Dr. Elez Biberaj: ‘Zëri i Amerikës’ dhe rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës paraqet një moment kyç në tranzicionin e vështirë të Shqipërisë nga një regjim totalitar në një sistem shumëpartiak. Kjo ngjarje gjithashtu paraqet një nga mbulimet më të rëndësishme të zhvillimeve në Shqipëri nga Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës. Në shkurt të vitit 1991, Zëri i Amerikës ishte në një pozitë të veçantë për t’i mbuluar ngjarjet në Shqipëri.

Me mbulimin e zhvillimeve kryesore gjatë vitit 1990, Zëri i Amerikës kishte nxitur elementët reformatorë dhe kishte arritur deri diku t’i jepte formë debatit politik që po zhvillohej në vend. Si rrjedhim, Zëri i Amerikës kishte fituar popullaritet si një burim i besueshëm lajmesh. Në Perëndim dominonte mendimi se për shkak të natyrës së ashpër të regjimit shqiptar, shanset e një tranzicioni paqësor në demokraci ishin, në rastin më të mirë, të vogla. Për ne ishte parësore që në emisionet tona të mos kishte nxitje dhune.

Ne ishim të kujdesshëm dhe përmbajtja, gjuha dhe toni i transmetimeve tona ishte në përputhje të plotë me standardet më të larta të Zërit të Amerikës. Përmes raportimeve, intervistave, deklaratave zyrtare të qeverisë amerikane dhe analizave tona ne theksonim nevojën për ndryshime paqësore dhe bënim thirrje për qetësi. Besoj se Zëri i Amerikës ka luajtur një rol moderues gjatë atyre situatave jashtëzakonisht të tensionuara. Ne mobilizuam gjithë burimet tona, zgjeruam mbulimin e ngjarjeve në Tiranë dhe praktikisht thyem monopolin e regjimit mbi informacionin. Më 18 shkurt 1991, ditën e parë të grevës së urisë, në një analize, unë sugjeroja që Alia kishte vetëm një mundësi realiste: të pranonte kërkesat e studentëve.

Më 19 shkurt 1991, një ditë para rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, të dy emisionet tona, pas lajmeve ndërkombëtare, iu kushtuan tërësisht grevës së studentëve. Emisioni i orës 18, emisioni ynë kryesor, përmbante një raport të posaçëm dhe u hap me lajmin se plenumi i Komitetit Qendror, që ishte mbledhur atë ditë, kishte mbështetur vendimin e qeverisë për të hedhur poshtë kërkesat e studentëve. Lajmi u pasua nga intervistat me drejtuesit e studentëve Ridvan Peshkëpia dhe Arben Lika. Në emisionin e orës 20:30 më 19 shkurt, ne transmetuam të rejat e fundit.

Cituam burime nga Tirana që vinin në dukje se forcat policore dhe ushtarake kishin rrethuar Qytetin e Studentit, studentët këmbëngulnin se nuk kishin ndërmend t’i jepnin fund grevës së urisë, dhe se ata gëzonin mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por segmenti më i rëndësishëm i emisionit ishte një intervistë me Ismail Kadarenë, i cili shprehu mbështetje pa asnjë mëdyshje për studentët. Shkrimtari i shquar tha se studentët po luftonin për “dinjitetin e Shqipërisë”. Kadare më pas i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të fuqishme Presidentit Alia: “I bëj thirrje Presidentit Ramiz Alia që të mos dëgjojë këshilltarët e tij të këqij, por të dëgjojë zërin e studentëve shqiptarë. Shpresoj shumë që zëri i arsyes të dëgjohet në Shqipëri”.

Menjëherë pas emisionit mora disa telefonata kërcënuese dhe tepër armiqësore, disa besoj nga Shqipëria dhe të tjera nga vende të Evropës Perëndimore, me akuza se transmetimet tona po e çonin Shqipërinë drejt një lufte civile. E mërkura, 20 shkurt 1991, do të sillte zhvillime dramatike. Në mëngjes përmes telefonit kontaktova burimet tona të Tiranë. Njoftimet ishin alarmuese: mijëra njerëz ishin mbledhur në sheshin “Skënderbej”, tanket kishin dalë në qytet, dhe dukej se Shqipëria ishte në prag të një ballafaqimi të rrezikshëm. Por pak para fillimit të emisionit, morëm lajmin se mbi 100,000 njerëz, të mbledhur në sheshin qendror të Tiranës, kishin rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës.

Zëri i Amerikës e filloi emisionin duke njoftuar se simboli më i rëndësishëm që kishte mbetur ende nga komunizmi në Shqipëri më në fund kishte rënë. Por kriza nuk kishte përfunduar: qeveria ende nuk i kishte pranuar kërkesat e studentëve. I gjithë emisioni atë ditë iu kushtua zhvillimeve në Shqipëri dhe përmbante intervista me përfaqësues të studentëve dhe disa personalitete të shquara, mes tyre Profesor Rexhep Qosja, Sali Berisha, Ridvan Peshkëpia, Arben Demeti, dhe disa studentë grevistë. Në intervistën e tij, Sali Berishën bënte thirrje për qetësi dhe u kërkoi përkrahësve të mos binin pre e provokimeve të komunistëve: “Lëvizja studentore është një lëvizje demokratike ose më drejtë, pararoja e lëvizjes demokratike në Shqipëri.

Ajo nuk synon aspak në destabilizimin e gjendjes, provokimin e akteve të dhunës, apo përleshjeve sociale. Përkundrazi, ajo ka si qëllim kryesor vendosjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri… Vetëm një Shqipëri demokratike, me qytetarë të lirë, me qytetarë që gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë e individit do mund t’u dalë zot dhe të mbrojë interesat dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ata janë”. Brenda dy orësh, kur i erdhi koha emisionit tonë të radhës, në orën 20:30, nga Tirana kishte lajme të mira: qeveria kishte ndryshuar qëndrim duke pranuar që emri i Enver Hoxhës t’i hiqej Universitetit të Tiranës, ndërsa studentët njoftuan se do t’i jepnin fund grevës së urisë. Ne transmetuam materiale që përshkruanin atmosferën festive në kryeqytet përmes intervistave me dëshmitarë. Rrëzimi i monumentit të Hoxhës çoi në një acarim të rrezikshëm të gjendjes, Shqipëria dukej se ishte shumë pranë një lufte të gjithanshme civile, dhe për disa ditë emisionet tona iu kushtuan pothuajse tërësisht mbulimit të trazirave.

Njëzeteshtatë vjet pas rrëzimit të monumentit të Hoxhës, shqiptarët ende nuk janë shkëputur nga e kaluara e tyre e errët komuniste dhe vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të dyzuar rreth figurës së Hoxhës. Mungesa e një konsensusi për figurën dhe trashëgiminë e Enver Hoxhës vazhdon të prodhojë polarizim dhe debate të pafundme.

Kujtesa e krimeve të Enver Hoxhës nuk është më pjesë e rëndësishme e debatit publik. Ajo është lënë mënjanë dhe me ikjen e brezave të vjetër, kjo kujtesë gradualisht mund të fshihet. Ndoshta kjo gjendje është pasqyrë e përpjekjeve të vështira të Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë. Sidoqoftë, mendoj së shqiptarët dhe elitat e tyre kanë një përgjegjësi morale që të përballen publikisht, të dënojnë çmenduritë e së kaluarës komuniste, dhe të përpiqen të kapërcejnë traumat e trashëguara nga regjimi i Enver Hoxhës.
Është me rëndësi që kujtesa historike të mbijetojë, në mënyrë që aspekte të asaj periudhe të tmerrshme, të mos përsëriten kurrë më!

Pjesë nga fjala e mbajtur në Konferencën “Rrëzimi i Monumentit të Enver Hoxhës në Pasqyrimin e Shtypit Ndërkombëtar”, Fondacioni Konrad Adenauer, Tiranë, 20 Shkurt 2018

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤