Diana Çuli: Të jetoja në kohën e Jane Austen-it  

 

diannnaaShkrimtarja që do të kishte dashur të jetonte në epokën e Jane Austen, Virginia Woolf apo Simone de Beauvoir. Por, ndoshta edhe ato ëndërronin të jetonin në kohë të tjera… Ja si e përjeton kohën e saj Diana Cculi

 

Tipari kryesor i karakterit tuaj?

Energjia. Besoj se kam shumë energji, përderisa kam mundur të bëj shumë punë përnjëherësh dhe të vazhdoj të punoj me të njëjtin ritëm, si edhe njëzet vjet më parë. Mund të mos jetë tipari kryesor, se njeriu e njeh më pak veten e tij, nga sa e njohin të tjerët, por mua më duket se është një nga tiparet kryesore.

Po ai për të cilin jeni më pak krenare?

Tërheqja. Më ndodh që tërhiqem nga beteja, në mes të saj. Nuk më pëlqen kjo gjë, por jo gjithnjë arrij ta mposht, kur kjo ndjenjë tërheqjeje mbërrin.

Çfarë do të ndryshonit tek vetja nëse do mundeshit?

Tani është tepër vonë që unë të ndryshoj veten. Besoj se të ndryshon vetvetiu kalimi i viteve. Tani përzgjedh shumë më tepër gjithçka: edhe miqësinë, edhe ato që lexoj, edhe gjërat që bëj, edhe kohën si e organizoj. Mendoj se ky është ndryshimi që i bëjmë vetes dalëngadalë, për shkak të përvojës.

Terapia juaj kundër stresit?

Bëj vetëm një gjë, jo dy dhe tre njëherazi. Ule ritmin. Mbyll telefonin, mos shiko lajmet, mos lexo gazetat. Shiko filma të mirë, në divan. Dil sa më pak nga shtëpia. Ha një darkë me miq të dashur, në një vend të bukur. Shko në SPA. Ushtro frymëmarrjen disa herë në ditë.

Tre detajet bazike të veshjes suaj?

Jo më shumë se dy ngjyra. Asnjëherë këpucë me lidhëse apo të ngjashme me këpucë burrash.

Ç ‘është eleganca për ju?

Komoditeti. Nëse veshja është e modës, por ndjehesh si në gjemba me të, ajo nuk është elegante. Çdo veshje është elegante nëse i shkon trupit dhe fytyrës suaj.

Ç ‘marrëdhënie keni me pasqyrën?

Jo të tepruar. Nuk shikohem nëpër xhama vitrinash.

Cilët do ishin të ftuarit e një darke ideale në shtëpinë tuaj?

Një darkë Krishtlindjeje është ideale, sepse aty mblidhen të gjithë njerëzit më të dashur për mua, ata për të cilët mendoj vetëm me dashuri dhe me lumturi kur i shikoj përreth meje. Dhe kjo krijon atmosferën ideale, që nganjëherë duket edhe irreale, sepse nuk ndodh gjithnjë të kesh një përqendrim të tillë dashurie.

Cili personazh filmash apo librash ju frymëzon?

Varet. Mendoj se tani është vonë për mua të frymëzohem. Në rini më ndodhte shpesh. Tani admiroj personazhe librash – filmash më rrallë – por, ata ndryshojnë. Libri i fundit i mirë, më tërheq vëmendjen dhe jo vetëm për personazhin.

Dhurata që ju pëlqen të bëni?

Libri…

Për ju, luksi është…?

I kotë…Djallëzor…

Cila është gjëja më e mirë që keni marrë nga jeta?

Fëmijët e mi.

Talenti që do të donit të kishit?

Muzika.

Deri ku do arrinit për dashurinë?

Jeta i vendos shumë kufij dashurisë. Jeta është e ndërtuar me përgjegjësi të mëdha që të rrethojnë nga të katër anët dhe dashuria duhet të përplaset vazhdimisht pas këtyre mureve. Dashuria, për mua, për shembull, nuk mund të ngrihet mbi vuajtjen e fëmijëve apo edhe mbi vuajtjen e njerëzve të tjerë.

Fjalët që ju hutojnë?

Kur shprehin ligësi. Nuk gjej përgjigjen e duhur.

Cila janë fjalët që do të donit të dëgjonit prej të tjerëve?

Fjalë që të japin energji pozitive, që ta përmirësojnë ditën. Ka njerëz që, kur të takojnë të thonë : Pse dukesh kaq keq sot? Qenke lodhur ! Këta, pa dyshim, ta prishin ditën.

Large-image-for-index1Në cilën epokë do kishit dashur të jetonit?

Në kohën kur Jane Austen-i shkruante librat e saj…Ose në kohën e Virginia Woolf-it dhe të Simone de Beauvoir-it. Por, ndoshta edhe ato ëndërronin të jetonin në kohë të tjera dhe koha e tyre u dukej e mërzitshme dhe pa shkëlqim. Dhe ato i dhanë kohës së tyre shkëlqim. Pra, gjithçka është relative, ne mund ta përjetojmë kohën tonë si ta duam, gjithçka varet nga vetë ne.

Bëni bilance në fund të ditës?

Padyshim.

Ju trembin vitet që ikin?

Nganjëherë.

Frika duhet fshehur?

Jo gjithnjë. Nëse ajo ka një bazë të thellë dhe e dëmton jetën tënde, nuk duhet fshehur, duhet përballur dhe mposhtur.

Vdekja ju tmerron?

Nëse vjen në mënyrë të panatyrshme, të parakohshme, për shkak të luftërave, fatkeqësive natyrore, aksidenteve, sëmundjeve të rënda. Por, jo nëse ajo vjen kur ka kohën për të ardhur.

Karrierë pastaj fëmijë apo fëmijë pastaj karrierë?

Të dyja bashkë. Nuk ka përse të ndahen. Nuk ka kohë. Po prite të merresh me njërën duke e lënë tjetrën për më vonë, e dyta ka pak gjasa të realizohet më. Gratë e kanë dëshmuar, në të gjithë botën, se mund t’i bëjnë të dyja bashkë. Unë dhe shoqet e koleget e mija e kemi bërë dhe karrierën dhe fëmijët dhe as njëra palë nuk e ka penguar tjetrën.

Po sikur te ishe një film, si do të ishte titulli i tij?

Nuk e gjej dot kurrë, sepse nuk e përfytyroj dot veten një diçka të tillë. Më duket shumë e ngatërruar. Një film është produkt i shumë njerëzve dhe i shumë ideve dhe, gjithnjë sipas meje, nuk mund të mishërohet tek një njeri i vetëm.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤