Dy fjalorët e një autori të jashtëzakonshëm

Kozeta Zavalani
Nuk është një titull komercial, por saktë dhe i përshtatshëm për dy fjalorët e mëdhenj “Greqisht-Shqip” dhe “Frëngjisht-Shqip” të botuar këto vitet e fundit nga shkrimtari Hysen Sinani, një autor i njohur për përkthimet dhe romanet e tij para viteve ’90, e po aq i njohur për krijimtarinë e tij letrare edhe pas demokracisë, por jo “i shquar” edhe si leksikograf, ndonëse në këtë lëmë duhet të ketë shkruar mbi dhjetë mijë faqe libri.

Pra, për këtë vëllim të madh pune, nuk është ndonjë teprim që atë ta quash punëtor të jashtëzakonshëm. Pastaj, për atë që e njeh, ai është njeri jo i zakonshëm: për thjeshtësinë, për heshtjen e tij të pashoqe, në një kohë kur mburrjet dhe vetëlavdërimet kanë arritur kulmin e psikozës së mburravecëve në një shoqëri të huruar nga shembulli i keq i politikanëve kapadainj. Por, po të merresh me këtë temë të frikshme, një shkrim për këtë qëllim do të kërkonte punë e përgatitje krejt të ndryshme nga kjo që duam të bëjmë ne: të paraqesim dy libra shumë të rëndësishëm, të cilët nuk i kemi parë as në emisionet e reklamimeve më të zakonshëm të botimeve as edhe në publikimet e gjithëfarshme facebook-ut.

I pari titullohet: “Fjalor i Greqishtes së Re – bashkëkohor, frazeologjik, me sinonime dhe antonime”, Shtëpia Botuese West Print, Tiranë 2012”.
E shfleton fjalorin dhe e shikon se ai i ka këto karakteristika që thotë në kapakun e tij. Fjalët në greqisht shpjegohen në shqip të shoqëruara me shembuj përdorimi. I numëron fjalët, sepse nuk janë shënuar në ballinë, dhe të dalin rreth 30.000 mijë. Fjalët greke nuk janë futur në kllapa të shqiptuara, siç kishte bërë po ky autor më fjalorin e tij të parë Greqisht-Shqip, të botuar dhjetë vjet më parë. Në atë kohë, nevoja e shqiptarëve për të mësuar greqishten ishte më e ngutshme, prandaj edhe shqiptimi i fjalës greke midis kllapave, ua lehtësonte përvetësimin e shpejtë. Më pas, në një fjalor më të madh e, për më tepër, frazeologjik, autori e shikon të panevojshme shqiptimin e greqishtes.

Mund të flitej gjatë për vendin që zë ky fjalor dygjuhësh, ashtu siç e ka vënë në dukje gjuhëtari Xhevat Lloshi në kohën e botimit të tij. Mirëpo, pa dashur t’i mohojmë ato vlera që mund të ketë, vëmendjen na e tërheq fjalori tjetër që, të paktën, është dy a tri herë më i madh si vëllim.
Në të vërtetë, është në çdo drejtim më i madh. Madje, është edhe botim i viteve 2018 dhe 2019. Sepse, siç e lexojmë në kapakun e pasmë, autori e ka botuar në dy tirazhe të vogla me nga 100 kopje, “duke mbledhur për çdo vit paratë e pensionit”. Por kjo është një çështje krejtësisht tjetër. Në kapakun e këtij libri shkruhet: “Fjalor Frëngjisht-Shqip – 40.000 fjalë, me shembuj dhe frazeologji të përzgjedhur, me sinonime dhe antonime”.

Shtëpia botuese “Zenit”. Njëri botim ka format të madh ose, më saktë shumë të madh, ndrsa tjetri (sigurisht më ekonomik) është zvogëluar sa gjysma e të parit dhe përsëri hyn në formatet e mëdha. Gjithashtu, edhe ky fjalor i ka të gjitha ato që tregon kapaku: ka dyzet mijë lema të përkthyera në shqip e të shpjeguara me shembuj frazeologjikë të frëngjishtes. Është nga ata fjalorë për të cilët mjafton një shfletim i rastësishëm për të kuptuar që ke të bësh me një punë të rëndë, serioze, të kulturuar, por edhe të pasionuar. Sepse pasioni është i dukshëm edhe në një punë shkencore, si te kujdesi për zgjedhjen e shembullit frazeologjik, ashtu edhe te patërtia e përkthimit të tij në gjuhën shqipe. Ndoshta kjo, hijeshia dhe rrjedhshmëria e gjuhës shqipe është gjëja më dalluese e kësaj vepre të rrallë të kohës sonë. Kjo, sigurisht, vjen nga ajo që autori është mjaft i ushtruar në fushën e përkthimeve dhe në atë të krijimtarisë letrare, si shkrimtar e përkthyes me përvojë të gjatë.

Në shënimin e autorit ku shpjegon se ç’është ky fjalor dhe kujt i duhet, midis të tjerave, lexojmë: “Një fjalor si ky, me plotërinë dhe veçanësitë që do ta karakterizonte, kishte kohë që më ngacmonte nisjen e një ndërmarrjeje për gjuhën tonë, sepse ajo ka probleme të shumta të zhvillimit. Për gjuhën frënge, e cila do të ishte baza e kësaj vepre, termat gjuhësorë janë përcaktuar me kohë edhe në format e tyre alternative…”

Pra, qëllimi i tij, me fjalë të tjera, është edhe pasurimi i gjuhës shqipe me ato fjalë që ka mundur t’i krijojë të reja, me të tjera që i ka përshtatur në shqip e ndoshta edhe me kalket që nuk besoj të jenë të pakta. Ta ketë parë thua dikush për kureshtje a janë të vërteta këto që thotë autori? Nuk e di, por kam përshtypjen se në një periudhë tranzicioni ku të gjithë janë të nxituar për të kapur trenin e tyre, asnjë krijim nuk mund të jetë me të vërtetë i vlerësuar. Nuk bëhet fjalë për krahasime me botime të ngjashme të mëparshme, të botuara në kohën kur edhe gjuhës i njihej karakteri marksist… Në këtë fjalor kemi një gjuhë pa ngarkesa ideologjike, të pastër e të qëruar nga çdo ngarkesë që vitet e punës në kooperativë ia kishin ngarkuar gjuhës së ngratë me dashje e pa dashje.

Megjithatë, për kushtimin ndaj një mundimi të tillë (pesë vjet nga 10 orë në ditë mbi kompjuter, thotë autori) të paktën duhej të kishte marrë një falenderim të vogël nga “autoritetet” të cilëve ua ka dërguar nga një kopje për dijeni të krijimit dhe për respekt, nga ata që thërrasin me të madhe sa e duan kulturën e qytetërimin tonë, e sidomos atë kulturë që nga vjen nga gjuhët e bukura të Europës. Me ironinë e tij therëse, autori përgjigjet për arsyen e kësaj mospërfilljeje kulturore se “autoritetet nuk i falenderojnë intelektualët ngaqë kanë frikë mos u kërkojnë para”, dhe qesh vetë për shpirtvogëlsinë e një administrate kaq të mjerueshme.

Po mediat, shkollat, vatrat e frankofonisë? Me sa duket edhe ato mbajnë ison e polifonisë së politikanëve.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤