
3 Photos
Braktisje, abuzime ,lypje, prostituim, dhunë, dënim me burg, varësi nga droga … Jeta e një transvestiti, të cilit i duhet të mbijetojë në rrugë. Lexoni rrëfimin e Anxhelës! Pas imazhit jo të zakontë që mund ta keni hasur shpesh në rrugë, fshihet një jetë, shpesh e mbushur me dhimbje…
Kur ishte aq i rritur sa duart e dhembshura që lëshonin ndonjë monedhë në rreckën e shtruar në prehër bëheshin gjithnjë e më të rralla, nisi të prostituonte…
Është 26 vjeç, në gojë i kanë mbetur fare pak dhëmbë , flokët e pakrehura prej kohësh i ka mbledhur lart, në thonj i ka mbetur shenja të një smalti të kuq përzier me pisllëkun e kazanëve të plehrave, vendi ku shpesh gjen edhe veshjet dhe mbulojat për t’i rezistuar të ftohtit , të pazbutur nga asnjë çati mbi krye…mbase edhe streçet e zeza që i zbulojnë dy këmbë tejet të holla futur brenda një palë çizmesh të vjetra i ka gjetur po aty, ose ia kanë dhënë shoqet me të cilat ka ndarë vendin e punës.
“Tani e kam lënë” –thotë, ndërsa flet për vitet si punonjëse seksi. “Ka nja katër pesë muaj që e kam lënë se nuk ia dal dot. Përballesh me lloj-lloj njerëzish. Kishte nga ata që përdoronin dhunë, që të rrihnin, ishin agresivë. Kur vinte policia ishte bërë gjaku deri në gju”.
Këto kohë, ku vaktin e përditshëm nuk ia siguronte dot vetes me paratë që fitonte prej klientelës 10 mijë e në rastet më me fat 15 mijë lek të vjetra, me të cilët në më të shumtën e rasteve kryente seks në vende të hapura – “por qosheve” nxiton të sqarojë – “se në vende publike të vinte policia” , nisi të frekuentojë Qendrën Ditore Multidisiplinare , në zonën e Laprakës , për të ngrënë një vakt falas.
Edhe pse moti i kryeqytetit u ashpërsua më fort se dimrat e tjerë që i kish kaluar në po të njëjtin vend , në lulishten e vogël përballë godinës së Parlamentit, bëri rezistencë me punonjësit e policisë që erdhën ta ngrenin prej stolit të drunjtë për ta çuar në qendrën sociale pranë ish-kombinatit Misto Mame.
Atje u mbyll në tualet dhe tentoi të vriste veten. “Ja shikoni shenjat që tentova për me vra veten” –thotë , ndërsa heq shallin dhe tregon një plagë gërvishtjeje në qafë dhe disa të tjera në pulset e duarve e deri lart në parakrahë.
“Kam qëndruar në banjë 20 minuta pa ndjenja. Pastaj erdhi ambulanca e më çuan në spital dhe ata mjekët po talleshin . Vendosa të largohesha edhe nga spitali…” –rrëfen , ndërsa më në fund erdhi t’i kalojë netët e ftohta aty, në Laprakë, ku siç rrëfen, nuk e ndjen paragjykimin e të tjerëve.
Ishte 9 vjeç kur u largua nga shtëpia në Shkodër. Në fakt ishte mamaja që e dëboi dhe pas asaj kohë nuk di më asgjë prej saj.
Nuk ka askënd që ta pohojë apo përgënjeshtrojë historinë që rrëfen, por shton se në atë moshë të mitur përjetoi abuzimin e parë. “E gjithë fatkeqësia ime nisi nga ai që e dija për baba, por në fakt nuk ishte babai im”.
Pas disa muajve që kaloi në spitalin pediatrik të Shkodrës, ku nuk dihet nëse thotë të vërtetën apo ka krijuar kujtime të gënjeshtërta ndërsa rrëfen se atje u abuzua nga bashkëshorti i një sanitareje, e sollën në Tiranë.
“Isha fëmijë me probleme dhe më sollën në spitalin e Tiranës. Pastaj dola nga spitali dhe rrija rrugëve. Lypja”. Ishte 11 vjeç asokohe. “Gjithmonë kam jetuar jashtë dhe gjithmonë në zonën pranë Parlamentit. Kam shumë vite që fle aty te stolat, te lulishtja. Shumë dimra. Mbulohem me rrobat që gjej në plehra… Kam trokitur në shumë dyer, në shumë organizata për ndihmë, por
duke parë orientimin tim seksual, ma përplasin derën në fytyrë”, rrëfen.
Emrin me të cilin e kanë pagëzuar askush nuk ia di, ndërsa veten e ka quajtur Anxhela, kushedi prej sa kohësh… “Jam krenare për atë që jam” –thotë, me një zë delikat , sikur gjinia të varej nga një përemër vetor dhe tingulli ku nuk shfaqet ndonjë gjurmë testosteroni.
Nuk ka paratë për t’iu nënshtruar ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale për një transeksual dhe as veshjet dhe estetikën e një transvestiti stereotip siç kinemaja apo mediume të ndryshme na e kanë servirur, por thotë se si ajo, ka shumë shoqe trans, të cilat e ndihmojnë me veshje. “Por shoqet e mia transe nuk rrinë rrugëve. Kanë shtëpi”.
Thotë se bashkë me këto shoqe janë anëtare të Aleancës LGBT.
“Ata të Aleancës e dinë që ekzistojmë, por na thonë se nuk kemi fonde për strehim,. pro fonde për trajnim . Por unë nuk kam nevojë për trajnim. Unë dua të më strehojnë. Nuk kam nevojë të trajnohem. Thuhet se ka një bonus qirash, por nuk është bërë asgjë. Ata e kanë një qendër, por jo qendër emergjencash si kjo këtu”.
Në jetën e saj të trazuar është ndeshur edhe me varësinë ndaj drogës. Tashmë është në fazë rehabilituese, ndërsa frekuenton qendrën Aksion Plus, që u vjen në ndihmë individëve me probleme varësie ndaj drogave.
“E nisa me hashash dhe pastaj me heroinë, në grupin shoqëror. Lekët për ta blerë i gjeja duke shitur trupin” – kujton.
Thotë se për veprën e prostituimit ka kryer edhe dënim me burg. “Kam bërë tre vjet e katër muaj në burgun e Lezhës. Atje donin të abuzonin seksualisht, por tentova të vetëvaresha”.
Rrëfen se është përpjekur disa herë t’i japë fund jetës. “Nuk kam ku mbrohem. Jam viktimë. E dhunës, e njerëzve, e diskriminimit… Nuk është rrugëzgjidhje kjo”, thotë ndërsa shtëpi pas ditëve të acarta i kthehet sërish stoli i drunjtë në lulishten përballë Parlamentit, ndërsa çati qielli, me shpresën të jetë pak më i ngrohtë… Do i rikthehet prostituimit për t’ia dalë me jetesën apo nuk e ka lënë kurrë ? Pas imazhit jo të zakontë që mund ta keni hasur shpesh në rrugë, fshihet një jetë, shpesh e mbushur me dhimbje…për faktin se është ndryshe.