A po njolloset drejtësia e re?

Të huajt e kanë ngritur lart stekën e pritshmërive për Reformën në Drejtësi. Shqipëria është mes grahmave të drejtësisë së vjetër dhe dyshimeve mbi vendimet e drejtësisë së re. A duhet të kemi shpresa të larta? Flasin Artan Hoxha, Çlirim Gjata dhe Sokol Hazizaj

Nga Enton Palushi
Rreth shtatë vjet më parë, juristja amerikane, Kathleen Imholz tha se ndjenja më e fortë që mbizotëron ndër shqiptarë është zhgënjimi.

Më ka bërë përshtypje gjithmonë fakti se sa shumë kujdes i kushtohet të drejtës dhe drejtësisë në Shqipëri. E kam vërejtur këtë që prej fillimit, gjatë vizitës sime të parë në vitin 1991, kohë kur ‘avokatia’ sapo ishte rilegalizuar. Jam e bindur se zhgënjimi me sistemin e drejtësisë ishte një nga faktorët prapa trazirave që çuan në gjendjen e jashtëzakonshme më 1997. Vazhdoj të shoh një zhgënjim të ngjashëm dhe mungesë besimi dhe në drejtësinë e sotme, –tha Imholz.

Shtatë vjet më pas, vendi i saj ka marrë flamurin e reformës në drejtësi me besimin se vetëm kështu mund të zgjidhet ngërçi ku ka ngecur Shqipëria. Pavarësisht shifrave për rritje ekonomike dhe të dhënave optimiste që shpërndan çdo qeveri, e kupton lehtë se Shqipëria ka ngecur. Fakt është se krimi dhe korrupsioni mbeten problemi më i madh në vend. Karl Sigmund, një nga profesorët e Rrethit të Vjenës, që së fundmi thotë se po merret me korrupsionin, ka bërë një konstatim që mund të ketë rënë në sy edhe të shqiptarëve: renditja e një vendi sa i përket korrupsionit shkon thuajse krah për krah me renditjen sa i përket zhvillimit ekonomik. Me fjalë të tjera, korrupsioni po mban peng shkëputjen e Shqipërisë drejt hapit tjetër, kalimit te grupi i vendeve të zhvilluara.

A mund ta bëjë drejtësia një mrekulli? Të huajt duket se kanë shumë shpresa. Për shqiptarët akoma nuk dihet nëse janë investuar shumë psikologjikisht te fakti se drejtësia e re do i nxjerrë nga kjo situatë ku kemi rënë. Disa mund të thonë se shumica dërrmuese e duan Reformën në Drejtësi, por kjo nuk do të thotë gjë. Shqiptarët duan edhe zhvillimin ekonomik, duan më shumë rend e siguri, por kjo nuk shpjegon pritshmëritë e tyre. Deri më tani nuk e kemi treguar fort pasionin tonë për ‘dhuratën’ që po na bën Perëndimi. Ndoshta druhemi nga zhgënjimi?

***

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda vendosi të rikthejë në ditët e sotme ‘fantazmën’ e një krimi të tmerrshëm. Ajo vendosi të premten, si për të prishur fundjavën, se Dritan Dajti, personi i dënuar për vrasjen e katër policëve, do të kryejë vetëm 25 vjet burg. Saga e një gjyqi u mbyll me habi dhe deklarata të shumta publike, sidomos nga opozita shqiptare.

A është kjo vetëm një grahmë e frikshme e një drejtësie të vjetër që po shuhet? Zor të thuhet me siguri, kur drejtësia e re ka nisur të sulmohet jo vetëm nga opozita. Kalimi i vetingut nga ana e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, u prit jo pa zemërim në median sociale. Ndërkohë dyshimet e opozitës dhe të një organi të specializuar se në drejtësinë e re ka depërtuar një person me lidhje te Sigurimi i Shtetit, vetëm sa kanë shtuar dozën e dëshpërimit tek ata që mund të jenë besimtarë të thekur të drejtësisë së re.

Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk e kanë përjetuar me kënaqësi rënien e emrave të njohur të prokurorisë dhe gjyqësorit nga ‘shpata’ e frikshme e vetingut, të cilën Bashkim Dedja, drejtues i Gjykatës Kushtetuese, e pati quajtur si provën e vdekjes. Ai ra pre e ‘shpatës’ në betejën e dytë, atë në Apel.

***

Shqiptarët kanë arsyet e tyre për të patur dyshime e pasiguri në një proces, fijet e të cilit mund të luhen nga politika, e cila nuk është pastruar për vete. A mund të futemi në një rreth vicioz, ku politika të vazhdojë çdo përpjekje për të futur drejtësinë në thes? Dyshimet janë pjesë normale e jetës njerëzore. Aq më shumë e jetës së shqiptarëve. Amerikanët, me në krye ish-ambasadorin Donald Lu, na e kanë ngritur lart stekën e pritshmërisë për reformën në drejtësi dhe kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’. Deri më tani shqiptarët duket se janë treguar të kujdesshëm duke e marrë edhe me doza humori situatën. Ngjan si lajm i mirë. Për çdo gjë tjetër, vlen shprehja: Më keq zor se bëhet! Status quo-në e kemi në ‘xhep’.

Sokol Hazizaj: Jemi në kohë që procesi të reflektojë përmirësime, ndryshe do kemi kosto

Një nga njohësit më të mirë të ligjeve në vend mendon se edhe procesi i vetingut në vetvete është një shërbim. “Mjafton të shohësh vendimet e KPK e konstaton thjesht se shërbimi i tij nuk ruan një standard të rregullt në raport me ligjin”, thotë ai.

Karl Sigmund, një profesor i njohur, thotë se nuk mund të luftosh korrupsionin dhe krimin pa reformuar drejtësinë. Kjo duket se është arsyeja kryesore pse të huajt janë investuar kaq shumë për një drejtësi të re në Shqipëri. A duhet të kemi shpresa të mëdha? A është nevoja më e madhe e Shqipërisë Reforma në Drejtësi?

-Është e vërtetë se pa një sistem drejtësie në vazhdim në reformim, në përgjigje të interesave ekonomike dhe gjithëllojësh të individit, nuk mund dhe nuk ekziston garancia juridike e tij. Pra reforma në kuptimin sasior nuk është një proces sporadik apo i kufizuar në kohë. E meta e një vendi si yni qëndron se reformat konsistojnë në të kufizuara në kohë, sporadike shpeshherë, pse jo dhe të nxituara. Shkaku themelor dihet tashmë, është tipizuar, identifikuar qartë duke sjellë në vëmendjen tonë të përbashkët, politikën konfliktuale dhe aspak racionale. Kjo arsye imponoi dhe ndërkombëtarët, të cilët kuptuan pas shumë përpjekjeve se “moskuptimi” nga aktorët vendas i kalonte kufijtë e një sjellje naive, por ishte tendencë korruptive deri në kriminale. Ky perceptim nuk ishte dhe është vetëm i tyre, por dhe qytetarit të thjeshtë që ka nevojë për siguri juridike. Mosrespektimi i ligjit u identifikua si shkak njerëzor i aktorëve të dhënies në drejtësi, duke përbërë shkak për impenjimin e një formule largimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndoshta me kosto. Rezultati janë ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të vitit 2016. Sa i përket shpresës, duhet pranuar se në përmasat mazhorative nuk mungon, por çdo reformë e kësaj përmase nuk mund të kurorëzohet kur paralelisht nuk ndodhin apo përmirësohen kushtet ekonomike dhe shërbimet e administratës publike. Nuk mundet dhe nuk ka se si që reforma në drejtësi të konsolidohet pa siguri shërbimesh të ndershme dhe standard ekonomik të mjaftueshëm, të cilat janë tërësisht të sëmura nga korrupsioni. Të shpresojmë që rritja e garancisë juridike të imponojë dy elementet e tjera. Në këtë kuptim duhej pranuar që reforma në vështrim të përmirësimit të formatit ligjor mbi pronësinë dhe të drejtat e tjera kushtetuese të jetë dhe bëhet më e thelluar. Në pak kohë mund të pohoj se shumë ndryshime procedurale të karakterit civil dhe penal e kanë prishur raportin midis të drejtës dhe mënyrës së njohjes gjyqësore të saj, duke e orientuar procesin me zvarritje gjigante në kohë. Ndaj në kohë të shpejtë dhe të afërt duhet që ligji ynë procedural të heqë dorë nga disa momente që vendet fqinje i kanë identifikuar si akte të dëmshme procedurale.

Së fundmi ka patur dyshime dhe akuza mbi drejtësinë e re që po lind. A mendoni se po njolloset ajo akoma pa e nisur mirë punën apo është një alarm i parakohshëm?

-Është normal që kur je përballë një risie, dyshimi të jetë ekzistent, por vetëm kaq. Kam përshtypjen që shpeshherë dyshimi të keqinterpretohet si kundërshti. Kjo ndodh për arsye të reminishencës “populiste” që është riaktivizuar shumë kohët e fundit. Drejtësia nuk është proces individual, nuk është as trofe i një grupi politik që mund të ketë qenë ose është më pushtet, por është konkluzion debati midis besimit dhe mosbesimit, midis dëshirës dhe vullnetit, midis standardit të shërbimit dhe shpresës për ta përmirësuar atë, pra është vetë konflikti midis të tashmes dhe të ardhmes. Në këtë kuptim nuk ka vend mentaliteti komunist i shfaqur kohët e fundit. Kur identifikoj standardin e shërbimit, bëj me dije se dhe procesi i vetingut në vetvete është një shërbim, i cili në brendi është i rregulluar saktë me Ligjin 84/2016. Mjafton të shohësh vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e konstaton thjesht se shërbimi i tij nëpërmjet vendimeve nuk ruan një standard të rregullt në raport me ligjin, pra shfaq standarde të ndryshme vlerësimi për raste të ngjashme individësh gjyqtarë dhe prokurorë. Mjafton kaq, që procesi të anatemohet si politik ose i paragjykuar, duke përbërë fakt për rritjen e mosbesimit. Jemi ende në kohë që procesi të reflektojë përmirësime, në të kundërt ky “shërbim” do të sjellë kosto. Në të mirë të një procesi ligjor të rregullt dhe pa paragjykim, dhe në mungesë të aksesit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, duhet të plotësohen këto, domosdoshmërisht shpejt dhe saktë se nuk ka asnjë kuptim, është madje qesharake, që në vitin 2018 këto gjykata janë inekzistente. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet domosdoshmërisht, çka nuk e kanë bërë tashmë, të standardizojnë kriteret e vlerësimit sipas ligjit, duke hequr çdo dyshim mbi një proces që tashmë është sa kushtetues dhe i rregulluar ligjërisht.

Çlirim Gjata: Vettingu ka rënë, drejtësia e re është në duart e Edi Ramës

Eksperti dhe politikani Gjata mendon se “kjo drejtësi që po lind jo vetëm që po njolloset, por po vazhdoi kështu do të bëhet e rrezikshme”. Sipas tij, “vetingu sot është kthyer në një teatër”

Karl Sigmund, një profesor i njohur, thotë se nuk mund të luftosh korrupsionin dhe krimin pa reformuar drejtësinë. Kjo duket se është arsyeja kryesore pse të huajt janë investuar kaq shumë për një drejtësi të re në Shqipëri. A duhet të kemi shpresa të mëdha? A është nevoja më e madhe e Shqipërisë Reforma në Drejtësi?

-Jam dakord me profesor Sigmund, por kjo më kujton Hamletin e Shekspirit. Çfarë të tha fantazma e pyetën shokët Hamletin; Danimarka qenka mbushur me zuzarë, thotë ai; E duhej të vinte një fantazmë të na i thoshte këto?

E pra edhe një fëmijë e di që në Shqipëri duhet reformuar drejtësia dhe s`ka nevojë për shumë ndërkombëtarë për ta thënë këtë. Por problemi qëndron se faktori ndërkombëtar tregon parimet, por si implementohen këto parime është diçka krejt tjetër. Në reformën tonë në drejtësi me gjithë punën e madhe që u bë, për ditë e më shumë të gjithë po binden se drejtësia e re po bie në duart e Kryeministrit Rama. Mjafton fakti që po mbushen 3 vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së re për drejtësinë dhe akoma nuk janë ngritur të gjitha institucionet ligjzbatuese të drejtësisë, ose edhe ato që janë ngritur janë ngritur me shkelje të mëdha duke i bërë të kontestueshme në çdo moment. Apo dhe funksionojnë kaq ngadalë sa duket sikur nuk janë.

Shikoni çfarë po ndodh, ndiqni vetingun të parin. Ata që po kalojnë vetingun me gjithë shkeljet e tmerrshme të denja për procedim penal, janë kontingjent i kapur nga kryeministri dhe që janë destinuar t’i shërbejnë atij në drejtësinë e re, po kalojnë pa problem. Të tjerët që nuk kanë asnjë përkrahje politike, apo asnjë interes për ta, largohen për shkelje fare të pakonsiderueshme. Shembulli më perfid është ai i Donika Prelës. Me gjithë ato shkelje, të konstatuara edhe nga përfaqësuesi i ONM (një prej të cilave edhe mospagimi i taksave), trupa e vetingut e konfirmoi në detyrë. Ndërsa një gjyqtari i kërkojnë taksat e djalit të tezes në Itali sepse i ka marrë 18 mijë euro hua. Vetingu sot është kthyer në një teatër ku nuk duket se, ku mbaron tragjikja dhe ku fillon komedia. Praktikisht vetingu ka rënë, pasi ka degraduar në një institucion që vetëm realizon interesat e Edi Ramës.

Së fundmi ka patur dyshime dhe akuza mbi drejtësinë e re që po lind. A mendoni se po njolloset ajo akoma pa e nisur mirë punën apo është një alarm i parakohshëm?

-Kjo drejtësi që po lind jo vetëm që po njolloset, por po vazhdoi kështu do të bëhet e rrezikshme sepse po kthehet në shërbyese e Kryeministrit dhe enturazhit që i shërben atij duke na sjellë në horizont kohët e errëta të diktaturës. Dhe kjo filloi që me miratimin e ligjeve të njëanshme, ndërtimin e njëanshëm të institucioneve të reja, emërimin politik të prokurores së përgjithshme, emërim ky që ka lënë pasoja të rënda në organet e reja të drejtësisë dhe në prokurorinë e krimeve të rënda. Lënia e vendit pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, e paprecedentë kjo që nga koha e Hitlerit (meqë ra fjala çfarë do të thoshte profesori Vjenez Sigmund për këtë??). Dhe mbi të gjitha paaftësia e institucioneve të reja të drejtësisë për të vepruar më shpejt edhe për shkak të përplasjeve ligjore me vetingun. Megjithëse kam mendimin se më shumë se paaftësi është shërbim ndaj kryeministrit, për ta lënë vendin pa organe drejtësie funksionale, një situatë parajsë kjo për qeverinë.

Shikoni çfarë po ndodh: skandalet e përditshme të qeverisë me tenderat 40 milionë eurosh apo kompani fantazmë që fitojnë tendera; përgjimet që publikon VOA deklamojnë fort jo thjesht blerjen dhe vjedhjen e votave në zgjedhjet e fundit, por lidhjen e politikanëve të rëndësishëm të qeverisë dhe partisë në pushtet me krimin e organizuar dhe mafien për të mbajtur pushtetin.

Ku është prokuroria këtu?? Prokuroria po kalon vetingun.

Shikoni KLP, se me çfarë problemesh po përballet, sepse është ndërtuar me paligjshmëri dhe po vihet në shërbim të kryeministrit. Shikoni KED, nga 9 anëtarë është me 7anëtarë ku të paktën dy anëtarë nuk janë zgjedhur me short se nuk kishte kandidatë dhe janë emëruar direkt, si në rastin e Prokurores së Përgjithshme. Si mund të jetë ajo anëtare e institucionit që emëron anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kur ka konflikt interesi, pasi vendimet e sajë potencialisht do të gjykohen nga Gjykata, që kjo prokurore do të krijojë.

Më thoni pra: a nuk është drejtësia e re e ngjashme me Danimarkën e Hamletit të Shekspirit mbushur plot me… E pra, këtë nuk ka nevojë të na e tregojnë ndërkombëtarët, por duhet t’ua tregojmë ne atyre.

Armand Bajrami: Ka dyshime për ekzistencën e një “liste” me të “preferuar ose jo”

Gazetari i njohur, Armand Bajrami thotë se ‘vendim pas vendimi të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kam perceptuar disa standarde të mbajtura në përjashtimin apo mbajtjen e emrave të caktuar në sistem’. Sipas tij, ‘shpresa mbetet krijimi i një praktike unifikuese, të paktën nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit’.

Karl Sigmund, një profesor i njohur, thotë se nuk mund të luftosh korrupsionin dhe krimin pa reformuar drejtësinë. Kjo duket se është arsyeja kryesore pse të huajt janë investuar kaq shumë për një drejtësi të re në Shqipëri. A duhet të kemi shpresa të mëdha? A është nevoja më e madhe e Shqipërisë reforma në drejtësi?

Pajtohem plotësisht me faktin që korrupsioni dhe krimi nuk mund të luftohen pa reformuar drejtësinë. Vetëm një mirefunksionim i sistemit të drejtësisë në të gjitha hallkat e tij, i pandikuar nga paligjshmmëria, do të mund të garantonte ndëshkueshmëri të shkelësve të ligjit. Për rrjedhojë peshorja e drejtësisë nuk do të anonte në boshllëk. ‘Shpata’ e saj do të ngjallte frikë ndër keqbërës. Suporti i dhënë nga ndërkombëtarët përmes misioneve që asistojnë drejtësinë në Shqipëri, grantet financiare prej miliona euro ndër vite, si edhe angazhimi konkret i aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar në vend dhe qeverive të tyre respektive, përligj këtë fakt.

Nga ana tjetër, ndaj bindjen se shpresat e mëdha krijohen vetëm nga ndërmarrjet serioze, nga vullneti i përbashkët politik për të krijimin e një sistemi të pavarur dhe të pandikuar nga krimi apo politika. Shqipëria ka nevojë për reforma thelbësore institucionale, por nuk ka dyshim që ajo në drejtësi është ndër më madhoret. Kjo për vetë degradimin që ka pësuar sistemi gjatë tranzicionit, shfaqur kjo me nivelet e larta të korrupsionit, me pandëshkueshmërinë e kthyer në një kuazi-sistem, ç’ka ka cënuar në thelb besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Por për shkak të rëndësisë thelbësore që ka sistemi i drejtësisë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, reformimi i saj dhe futja është nevojë primare.

Së fundmi ka pasur dyshime dhe akuza mbi drejtësinë e re që po lind. A mendoni se po njolloset ajo akoma pa e nisur mirë punën apo është një alarm i parakohshëm? Cili është mendimi juaj?

Reforma në Drejtësi u anatemua që në mbrumjen e saj. Përpjekjet e maxhorancës për ta shitur si një nga ndërmarrjet më serioze për ndreqjen e sistemit të kalbur të drejtësisë, u përkthyen nga opozita si kapje e gjyqësorit dhe e organit të akuzës. Zhurma e krijuar në skenën politike fragmentarizoi edhe publikun në bësues dhe mosbesues të produktit të ardhshëm të Reformës.

Nisja e procesit të vettingut në mars 2018, procesi që do të pastrojë sistemin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar thithi vëmendje maksimale. Por vendim pas vendimi të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kam perceptuar disa standarde të mbajtura në përjashtimin apo mbajtjen e emrave të caktuar në sistem. Bindjen për disa standarde në vendimarrjen e KPK-së e ndajnë nën zë edhe prokurorë apo gjyqtarë të sistemit.

Dyshimi për ekzistencën e një “liste” me të “preferuar ose jo” u reflektua edhe në druajten e aktorëve të sistemit, të cilët, për të shmangur kalimin në vetting me përparësi, shfaqën interes jo të lartë në kandidimin për anëtarësim në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë. Disa përfaqësues u bënë pjesë e këtyre këshillave pa garë, ose në garë minimale. Nga ana tjetër, procesi i rivlerësimit nxori jashtë funksioni Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë duke kolapsuar sistemin.

Është pikërisht kjo klimë ajo që e bën të paragjykuar procesin dhe po ashtu minon një nga qëllimet thelbësore të Reformës, kthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Shpresa mbetet krijimi i një praktike unifikuese, të paktën nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Artan Hoxha: Vendimi për Dritan Dajtin tregon efektin një drejtësie të korruptuar

Gazetari i njohur shprehet për MAPO se Reforma në Drejtësi mund të ketë defekte. Vetëm fakti që është unik në botë ky lloj procesi, e bën të paparashikueshëm, thotë ai. “Por rezultatet e deritanishme kanë qenë mjaft shpresëdhënëse”, shprehet Hoxha.

Karl Sigmund, një profesor i njohur, thotë se nuk mund të luftosh korrupsionin dhe krimin pa reformuar drejtësinë. Kjo duket se është arsyeja kryesore pse të huajt janë investuar kaq shumë për një drejtësi të re në Shqipëri. A duhet të kemi shpresa të mëdha? A është nevoja më e madhe e Shqipërisë Reforma në Drejtësi?

-Një drejtësi e korruptuar është si të kesh shkelur një minë kundërtank. E ke vdekjen të sigurt, thjesht mundohesh të vonosh sa më shumë të jetë e mundur shpërthimin, por s’ke asnjë mundësi t’i shpëtosh vdekjes. Vendimi më i freskët i Gjykatës së Apelit për Dritan Dajtin është demonstrimi më i qartë i efektit që jep për shoqërinë dhe zbatimin e ligjit një drejtësi e korruptuar. Një ngjarje që ndodhi më 7 gusht 2009, dhe që u kushtoi humbjen e jetës 4 policëve të skuadrës operacionale. Nuk e di çfarë mund të ndodhë më shumë se kaq që të ketë një hetim serioz dhe shterues nga drejtësia. Por çfarë ndodhi?!!! Një proces i deformuar që në fillim. Një gjykim skandaloz që ka zgjatur deri tani 10 vite. Vetëm gjykimi në shkallën e parë pati një numër rekord prej 272 seancash, pjesa dërrmuese e tyre të dështuara. Nuk ka nevojë për më shumë se kaq që ta rrënosh besimin e qytetarëve te drejtësia.

Për fat të keq, dështimi i kësaj reforme do të shuante edhe shpresën e fundit për vendosjen e drejtësisë në vend. Në momentin kur klasa politike ka dështuar në ndërtimin e një shteti ligjor, zbatimi i Reformës në Drejtësi është kthyer në një nevojë imediate.

Së fundmi ka patur dyshime dhe akuza mbi drejtësinë e re që po lind. A mendoni se po njolloset ajo akoma pa e nisur mirë punën apo është një alarm i parakohshëm?

-Pa diskutim që zbatimi i kësaj reforme do kishte kundërshtarë të paepur, të egër dhe të vendosur për të bërë çdo gjë kundër saj. Reforma synon të rrafshojë nga themelet një sistem të korruptuar deri në palcë, të ndërtuar me kujdes ditë pas dite për 3 dekada me radhë. Ata që e kanë ndërtuar, kontrolluar dhe përfituar prej këtij sistemi, do luajnë çdo gur për të minuar besimin e qytetarëve te Reforma në Drejtësi. Për fat të mirë ne tashmë e shohim qartë se kush është kundër reformës, pasi kundërshtarët kanë dalë haptazi prej kohësh me zë e figurë. Ata e kanë bllokuar, zvarritur, penguar, baltosur, bërë pis sa kanë mundur procesin për t’i shpëtuar ndëshkimit. Por treni që sapo është nisur me timonier aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë, SHBA dhe BE, rrezikon të marrë përpara këdo që e gënjen mendja se mund të sabotojë këtë proces. Sigurisht që nuk ka asgjë perfekte dhe as ky proces nuk mund të shpëtojë pa patur defekte. Vetëm fakti që është unik në botë ky lloj procesi, e bën të paparashikueshëm. Por rezultatet e deritanishme kanë qenë mjaft shpresëdhënëse. Gjyqtarë apo prokurorë, të korruptuar apo shërbëtorë të politikës, të veshur me imunitet paprekshmërie, tashmë janë flakur jashtë sistemit. Një vit më parë kjo dukej e pabesueshme, por tashmë është një realitet. Tentativa për ta baltosur, njollosur apo bërë të pabesueshme herë pas here, ia del të krijojë mjegull te qytetarët, por kjo vetëm për pak kohë. Kjo reformë ka një garant, aleatin më të madh të shqiptarëve, SHBA-në. Dhe SHBA ka dëshmuar qartësisht, me forcë në më shumë se njëherë, se është e vendosur t’i shkojë deri në fund këtij procesi. Historia 107-vjeçare e ekzistencës së shtetit shqiptar ka treguar se SHBA nuk i kanë lënë kurrë në baltë shqiptarët…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤