Aldo Bardhi: Pse zgjodha Stambollin për klipin e këngës së re

Ai është vetëm 21 vjeç, por teksa bisedon arrin të kuptosh që ka më shumë vite mbi shpinë. Jemi duke folur për Aldo Bardhin, pjesëmarrës dhe fitues i çmimit të dytë në X Factor. Është një nga të rinjtë që ka ditur të krijojë hapësirën e tij në një treg të vështirë, siç është tregu i muzikës.

Bashkë me Aldon në bisedën tonë u ndalëm në pika të rëndësishme të jetës së tij, siç është skena, muzika, familja, shoqëria apo dashuria ndaj kafshëve. Ai rrëfen për gazetën “Shekulli” se muzika ishte një forcë që e ka tërhequr gjithmonë dhe ndaj sot është duke dhënë kontributin e tij në atë që i pëlqen më shumë. Bardhi thekson se shumë shpejt do të sjellë për publikun dy këngë të reja të cilat i ka në bashkëpunim me “Eran pro studio”, duken nënvizuar se do të ketë më shumë këngë nga këngëtari.

“Me muzikë jam marrë qysh i vogël, me koncertet që bënte shkolla, pastaj u bëra pjesë e zërave të rinj e deri në ditët e sotme ku unë vij me produktin tim, pra me këngët e mia. Madje shumë shpejt do të sjell dy këngë. Njëra do të jetë tashmë për verën, ndërsa tjetra do të jetë për pak më vonë pasi me të mendoj të përfaqësohem në Këngën Magjike. Xhirimet e njërës prej këngëve janë bërë në Turqi, pasi përkonin mjaft mirë me atë që donim të përcillnim, vendi , pamjet dhe teksti”, tha Aldo. Ky i fundit nuk përjashton edhe bashkëpunime me këngëtarë të tjerë, ndoshta edhe me Lind Islamin.

Këngëtari i ri deri më tani ke prekur skena të ndryshme të vendit tonë, e së fundmi edhe skenën e Këngës Magjike. Por si ndihet që i ri në skena të mëdha? “Të marrësh pjesë në festivale të ndryshme të vendit, kjo është shumë e rëndësishme. Ndërsa përgatitesh ti mendon se ke një punë shumë të përshtatshme për një festival, por hera e parë mund të them se është një përvojë shumë e rëndësishme pasi ke mundësi të marrësh esencën. Sigurisht që kupton formulën dhe në një herë të dytë pjesëmarrje je më afër atij festivali”, tha ai. Muzika për të është frymëmarrje, por sigurisht që Aldo ka menduar edhe për vitet e tij të mëvonshme, ndaj përveç muzikës ai ka zgjedhur që të ketë edhe një profesion të dytë. “Përveç muzikës unë studioj për IT, teknik kompjuterik, por ajo që më mban të mbërthyer pas vetes është muzika. Studimet në këtë fushë i kam menduar për më vonë, por kam kuptuar që ajo që unë di të bëj shumë mirë është kënga. Gjithë energjia ime është e fokusuar këtu, pra nuk shkon 100% tek studimet e mia”, tha ai.

Raporti me familjen dhe miqtë

Aldo është i vetmi në familjen që vjen nga Pogradeci që ka një talent në muzikë. E ndonjëherë prindërit nuk e kanë shumë fillimit, e ndoshta sot pas rrugës që Aldo ka bërë e kuptojnë në mënyrën e tyre dhe e mbështesin.

“Në familjen time vetëm unë jam në botën e artit dhe prindërit fillimisht nuk e kanë kuptuar se çfarë unë bëja. Në fakt edhe sot nuk e kuptojnë botën time tamam, por e kuptojnë në mënyrën e tyre dhe me japin suport shumë të madh. Për këtë i jam shumë falënderues’, tha ai. Koha jashtë muzikës dhe studimeve sigurisht i dedikohet miqve dhe shokëve të ngushtë.

“Koha jashtë muzikës dhe studimeve është me shokët e mi. Përgjithësisht mblidhemi të gjithë tek ndonjë nga shtëpitë tona ose dalim diku. Në fakt për ne nuk ka rëndësi shumë vendi, se sa kur jemi bashkë pasi gëzojmë një marrëdhënie të ngushtë dhe të mirë”, tha Aldo.

Dashuria për kafshët dhe qytetin e lindjes

I lindur në Pogradec, por i rritur në Tiranë, Aldo rrëfen se çdo verë gjithmonë ndalet për të shijuar ujin e liqenit të këtij qyteti të qetë. “Në Pogradec shkoj sidomos në verë sepse gjatë kohës tjetër të vitit jam i angazhuar me punë, ndërsa në verë kur unë bëj edhe pushimet planifikoj të shkoj dhe të qëndroj atje. Gjithmonë më gjen tre ditë atje sepse më pëlqen uji i liqenit më shumë se sa kripa e detit, por edhe vetë qyteti i Pogradecit. Ndoshta sepse unë jam prej andej, por të jep relaksin që të duhet”, rrëfen Aldo.

Ky i fundit gjithashtu rrëfen se ka një dashuri të madhe për kafshët. Bota ujore është ajo që e tërheq shumë dhe gjithmonë kërkon ta eksplorojë. Ai ndan me në edhe një kujtim të veçantë nga fëmijëria. “Më pëlqejnë shumë kafshët (qesh). Më kujtohet kur isha shumë i vogël me pushime në Pogradec isha duke u larë në liqen dhe më vjen një nga gjarprinjtë e ujit drejt meje por me një shpejtësi sa mua më trembi shumë. Menjëherë dola në breg dhe ashtu i frikësuar po ia tregoja të afërmve. Por gjithashtu më kujtohet se sa herë kthehesha në Tiranë merrja ndonjë gjarpër dhe e mbaja në shtëpi. I krijoja kushte për të qëndruar në ujë, shkoja i shikoja dy apo tre herë në ditë. Isha i qetë sepse e dija që e kisha aty në shtëpi”, rrëfen Bardhi.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤