Enada Hoxha,Tangoja e  fundit në  timon

 

enada2

Eksperiencën si shofere e ka nisur dhe përfunduar andej nga viti 1998, kur i pëlqente të shëtiste me miqtë natën vonë e t’i shoqëronte në shtëpi.   Që atëherë balerina Enada Hoxha  ka zgjedhur të mos e prekë më timonin. Ja përse!

 

Shpesh thuhet se të vallëzosh një tango, është si të përjetosh një histori dashurie. Lindi andej nga viti 1998 ai pasioni prej tangoje  që shkrepi menjëherë mes Enadës dhe makinës. Si të ishte në një pistë vallëzimi ajo  dinte me mjeshtëri si t’i hidhte hapat, si të bëhej njësh me timonin, si të merrte kthesat, si të rriste shpejtësinë dhe adrenalinën por duke ruajtur në të njëjtën kohë disiplinën e zhanrit. Ishte aq e zellshme  në kursin e patentës duke thyer edhe ato mendimet klishe në çështjet e praktikës se vajzat nuk ia thonë fare. Me pak fjalë ishte kursantja më e mirë.  Ende nuk e kishte një makinë të sajën, por kur dilte mbrëmjeve në grup miqsh, i merrte ajo çelësat e makinës së tyre dhe bënin xhiro të gjata nëpër Tiranën e zbrazur natën vonë.

“Që atëherë nuk e kam prekur më timonin” –e ndërpret rrëfimin që dukej se e kishte përfshirë me po aq pasion sa shumë vite më parë.

 

enada1Habinë që shkakton te bashkëbiseduesit kur i zbulon këtë fakt as ajo nuk di ta shuajë me ndonjë argumentim të prerë.

Në vitin 1999, një vit pasi kishte marrë patentën, ajo dhe Gerdi blenë makinën e tyre, por dëshira e madhe e saj  për të vozitur ishte shuar. Si të mos kishte qenë ajo që i shijonte ato xhirot e gjata kur në manovrimin e kupolës metalike ishte ajo vetë.

“Nuk e di ç ‘ndodhi por ndoshta ai vit shkëputjeje derisa ne blemë makinën tonë më  bëri të stepem. Nuk e mora më guximin ta ngas”. Me gjithë lutjet  dhe nxitjen e Gerdit ajo  preferoi që prej asaj dite të jetë pasagjere.

Thotë se nuk e ndjen aq të nevojshme ta ngasë, por që e çon shpesh nëpër mend. “Sikur të merrja çelësat tani dhe të bëja një xhiro të gjatë”. Por tundimi i venitet sërish aty për aty për t’iu ndezur sërish kur sheh vajza në timon, sidomos në makina të mëdha. “ I kam shumë qejf vajzat që ngasin makinën, sidomos kur e ngasin mirë dhe kur i sheh nga xhami duken aq të sigurta. Duken bukur femrat në makina të mëdha. U ka shumë hije”- thotë Enada duke shtuar se megjithëse nuk e konsideron veten të thekur e të dhënë pas modeleve të makinave, preferon shumë ato komodet në tip fuoristrade.

enada4“E jona është Ford C Max monovolum. Është makinë familjare, e rehatshme me të cilën ne të tre,  bëjmë shpesh udhëtime të gjata”.  Kur puna mbaron dhe sezoni mbyllet në Teatrin e Operës dhe Baletit,  ata të dy bashkë me djalin e tyre Roanin e vogël i bien rreth e përqark jo vetëm Shqipërisë, por ashtu me makinë kanë vizituar edhe shumë qytete europiane. “Edhe Roani duket shumë i dhënë pas makinës. Që tani më flet për modele të ndryshme dhe si e do ai ta ketë një makinë, çfarë ngjyre, si e do formën apo xhamat…”.  Duke pasur edhe të voglin me vete, janë të kujdesshëm të mos e shkelin pedalin për shpejtësi. “. Unë jam shumë e kujdesshme, perfeksioniste edhe kur vjen puna në timon, por  Gerdi i jep shumë mirë makinës dhe ndihem e sigurt” –zbulon Enada megjithëse episode kur i ka shkundur një dozë e mirë trembjeje, pro pa pasoja  ka pasur. “Ishte një kamion i madh që u fut keq dhe Gerdi e manovroi për mrekulli. Ama u trembëm shumë” .  Ajo që të sjell sërish në vete pas dozave të larta të adrenalinës, edhe pse të pa kërkuar, janë notat e qeta të muzikës që ata dëgjojnë kur udhëtojnë. “ Dëgjojmë muzikë të mirë, sloë, nga ato që të kënaqin veshin”.  Ndërsa ato që të mbrojnë gjatë udhëtimeve janë hajmalitë, që Enada edhe pse jo supersticioze i ka zgjedhur disa. “Mbaj një rruzare, dy  ikona  një të Shën Mërisë dhe një të Papa  Vojtilës dhe një gur turquoise, guri i muajit të lindjes së djalit, që është edhe tipik për mbrojtjen ndaj aksidenteve”- thotë ajo.

Nëse për kundër aksidenteve ka gjetur një  efekt, për përplasjet në trafik ku të gjithë janë të nervozuar dhe shfryjnë sa  të mundin, ajo përpiqet të jetë e ekuilibruar. “Duke qenë se jemi personazhe publikë nuk dua që një fjalë të keqinterpretohet apo të shndërrohet në debat. Preferoj t’i shmang. I them edhe Gerdit”.

enada3

Po kur Gerdi nuk është dhe Enadës i duhet të lëvizë vetëm?Ajo e gjen shpejt zgjidhjen. Një taksi, një kolege apo edhe xhiro të gjata më këmbë, të cilat mbeten një pasion që nuk i del kurrë nga qejfi. “Më pëlqen shumë të eci dhe bëj shpesh shëtitje të gjata më këmbë”. Po vozitjes në timon a do t’i rikthehet si dikur?  Megjithëse pohon se instinktet e mësuara në kurs vite më parë i ka ruajtur mirë, natyra e saj  perfeksioniste që di do gjërat të bëra më së miri, nuk ia lejon dot që ta ngasë jo aq mirë sa do të donte. Duket se tangoja me vozitjen ka mbaruar shumë vite më parë, fill pas fillimit të dashurisë me të. Andej nga viti ’98. Të tjera tango e presin tani si koreografe e “Dancing with the Stars”  ku  për të shkuar në prova  nga Teatri i Operës nëse  nuk është Gerdi, do gjendet me siguri ndonjë nga balerinët e trupës që do e shoqërojë. Kështu nuk ia ndjen mungesën kurrë timonit.

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤