin në sipërfaqe mijëra ngjala! Në pak sekonda u mbush kanali! Të burgosurit të lodhur e të uritur, u sulën kush e kush të kapte më shumë. Një lloj çapkënllëku e kapi gjithë turmën. Lanë veglat e punës e u sulën të gjithë të zinin ngjala. Së largu të krijohej përshtypja e një pështjellimi revolte. Këtu morën shkas oficerët e punës të bërtisnin për t’iu kthyer punës. Kur një pjesë nuk po ua varte, urdhëruan të shtihej mbi njerëzit me mitraloz.

Tasi Marko, me një shpurë ushtarësh, mbërriti në vendin e ngjarjes. 14 mitraloza “Shars” drejtuan tytat e tyre mbi ata 1500 të burgosur, të cilët të zhytur deri në gjoks në ujë e baltë kishin filluar të hanin ngjala të gjalla. Kur “Sharsi” nisi të mbillte plumba, shumica u kthyen drejt tyre si të habitur. Por shpejt e kuptuan se nuk ishte lojë. Ranë në ujë për t`u mbrojtur, por nga plumbat u vranë tre vetë dhe shtatë të tjerë u plagosën rëndë. Të vrarët i mbuloi me baltë buldozeri, në bankinën e argjinaturës së kanalit, kurse të plagosurit i çuan në kamp për mjekim; dy prej tyre vdiqën…

Të nesërmen ishte e diel, ditë pushimi. Të burgosurit ishin të lodhur fizikisht, por më shumë të vrarë shpirtërisht për masakrën që u bë, vrasjen e shokëve dhe mbulimin me dhé në argjinaturën e kanalit. Vonë, përtej mesnatës na zuri gjumi dhe nuk po zgjoheshim në mëngjes si zakonisht. Por fishkëllima alarmante e bilbilave në bulçitë e policëve, e trazoi trurin tonë në gjumin e rëndë.

Tasi Marko kishte hyrë në kamp herët, me shpurën ushtarake nga pas, për t`i dhënë rëndësi vetes. Në dorë kishte kamxhikun e gomës, që e lëvizte sa në njërën dorë në tjetrën, duke na treguar figurativisht: “Këtë do të keni çdo ditë”. Ishte tërësisht natyrë egërsire, veçse, atë mëngjes, fytyrës së zymtë i kishte dhënë një buzëqeshje prej sadisti…

Ju, pavarësisht dënimit me burg, jeni dënuar edhe me punë të detyruar. Ky vendim i gjyqit të popullit duhet të respektohet. Në të kundërt, kush do guxojë të kundërshtojë ligjet do të goditet rëndë. Komanda e këtij kampi ka marrë përsipër të thajë këtë kënetë, që ka pushtuar një fushë të gjerë pjellore. Ata që do ta kryejnë këtë punë, jeni ju. Norma është 4 metra kub në ditë. Kush nuk e bën, natën do flejë në birucë, ditën në punë. Ky urdhër është i formës së prerë, – deklaroi para nesh pa e hequr buzëqeshjen satanike dhe u largua me gjithë shpurën, me ecjen prej kapadaiu…

Thellësia e ujit dhe kamxhiku i diktaturës, na detyronin të zhvishemi vetëm me të mbathura, ndërsa ushunjëzat që ishin me shumicë, na thithnin edhe atë pikë gjaku që kishim. Dikush na mësoi sekretin si t’i largonim… Mbanim me vete një copë sapun rrobash dhe sa e preknim me të, ajo binte në ujë.

Mos i prekni ushunjëzat se, ato janë duke pirë gjakun që i keni pirë popullit, – dëgjohej zëri i policit, shoqëruar me goditjen kokës me bishtin e lopatës që mbante në dorë!

Ishte e tmerrshme të duroje ato kafshëza të neveritshme deri në orën pesë kur linim punën!

Brigadierët, ishin të preferuarit e komandës, zgjidheshin dy kategori: ata që kishin qenë me komunizmin dhe kishin rënë në burg ose spiunë nga radha e kundërshtarëve. Por, kishin kompetenca deri tek përdorimi i dhunës. Rrahja dhe vdekja të vinin nga shumë anë. Më ngjante se isha në Dakaun gjerman! Asnjë dallim nuk shihja as te puna, as te trajtimi, as te siguria për jetën! Të gjitha ato që kisha parë e jetuar në kampin gjerman, po i përjetoja në Vloçisht të Maliqit!

Nuk do ta harroj kurrë kapterin kriminel, Hito Hitaj, kur para syve tanë vrau të burgosurin Muharrem Xhixha! Muharremi vajti e i kërkoj leje të urinonte. Kapteri e lejoi. Pastaj, shkoi qetë-qetë në truprojën aty pranë, mori një bombë dore dhe ia hodhi teksa ai po urinonte. Kur shpërtheu bomba, pamë kufomën që u hodh përpjetë si të ishte leckë!

Krimineli Hito Hitaj, krejt i qetë urdhëroi, që me buldozer, të mbulohen pjesët e trupit! Shkoi e raportoi në komandë se i burgosuri kërkoi të arratisej, se kishte kaluar tabelën e zonës së ndaluar…

Pjesa e tharë e kënetës dhe fushat përreth mbilleshin me panxhar sheqeri. Ishte ajo pak kënaqësi kur ky ushqim na pakësonte urinë. Ndonjëherë, kur kalonim përmes një parcele panxhari, këpusnim një copë, por fshehtas. Mirëpo, një ditë, dy të burgosur: Alfred Ashiku, farmacisti nga Shkodra dhe Fiqiret Hoxha, ish-oficeri i xhandarmërisë nga Gjirokastra, shkulën nga një panxhar të tërë. U duk sikur u bllokua për një çast ecja e brigadës. Polici i diktoi dhe i raportoi oficerit. Oficeri thirri shkulësit e panxharit, i nxori para brigadës dhe i dënoi! Aty ishte një plep. Në atë plep i lidhën me litar për shpine të dy të burgosurit. Pas kësaj, oficeri u futi në gojë panxharët dhe i detyroi t’i gëlltisnin. Duke qenë e pamundur, mori një gurë dhe godiste panxharët që hynin në gojët e çapëlyera! E gjithë kjo ishte tepër monstruoze… Dy të gozhduarit në trupin e plepit, me panxharët e futur në gojët e çara, kishin zgurdulluar sytë dhe po jepnin shenjën e daljes së shpirtit… Në këtë moment urdhëroi dy të burgosur t’u nxjerrin panxharin nga goja dhe t`i zgjidhin…

Sapo u hoqën litarët, dy të burgosurit ranë në tokë pa ndjenja. Gjoksi u ishte i mbushur me gjakun e rrjedhur nga goja e shqyer! I mbartën në karroca dore dhe i transportuan për në kamp.

Ngjarje të tilla ishin pothuajse të përditshme. Kjo jetë s`kishte si të mos krijonte kundërshtitë e veta: te një palë idenë e kundërshtimit, te të tjerë durimin me stoicizëm dhe te të pafuqishmit, Vdekjen!

Në mes të punës së lodhshme, shpesh kërciste mitralozi, që rrallë mbetej pa viktima. Në një rast të tillë u plagos edhe Sopoti, shoku im i Dakaut. Më kërkoi ndihmë, ashtu i gjakosur, por sa u ula ta ndihmoj, ma ndaluan.

Arshi Pipa gjunjëzohet para Tasi Markos

Një ditë të diele, komandanti i kampit, Tasi Marko hyri në kamp me uniformë parade. Një grup të burgosurish i dolën përpara dhe iu ankuan për gjendjen e rëndë shëndetësore. Kërkonin që komanda të lejonte ushqime nga familja.

– Shiko si jemi katandisur, zoti komandant, – i tha njëri prej tyre, duke treguar leckat e trupit.

Teksa po priste me zemër të ngrirë reagimin pozitiv, pashë se si Tasi Markoja buzëqeshi lehtë dhe me ngrohtësi të paparë u përgjigj:

– Do ta shohim, do ta shohim. Ta bisedojmë…

Në atë çast, një i burgosur ia dha vrapit nëpër fushën e kampit drejt shpurës së ushtarakëve. Ai çau me forcë grupin e vogël të të burgosurve dhe hapi krahët para komandantit.

– Ju lutem zotëri më dëgjoni edhe mua, – tha burri duke u lutur. Jetoj në kushte të tmerrshme, zotëri, dhe nuk duroj dot. Ju lutem!

– Kush jeni ju? – e pyeti komandanti.

– Unë jam profesor Arshi Pipa. Nuk e di nëse do më dëgjoni.

– Po të dëgjoj.

– Unë kam qenë në luftën Nacionalçlirimtare qysh në vitin 1941. Në Shkodër kam punuar bashkë me shokët e mi, Sadik Boci, Sadik Bekteshi, Adil Çarçani, Sulë Baholli, Qemal Gavoci e të tjerë. Nëse nuk më beson, pyesni secilin prej tyre.

Në fushën e kampit kishte rënë një qetësi e thellë, e befasishme.

Dëgjoheshin vetëm të luturat e profesor Pipës. Unë vuaj në burg kot, zotëri, kot! Jam duke vuajtur gabimet e vëllait tim, deputetit Muzafer Pipa.

– Me grupin e deputetëve, hë! – tha Tasi Marko

– Po… por ç’faj kam unë zoti komandant? Më ktheni të paktën në burgun e Durrësit, zotëri, sepse këtu jam duke vdekur. Më piu uji i kënetës dhe ushunjëzat!

– Kjo nuk bëhet, – ia ktheu Tasi Marko i bezdisur. Ti nuk je më i mirë se këta të tjerët. Të punosh, të realizosh normën se je i ri, derisa je i dënuar me punë të detyruar. Ndryshe ka edhe më keq

– Po vdes, – thirri profesori.

– Një armik më pak! – ia ktheu tjetri dhe bëri të ikte.

Arshi Pipa bëri një lëvizje befasuese. Ra në gjunjë para Tasi Markos.

– Të lutem! – tha me zë të këputur, gati duke qarë.

Tasi Marko i hodhi një vështrim përbuzës dhe qëndroi.

– Derisa ti je në ata burra që i bie në gjunjë armikut tënd, atëherë unë do të kthej në burgun nga ke ardhur, pra, në Durrës. Urdhëroi nëntoger Qaniun të plotësonte fletë-transferimin e Arshi Pipës.

Ndjenja nga më të ndryshmet pushtuan të burgosurit. Aty, në kënetën e Maliqit ishin duke vuajtur dënimin edhe dy armiq të Arshi Pipës. Këta ishin avokati Shefqet Çelkupa dhe komisionari Et`hem Podgorica, të dënuar secili me nga 20 vjet burg politik, me dëshmitar Arshi Pipën. Të dy të burgosurit donin të dilnin ta pështynin Pipën për këtë pafytyrësi, por njëri nga ata që ishte prezent i ndaloi. Në këtë çast një tjetër personalitet i doli para teksa po vinte drejt kazermës dhe i tha:

– Ju, zoti Pipa keni fyer të gjithë nacionalizmin shqiptar me përuljen tuaj të turpshme!

Profesori ngriti kokën. Ishte intelektuali Eqrem Çabej.

Arshi Pipa u transferua në burgun e Durrësit, ku bëri ca vjet dhe e liruan e qëndroi në qytetin ku kishte të motrat, me njërën prej të cilave u arratis, në fillim të viteve `50 dhe përfundoi në Amerikë. Në vitin 1962 pata rastin ta takoja në Amerikë këtë njeri. Për shumë kohë, duke mos ditur anglisht kishte bërë punë nga më të ndryshmet. Me aktivitetin e tij të thekur dhe me servilizmin arriti të bëhej profesor në Universitetin Berkley të Los Anxhelosit, në Kaliforni. Përveç leksioneve, u mësonte shqip një grupi studentësh amerikanë, kuadro të ardhshëm të CIA-s.

Në vitin 1990, me përmbysjen e regjimit komunist, Arshi Pipa kthehet në Shqipëri. Ashtu flokëgjatë, si një grua plakë, ai bëri thirrje në Shkodër për gjakmarrje. Ishte një gjest barbarie i një njeriu që e hiqte veten si njeriu i kulturës dhe letërsisë. Kërkonte, që të fajshëm e të pafajshëm, komunistë të pushkatoheshin ose të burgoseshin. Mendoi se do të gjente mbështetje, por mbeti një zë në shkretëtirë. Një zë renegati dhe egoisti kapricioz, njeriu i shumë flamujve. Iku siç erdhi… S’do mend, për krime e hakmarrje thirrën ata, që e kishin nisur karrierën politike me komunizmin dhe ata që ishin bërë spiunë të regjimit dhe kishin humbur moralin e tyre…”.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤