Edlira Prendi: Zonja Kodheli, si të thotë “të lutem dhe faleminderit”

thumbs_b_c_7941fb585cfb2978f7623db506a5a7e0

Kam mbaruar studimet për gazetari në Universitetin Filologjik të Tiranës dhe më pas kam përfunduar studimet Master në Universitetin Europian të Tiranës. Eksperienca ime profesionale në fakt anon më shumë nga televizioni sesa media e shkruar, tek e cila kam punuar 2 vjet. Më pas angazhimi im ka qenë në televizionin “Ora News”, një televizion shumë impenjativ për shkak të profilit të tij vetëm me lajme, por dhe shumë shpërblyes për shkak të të qenit gjithmonë në kontakt me lajmin. Para ardhjes time te Mbrojtja, kam punuar në televizionin “Vizion Plus, tek emisioni i mëngjesit, i cili gjithashtu më ka dhënë një ndihmë të madhe lidhur me kontaktet por dhe me eksperiencën për të trajtuar dhe kuptuar edhe çështje të tjera përveç politikës, siç kishin qenë eksperiencat e mia të mëparshme.

Pse hoqët dorë nga gazetaria për të qenë Këshilltare për Media pranë zonjës Kodheli?
Unë nuk kam hequr dorë nga të bërit gazetari, asnjëherë s’kam ndërmend ta bëj këtë. Unë sërish merrem me gazetari, por në një tjetër aspekt. Tashmë unë jam hallka lidhëse mes institucionit dhe llogaridhënies për punën dhe detyrën e besuar e të ngarkuar. Largimi nga media e shkruar dhe televizioni, mendoj se ishte një veprim i mirë dhe i marrë në kohën e duhur për mua. Mendoj se për çdo gazetar do të ishte e vlefshme një eksperiencë e tillë. Të qenit edhe në krahun tjetër, jo vetëm si llogarikërkues por edhe si llogaridhënës. Përveç kësaj, për mua akoma dhe më e rëndësishme është që pata fatin e madh të jem këshilltar në këtë institucion dhe me këtë drejtues. Së pari, mësimi dhe përvoja që unë mund të marr nga shefat dhe bashkëpunëtorët e mi, të cilët kanë një eksperiencë të madhe në administratë dhe në jetën publike. Së dyti, institucioni tek i cili unë punoj, për të cilin mund të them pa frikë që është një nga institucionet lider sot në administratën shqiptare.

Si keni fituar besimin e saj, duke ditur që ky është një post mjaft konfidencial? Si është të punosh me zonjën Kodheli?
Kjo është një pyetje që e kam disi të vështirë për të mos thënë të pamundur t’i përgjigjem. Ndoshta duhej të ishte pyetur vetë ministrja për këtë, do më bënit një nder dhe mua që të kisha pak më të qartë pikat e mia të forta (shaka). Ministrja Kodheli ka besuar në mua edhe prej punës sime që kisha zhvilluar në media. Dhe me sa duket e kalova provën pasi është viti i tretë që punojmë bashkë. Unë e besoj dhe e dua punën që bëj, ndryshe nuk do isha në gjendje ta bëja.

Çfarë e karakterizon atë në punë? A është ajo një drejtuese autoritare apo tolerante? Çfarë iu karakterizon ju? Cilat janë pikat e saj të forta? Po të dobëta?
Kodheli në punë është kërkuese dhe futet në kategorinë e shefave që beson tek ekipi dhe potenciali individual i secilit nga bashkëpunëtorët e saj. Si ministre e një dikasteri të vështirë dhe që merret me menaxhimin e nevojave nga më të ndryshmet, vendimmarrja është ajo që e karakterizon më së miri znj. Kodheli. Di të jetë dëgjuese shumë e mirë, investon te zhvillimi i kapaciteteve njerëzore, niset nga dëshira e mirë për këdo dhe për gjithçka dhe ajo çfarë më ka bërë përshtypje, por jo vetëm mua besoj, është fakti që Kodheli është njeriu që thotë më shumë dhe më shpesh se secili nga ne “të lutem dhe faleminderit”. Por, ka dhe një te metë shumë të madhe, të cilën lehtësisht ia vë në dukje secili prej bashkëpunëtorëve të saj por dhe ata që e njohin. Ka një përkushtim të jashtëzakonshëm për detyrën dhe punën që bën ku, përveç menaxhimit të aseteve njerëzore dhe materiale në forcat e armatosura, kujdes të veçantë i përkushton edhe çështjeve njerëzore që prekin, qoftë edhe tërthorazi, Ministrinë e Mbrojtjes. Pa frikë mund ta them që ora 21:00 dhe e shtuna ditë pune, janë normale për të. Në këtë dikaster ke të bësh me një sërë çështjesh që duan adresim. Ky është një institucion që të ngarkon me detyrën e rëndësishme të arsimimit, trajnimit, çështjeve shëndetësore, çështjeve të sigurisë kombëtare, angazhimit shumë të rëndësishëm për emergjencat civile, ndihmën ndaj komunitetit, angazhimi dhe detyrimet që duhen plotësuar si vend anëtar i aleancës, por dhe si një nga vendet përgjegjëse për paqen dhe sigurinë në botë. Të gjitha këto përgjegjësi e bëjnë këtë institucion sa të privilegjuar aq dhe impenjativ.

A ju bindet ajo këshillave që ju i jepni, në rastet e menaxhimit të imazhit të saj apo të marrëdhënieve me mediat dhe me publikun? Çfarë vështirësish hasni ju në punën tuaj?
Po flasim për një figurë prezentë në media dhe në politikë prej më shumë se 15 vitesh. Duke pasur parasysh gjithë këtë përvojë, unë kam qëlluar me fat sepse Kodheli e di fare mirë rëndësinë e medias dhe e kupton e respekton punën e saj. Unë parimisht e kam pasur shumë të lehtë punën me të për shkak të kësaj. Forca e Armatosur në fakt ofron një shërbim të jashtëzakonshëm për komunitetin. Pikërisht kjo ka qenë kërkesa e vetme që ministrja më ka dhënë. “Bëj publik punën e djemve dhe vajzave të mrekullueshme nën uniforme, promovo secilin prej tyre, tregoi shoqërisë shqiptare që këta të rinj janë djemtë dhe vajzat që duhen të shërbejnë si model i shoqërisë tonë”. Përballë kësaj porosie, kam hasur njerëz shumë modestë që bëjnë punën e tyre dhe urrejnë të flasin për të, njerëz që janë mësuar të shërbejnë dhe ta quajnë detyrë. Vërtetë mu ka dashur shumë mund dhe kohë për të mësuar së pari njerëzit në uniformë që të promovojnë punën e tyre dhe pastaj kolegët e medias, të cilët çdo përgjigje e kërkonin nga ministrja.

A keni ju një model të cilit ju i referoheni vazhdimisht, në termat e PR politik? Ose ta themi ndryshe, a ju impresionon ndonjë politikan i huaj në mënyrën se si përdor mediat në favor të vetes? P.sh. Barack Obama?
Nuk është se kam një model të cilin e ndjek në mënyrë fanatike… Ajo që kujdesem të bëj është të respektoj ligjet universale të informimit publik. Të jemi të vërtetë, të jemi transparent dhe të mbajmë opinionin publik të informuar mbi veprimtarinë që prek drejtpërdrejt sferën e tyre të interesave.

Ç’mendoni për të folurën në publik të politikanëve shqiptarë? Mund të identifikoni një emër preferencial përveç shefes tuaj?
Vetëm një emër e kam të pamundur, ka disa emra të cilët i ndjek me dëshirë dhe jo vetëm për shkak të punës. Sigurisht që unë bashkohem me mendimin që kryeministri Rama është një njeri i cili padyshim është mjeshtër i fjalës dhe i komunikimit. Një tjetër politikan i cili më pëlqen është ministri i Energjetikës Gjiknuri, është ministri i Jashtëm Bushati. Kryetari i Bashkisë Veliaj është një tjetër politikan i cili ka krijuar profilin e tij të komunikimit publik, por edhe ish-ministrja e Integrimit Bregu.

A është aq i emancipuar politikani shqiptar për të kuptuar rëndësinë e PR në karrierën e tij, apo është ende një intertësi dhe ai vepron individualisht dhe për të roli i ‘spin doctor’ është thjesht një i punësuar?
Politikani shqiptar ka kaluar në një periudhë të madhe ndryshimi dhe perfeksionimi të figurës së tij. Kjo duke marrë shkas nga modele të huaja politikanësh. Edhe në aspektin e PR, patjetër që është bërë shumë, ka akoma vend për përmirësim, por Roma nuk u ndërtua në një ditë edhe ky është një proces dhe jo produkt. Askush nuk e sheh si detyrim punësimin e PR se ja kërkojnë të tjerët, por se mendon vetë ai i pari që është e rëndësishme të kesh një instrument që të arrish publikun.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤