Befasitë në artin rrëfimtar të Mira Meksit

View Gallery
6 Photos
Befasitë në artin rrëfimtar të Mira Meksit
Mira Meksi 3

Befasitë në artin rrëfimtar të Mira Meksit
Mira Meksi 1

Befasitë në artin rrëfimtar të Mira Meksit
mira-meksi

Befasitë në artin rrëfimtar të Mira Meksit
Mira Meksi 4

Befasitë në artin rrëfimtar të Mira Meksit
MEKSI COVER

Befasitë në artin rrëfimtar të Mira Meksit
Mira-Meksi

Nga Shpëtim Doda
Mira Meksi është mjeshtre e befasisë. Në gjithë sa shkruan, mëton, dhe arrin të befasojë, aq sa mund të thuhet me plot gojë se befasia është një nga fijet që bashkon tërë veprat e saj letrare, duke u shpërfaqur, madje, si pjesë e ADN-s së artit të saj rrëfimtar. Ky tipar i thelbësishëm i rrëfimtarisë së Mira Meksit vërehet qartësisht, madje në mënyrë më të spikatur, tek libri i saj i fundit, përmbledhja me tregime e novela Hakmarrja e Kazanovës (Onufri, 2018).

Tek Hakmarrja e Kazanovës befasia e Mira Meksit shfaqet e shumësishme, ku fjala është qoftë për befasi brendatekstore, të cilat lidhen me poetikën e rrëfimit, – shprehimisht, me format, me teknikat dhe mekanizmat rrëfimtarë që autori vë në lëvizje, – qoftë për befasi jashtëtekstore, të cilat lidhen me poetikën e leximit – shprehimisht, me efektet leximtare që krijon poetika e rrëfimit.

I parë në rrafshin e poetikës së rrëfimit, përfundimi i novelës Hakmarrja e Casanova-s, apo tregimeve Shiriti prej mëndafshi blu, Tlöni i dashurisë, Mikja e Toreadorit, Kordelja e blertë e së vdekurës, Aksidenti, Vrasësit e vegjël etj., shpërfaqet i befasishëm për këdo, përfshirë madje edhe lexuesin e mirë sprovuar tashmë me krijimet letrare të Mira Meksit. Befasinë si mekanizëm rrëfimtar e ndeshim në tërë rrëfimtarinë e Mira Meksit, përfshirë edhe ato raste kur, teknikisht, thurima e rrëfimit është pastërtisht proleptike, siç vërejmë qartësisht, për shembull, tek romanet E kuqja e demave – ndryshe nga “nguti i ikjes” me të cilin nis romani, në fund personazhi nuk largohet – dhe tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë – në paragrafin e fundit të romanit zbulohet se rrëfimtari i ngjarjeve s’është autori, por Ilyrosi, Gjarpri-totem i ilirëve.

Tek Hakmarrja e Kazanovës, një tjetër element befasie në rrafshin e poetikës së rrëfimit, është padyshim edhe stili. Kështu, për shembull, tek novela Hakmarrja e Cazanova-s, apo tek tregimet Tlöli i dashurisë, Kordelja e blertë e të vdekurës, Mikja e toreadorit, Aksidenti etj., atëherë kur pritet të përballemi me një stil dramatik dhe të shtrirë, me një fjalor tronditës e traumatik, siç pritet në situata apo ngjarja të ngjashme me situatat dhe me ngjarjet e këtyre tregimeve, në të vërtetë ndeshemi me një kthesë të beftë stili, me një stil à la Borges, apo à la Kafka: i ftohtë, i kursyer, pothuajse telegrafik, në disa raste me elementë zhdramatizues (madje, deri diku çlirues, si tek Kordelja e blertë e së vdekurës, Mikja e toreadorit, Aksidenti etj.), mend si të bëhej fjalë për një situatë apo një ngjarje të zakonshme, të natyrshme dhe, mbi të gjitha, më se të pritshme.

Ndërkaq, befasitë në rrafshin e poetikës së rrëfimit s’mbarojnë me kaq. Tërë rrëfimtaria letrare e Mira Meksit përshkohet gjithnjë nga një prani e fortë e epifanikes, e vështruar jo vetëm në ngjyresat që ky term shenjon në sferën e fetarisë – shprehimisht, si një “zbulesë qiellore”, – por edhe në ato që shenjon në sferën e letërsisë – shprehimisht, si një çast i veçantë në të cilin një objekt, një njeri, apo një episod kthehet në “zbulestar” i kuptimit të vërtetë të jetës së personazhit, i cili arrin ta perceptojë në vlerën simbolike përkatëse, duke nxjerrë kësisoj në pah – nën dritën e ndërgjegjes – lidhjet mes objektit – bashkë me vlerën simbolike – dhe situatës në të cilën gjendet vetë ky personazh. Kështu, në romanin e saj të parë, Frosina e Janinës, historia tragjike e Frosinës është fryt i një zbulese që Paul Despiere-i pati buzë liqenit të Janinës, si dhe i “molepsjes” së tij nga “një gjemb trëndafili”; vërtetshmëria e ftesës së ballos tek Porfida – Ballo në Versailles është po ashtu fryt i një epifanie që Dr. Aron S. pati “gjatë dy netëve pa gjumë”; fryt i një epifanie është edhe zbërthimi i të fshehtës qindravjeçare të së “kuqes së Onufrit”, tek E kuqja e demave; po ashtu, në paragrafin e fundit të Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë zbulojmë se e tërë historia që sapo mbaruam së lexuari është e tëra një epifani e qashtër.

Të njëjtën prani të fortë të epifanikes e ndeshim dhe tek Hakmarrja e Kazanovës. Kështu, deshifrimi i letrës dhe, për më tepër, i të fshehtës së princit venecian të joshjes, është fryt i një epifanie të qashtër, ndërkohë që edhe krimi që kryen Arbër Muzaka paraprihet nga një epifani, e cila, madje, hollë-hollë, është edhe causa movens e aktit të Arbër Muzakës. Po ashtu, fryt i një epifanie gjatë natës së të vdekurve është edhe Shiriti prej mëndafshi blu, ndërkohë që praninë e epifanikes e ndeshim qartë edhe tek Kordelja e blertë e së vdekurës, Nobelisti, Mikja e toreadorit, Aksidenti, Takimi tjetër, Emri absolut, Hapësirat e mara etj. Dhe, sikundërse merret fare lehtë me mend, çdo epifani krijon vetvetishëm e natyrshëm ndjesinë e habisë dhe befasisë.

Sakaq, njëlloj si te romanet dhe tregimet e mëparshme, edhe tek Hakmarrja e Kazanovës hasemi me një rrëfim të gatuar me frymën dhe me lëndën e asaj “jete” për të cilën flasin Borges-i e Lévinas-i; shprehimisht, e “jetës së pafundme të teksteve”, që jetojnë përmes jetës së atyre njerëzve që përmes leximit arrijnë që t’i kuptojnë, t’i përjetojnë, t’i shijojnë dhe t’i rikrijojnë; dhe në këtë pikë fjala nuk është vetëm për ndërtekstësinë e “shprehur”, – siç vërehet tek Hakmarrja e Casanova-s, tek Tlöni i dashurisë, Nobelisti, Aksidenti dhe Takimi tjetër, – por edhe për ndërtekstësinë e “pashprehur”, apo “ndërfshehur”, – siç tek Shiriti prej mëndafshi blu, te Kordelja e blertë e së vdekurës, Mikja e toreadorit, Emri absolut etj., – çka e zë jo pak në befasi edhe lexuesin e mirë sprovuar.

Sa i përket befasisë si efekt leximtar, sakaq, një befasi e tillë krijohet jo vetëm nga temat e goditura, si dashuria, kujtesa, vdekja, Tjetri, Identiteti etj., të cilat jepen në tërë larminë e formave të shpërfaqjeve përkatëse, por edhe nga larmia e perspektivave, e qasjeve dhe këndvështrimeve, nga ato të personazheve dhe rrëfimtarëve, tek perspektivat, qasjet dhe këndvështrimet e autorit dhe e lexuesit të paramenduar dhe atij të mundshëm.

Të parë nga ky drejtim, këto tregime dhe novela nuk boshtohen përjashtimisht vetëm tek objekti, as tek psika i autorit, dhe as tek psika e lexuesit, por tek të tre së bashku, duke përvijuar kësisoj brenda hapësirës së rrëfimit artistik një formë të veçantë marrëdhënieje mes autorit dhe lexuesit.

Sekreti i përvijimit brenda hapësirës së rrëfimit të një marrëdhënieje të këtillë të veçantë mes autorit dhe lexuesit qëndron tek konceptimi dhe vështrimi i “unit” të tjetrit jo si një ob-jectus, por si një sub-jectus tjetër, siç është vetë autori, prej nga rrëfimi nuk është më fryt i një ndërgjegjejeje të vetme, i ndërgjegjes së autorit, e cila përmbledh objektivisht në vetvete dhe ndërgjegjet e tjera, por fryt i ndërveprimit të disa ndërgjegjeve, përfshirë edhe ndërgjegjen e lexuesit të paramenduar dhe atij të mundshëm, të cilët befas e shohin veten të përfshirë në rrjedhën e rrëfimit, siç vërejmë tek Hakmarrja e Casanova-s, Shiriti prej mëndafshi blu, Tlöni i dashurisë, Nobelisti, Takimi tjetër, apo Emri absolut, tek të cilët personazhi kryesor është qartësisht – dhe jo pa arsye – “lexues”.

Përmes vënies në lëvizje të tërë këtyre befasive, Mira Meksi e nxit fort lexuesin e këtyre tregimeve e novelave t’i jepet jo vetëm leximit si një akt kënaqësie, por edhe interpretimit si një akt zbulestarie.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤