Dyrnjaja: Në Top Talk nuk ka vend konformizmi e servilizmi

Gazetari Denis Dyrnjaja vjen me një sfidë të re televizive, me një emision, me një të ftuar, me një bisedë, që synon të trajtojë temën kryesore të ditës. Çdo ditë në Top Channel, Dyrnjaja vjen me Top Talk, një emision i formatit Hard Talk, ku i ftuari i vetëm vihet para pyetjeve të tij për një bisedë që nuk zgjat shumë po që tenton t’i japë të gjitha përgjigjet.

Prej pak kohësh keni marrë në dorë drejtimin e një emisioni të përditshëm në Top-Channel, si lindi Top Talk?

Top Talk lindi dhe erdhi si një risi programore së bashku me disa produksione të reja televizive në Top Channel me nisjen e sezonit të ri 2018-2019. Ishte një projekt-ide e Drejtorit të Përgjithshëm të Televizionit, z. Ben Blushi. Ai më propozoi të krijonim një hapësirë ndryshe Info-Analitike me anë të Top Talk. Natyrisht që propozimi ishte intrigues, një hap i nevojshëm dhe i pritshëm në karrierën time 20-vjeçare si gazetar në radio dhe televizion. Thashë pa mëdyshje “Po”.

Media vizive shqiptare është shumë e ngarkuar me emisione politike, a është emisioni juaj një prej tyre? Çfarë sillni ndryshe dhe çfarë audience kërkoni me bisedën në studion tuaj?

Po është vërtetë që media është e ngarkuar me emisione që kryesisht trajtojnë çështje politike. Nëse do të bëja një krahasim urban është njësoj si të mendosh se në Tiranë ka shumë restorante dhe të gjithë gatuajnë ushqim, por jo te të gjithë mund kënaqesh ose të hash mirë. Varet shumë si gatuhet dhe serviret ushqimi.

Edhe kjo çështja e emisioneve është pak a shumë e njëjtë. Varet se çfarë gatuan në hapësirën tënde mediatike dhe si e servir atë. Ne po përpiqemi të gatuajmë diçka mediatike që deri tani na rezulton se publiku e dëshiron dhe jemi në përpjekje të vazhdueshme për ta servirur sa më këndshëm dhe pa megalomani e delirancë.

Çfarë përbën një Top Talk? Çfarë kriteresh përdor për të zgjedhur të ftuarin e ditës?

Atëherë për të vijuar me metaforën e gatimit më duhet të them që ky treg këto produkte ofron. Pra me ato, duhet të krijosh një produkt të pranueshëm për interesin e publikut në radhë të parë dhe korrekt estetikisht dhe profesionalisht në radhë të dytë.

Dinamikat janë të ndryshme dhe rrjedhimisht edhe natyrat e të ftuarve. Ata janë të lidhur domosdoshmërisht me temën e ditës që është edhe thelbi i konceptimit dhe qëllimit që ka në trajtim Top Talk.

Çfarë synon biseda e Top Talk? A i përshtaten të ftuarit formatit të emisionit? Cila ka qenë biseda më e vështirë për ju?

Për mua nuk ka biseda të vështira. Ka biseda me vlerë ose me më pak vlerë varësisht nga mënyra e qasjes ndaj pyetjeve dhe temës nga i ftuari. Top Talk synon të jetë i drejtpërdrejtë me cilindo të ftuar pavarësisht statusit shoqëror dhe publik që ka ai.

Ky është një mision dhe detyrim që ka formati dhe kjo më krijon një lloj superioriteti në raport me shumë hapësira të tjera televizive ku mbizotëron konformizmi ose servilizmi i qëllimshëm. Unë nuk kam miqësi me asnjë politikan. Kam një miqësi të palëkundur me integritetin dhe të vërtetën. Ndaj në tryezën e Top Talk kryesisht jam në antagonizëm me këdo që ftohet në shërbim të së vërtetës dhe interesit publik në rastet e ballafaqimit.

Është më e lehtë të intervistosh politikanët apo të ftuar nga fusha të tjera? Cilët personazhe janë më të përshtatshëm në studion e Top Talk?

Nuk ka asnjë rëndësi statusi ose profili, e rëndësishme në një televizion është ajo që thua dhe mënyra si e thua. Në Shqipëri ka një paradoks sepse krijojnë audiencë ata që përfaqësojnë vulgaritet mendimi. Por natyrisht që në një tryezë ku mendimi thuhet troç dhe pa doreza e konformizëm më komod janë njerëzit e ditur dhe koha e realiteti kanë treguar se këta njerëz janë kryesisht jashtë politikës. Janë njerëz që vijnë nga profilet e shoqërisë civile, qytetarët e angazhuar, ose jo dhe pastaj vjen radha e politikanëve. Duhet thënë për hir të vërtetës se janë me kokrra ata që kanë elokuencë të mirë, karizëm e sharm për publikun.

Ju jeni prej kohësh në mjedisin mediatik shqiptar, sipas jush sa ka ndryshuar televizioni vitet e fundit, çfarë duhet të bëjë për të ruajtur besimin e publikut?

Si çdo gjë që ka pësuar ndryshime edhe televizioni nuk mund të mbesë jashtë këtyre ndryshimeve qoftë në formë edhe në përmbajtje. Mendoj se fillimisht duhet ta rikrijojmë ose rikonceptojmë çfarë është në interes të publikut. Sepse shpesh media e dhunon publikun me nivel ambulant dhe vulgaritetin që emeton. Shpesh publiku është më përpara edhe se vetë media në mendësi e kulturë dhe kjo ka një shkaktar; injorancën, që për fat të keq ka depërtuar thellë në tërësi në media. Nuk mjafton një tastierë, një mikrofon apo një kamera për të qenë dhe merituar statusin gazetar. Besimi është pasojë e dijes dhe kulturë. Kur të emetojmë me shumicë këto të dyja dhe të kemi ngritur nivelin në mesataren e nevojshme atëherë duhet të fillojmë të mendojmë si ta ruajmë besimin e publikut. Mendoni kemi gazetarë që lajmin e konceptojnë si copy paste.

Si do ta vlerësoni tregun mediatik sot në vend? Nëse do të duhet të rendisnit 5 probleme të tij, cilat do të ishin ato?

Të flasësh për tregun mediatik është një koncept shumë i gjerë. Besoj se i dhashë një përgjigje shteruese në parim kësaj pyetjeje pak më parë, por nëse do t’i referoheshim nënrenditjes me përmbledhje pikash do ta përkufizoja kështu. Kemi një treg mediatik

1) kaotik

2) hibrid në llojin e vet

3) me profesionalizëm të paplotë

4) integritet të munguar

5) me besueshmëri të moderuar

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤