Blendi Salaj: Radio, dashuri me dëgjim të parë.

IMG_3879

Marrëdhënia e dashurisë me të ka nisur edhe më herët sesa punën në një radio amerikane kur ishte student. Ka nisur qysh kur ishte në shkollën fillore dhe ndërsa bënte detyrat dëgjonte valët e “Radio Tirana” , të preferuarën e gjyshit të tij… Blendi Salaj rrëfen rrugëtimin me këtë dashuri të pandashme tashmë

Kur e ke nisur punën në radio?

E kam nisur fillimisht në vitin e fundit të studimeve në Shtetet e Bashkuara, ku për një semestër punova në një radio komerciale si pjesë e praktikës universitare. Shërbeva si asistent në programin e mëngjesit dhe duhet të isha në stacion rreth orës 5:30 për përgatitjet para programit që niste në orën 6:00. Por mëngjeset në Verilindjene ShBA-ve në dimër janë të ftohtë, betejë me dëborën. Megjithatë mësova shumë atje dhe i konfirmova vetes dashurinë që kisha për këtë medium. Puna ime ishte të shkarkoja klipe-audio nga ngjarjet e një nate më parë në politikë dhe shoëbizz-in amerikan. Pastaj filtroja telefonatat në dhe shkruaja arsyet pse secili donte të fliste, në mënyrë që drejtuesi ta dinte paraprakisht se për çfarë donte të fliste dëgjuesi. Përveç kësaj, kam bërë edhe radio online në shqip, nga shtëpia ku banoja në Amerikë. Ka qenë një radio e quajtur “Ezeta”, një ndërmarrje shumë interesante në atë kohë.

Cili ishte elementi i parë që të bëri të dashuroheshe me punën në radio?

Kam nisur ta dua radion fillimisht si dëgjues, që në kohën kur në shtëpi gjyshi dëgjonte “Radio Tiranën” ndërsa unë bëja detyrat. Më pas kam dëgjuar me shumë qejf “VOA Europe’, shërbimin muzikor të “Zëri i Amerikës” që në vitet ‘ 90 ishte shumë popullor në Shqipëri. Pas emigrimit në Amerikë arrita të kuptoj sa e fuqishme është Radio, sepse kam dëgjuar pafund në makinë, në ato udhëtimet relativisht të gjata të vajtjes dhe ardhjes nga puna. Edhe në zyrë, kur interneti e bëri të mundur dëgjoja radiot italiane, “RDS” dhe “RTL”. Më ka magjepsur gjithmonë kjo botë komunikimi e padukshme. Ky është elementi bazë, nëse duhet të përzgjedh një, komunikimi me njerëzit, ndërgjegjësimi se këta zëra e këto këngë nuk po i dëgjoj veç unë, por mijëra njerëz njëherësh, në një eksperiencë të përbashkët fantastike. Jo të gjithë njerëzit i kanë njësoj të forta këto ndjesi, por unë hyj tek ata që i shijojnë këto gjëra fort.

Sa ndihmues dhe pengues është fakti që armë është vetëm zëri në këtë punë? Ka ndonjë regjim apo dietë të ruajtjes së zërit gjithnjë në formë? Por kur ke probleme me zërin, si ia bën?

Të pasurit e zërit si të vetmen armë e quaj një ndihmë. Sepse kur komunikon në radio nuk ke nevojë të kujdesesh për pamjen, pozicionin si qëndron, si je krehur a çfarë ke veshur. Je ti dhe mikrofoni dhe dëgjuesit në anën tjetër. Unë dua të theksoj diçka, nuk është çështje zëri aq sa është çështje gjuhe, sintakse, fjalori. Mjeti ynë kryesor në radio nuk është zëri, i cili me kohën mund të përmirësohet, por gjuha shqipe. Nëse e trajton gjuhën mirë, nëse lexon për ta pasuruar, nëse je tip kurioz që interesohesh për të rejat atëherë do kesh për çfarë të flasësh dhe kjo është më e rëndësishmja. Dhe për pyetjen e dytë, përgjigja është jo. Nuk kam asnjë dietë apo regjim për ruajtjen e zërit. Me sa di as këngëtarë të famshëm rock-u nuk kanë (veç alkool dhe cigare) ndaj nuk praktikoj ndonjë gjë në atë aspekt.

Ti je edhe personazh ekrani, cili është emocioni që dhuron TV ndryshe nga radio dhe anasjelltas? Kush triumfon?

Televizioni ka përparësitë e veta, figurën, imazhet, dritën, grafikat por unë preferoj radion. Radio është më intime, është më elegante, nuk është narcistike si televizioni, nuk imponohet. Nuk kërkon të ngulesh në divan e t’i mbash sytë fiksuar në ekran. Ndërsa dëgjon radion mund të bësh dush, të hash, të udhëtosh, dhe radio është prapë aty. Ka një forcë tjetër, më të thellë dhe të padukshme.

Për çfarë do ta lije radion?

As nuk e mendoj. Nuk kam një përgjigje për këtë. Ndonjëherë mendoj, po sikur të më ndodhte diçka (e mirë le të themi) që do më kërkonte të lija radion. Do ishte problem i madh. Realisht.

“Magjia e radios” sa është klishe dhe sa e vërtetë? Dhe ç ‘magji është radio? Si mund të shpjegohet nga ata që i dedikojnë punë dhe jetë asaj ?

Jo nuk është klishe. Ose më saktë është klishe vetëm për ata që radion e bëjnë për ndonjë lek më tepër, apo se u duket “cool” dhe mendojnë se mund ta bëjnë se është e kollajtë. Por nuk është ashtu. Radio është ajo marrëdhënia që ti ke me atë zërin e ngrohtë që flet qetë nga një studio kushedi se ku, ndërsa ti je duke udhëtuar nëpër natë. Magjia është ajo ndjesia se edhe pse duke lëvizur me shpejtësi mbi asfalt, diçka të mban të lidhur me qytetërimin, qytetet, muzikën. Dhe pa dashur të përsëris, theksoj këtë, nuk është marrëdhënie vetëm folës-dëgjues por më shumë se kaq. Është marrëdhënia midis folësve, dëgjuesit dhe dëgjuesve të tjerë. Pra ideja se këto fjalë, këtë përjetim nuk e ke vetëm ti, por edhe dikush tjetër që po udhëton në kah të kundërt përballë teje e dëgjon të njëjtin program, dhe pas tij edhe mijëra e mijëra të tjerë, në makina, në dhoma gjumi, kabina dezhurni nate, në një qytet tjetër a tjetër kontinent.

Mendon se radio me zhvillimet e teknologjisë mund të jetë një medium i vjetruar? A do të dalë ndonjëherë nga moda? Çfarë e mban radion në trend gjithmonë?

Thanë se radio do vdiste kur hyri televizioni, kjo ishte nja 60 a 70 vjet më parë. Televizioni nuk e vrau dot radion, pasi ndërsa prindërit u ngulën para ekranit, fëmijët e tyre dëgjonin fshehurazi në dhomat DJ-të rebelë që ngritën kundërkulturën dhe luanin disqe teksa tymosnin hashash. Kur televizioni u bë mediumi tradicional, radio u kthye në mediumin alternativ. Ato ditë kanë ikur me kohë, por sot radio ende ruan fuqinë të rebelohet, dhe sado që mund të kemi iPhone e iPode apo YouTube, një këngë e dëgjuar në radio, një zë i njohur në mëngjes mbetet i pazëvendësueshëm. Teknologjia na ofron mundësi të dëgjojmë gjithë muzikën që është regjistruar ndonjëherë, por ajo mbetet një eksperiencë vetmitare. Radio është kolektive. Ky është çelësi.

maxresdefault

Çfarë e bën të ndjekur një emision radioje-qoftë ai edhe shumë herët në mëngjes apo në çdo lloj orari- sesa një emision televiziv?

Është më kollaj të rendisësh, çfarë NUK e bën të ndjekur një emision. Nuk e bën të ndjekur cilësia e zërit, as muzika, as orari. Radio kërkon karakter, kërkon sinqeritet absolut me dëgjuesin. Kërkon ndërveprim, që ai si ai që të dëgjon në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, si ai që është në Rrugën e Kombit të ndihen pjesë e kësaj gjësë që po bëjmë në emision. Radio kërkon thjeshtësi, emocion, nerv, dashuri. Nuk bëhet emisioni i mirë sepse ke zërin e bukur, apo se flet shqip me theks amerikan. Duhet që dëgjuesi të gjejë të përbashkëta me ty. Të kuptojë që ti je si ai apo ajo. Ti duhet të zbulosh sekretet e tua, dhe jo vetëm ato që të bëjnë të dukesh mirë, por edhe rastet kur ja ke futur kot. Pra sinqeritet, ndershmëri dhe jo skenarë, shtirjeje, apo shqipe-hollivudiane. Më tepër nuk dua të tregoj, sepse ca sekrete duhen ruajtur. J

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤