Eni Vasili rrëfen… Unë kam vrarë!

IMG_5245

Dhjetë gra rrëfejnë jetët, krimet dhe pendesën dhe të ardhmen që kanë në mendje…në librin “Unë kam vrarë”. Eni Vasili zbulon rrugën e gjatë të të shkruarit të këtij libri, tronditjen që përjetoi për realitetin aq pranë e aq të panjohur dhe një thirrje për ata që kanë në dorë fatin e gruas dhe të shoqërisë…

IMG_5156

 

Eni Vasili

Unë kam vrarë…Për mëkatet, dhimbjen dhe gruan
Në vendin ku ajo mendonte se flinin mëkate e mëkatarë , gjeti njerëz me histori dhimbjesh e brengash. Dhjetë prej tyre i dëgjoi deri në detajet më të imta dhe vendosi ta sjellë zërin e tyre nga pas hekurave të burgut 325 në Tiranë në duart e lexuesit. Dhjetë gra rrëfejnë jetët, krimet dhe pendesën në librin “Unë kam vrarë”. Eni Vasili zbulon rrugën e gjatë të të shkruarit të këtij libri, tronditjen që përjetoi për realitetin aq pranë e aq të panjohur dhe një thirrje për ata që kanë në dorë fatin e gruas dhe të shoqërisë…

Nga Suadela Balliu

Burgu është një vend i cili sugjestionon gjithkënd edhe kur hyn si vizitor…E tillë ishte vizita e gazetares Eni Vasili të parën herë që kapërceu portën e hekurt të burgut të grave 325 në zonën e Ali Demit, në Tiranë. Një vizitore për të burgosurën Nazime Visha, e cila prej një viti vuante dënimin në ato qeli për vrasjen e burrit që e kish dhunuar qysh 14 vjeç e vazhdoi ta bënte për vite me radhë…derisa ajo ia dha fund duke e vrarë 45-vjeçarin, Fiqiri Muça. Vizitorja nuk iku pas një takimi, por u kthye e u rikthye në oborrin e atij institucioni peniteciar për t’u njohur nga afër më pesëdhjetë e pesë gratë që jetonin aty , duke dëgjuar brengat e tyre si në një dhomë rrëfimi…Një brengë që mori trajtën e një libri, të mbushur me të vërteta, hidhësia e të cilave zor se kapërdihet lehtë e që do e bënte edhe më të pandjeshmin të mos mbyllte sy për net me radhë
“Unë kam vrarë” është një akt rrëfimi për një Shqipëri që nuk e njohim, për një realitet që e injorojmë. “Unë kam vrarë” është një akt pendesë për këto gra që duke kryer veprimin më të rëndë, më të pa tolerueshëm i kanë dhënë një zgjidhje të pa duhur jetës së tyre. Ky libër është edhe marrje përgjegjësish, një akt “Mea culpa!” – kështu do të shprehej Eni Vasili gjatë promovimit të librit të saj të parë nw mjediset e hotel “Rogner” mbrëmjen e 9 Marsit.
Një libër që të sjell një këndvështrim unik, të papërsëritshë për të kuptuar disa të vërteta që mund t’i njohësh vetëm po të hysh aty brenda. “Nuk do ta kisha besuar kurrë, nëse nuk do kisha takuar Xhemilen e brishtë, të ëmblën Lule, Kenën e zgjuar, fatkeqen Hatixhe, Feruzen, Fatbardhën, Adrianën, Oriolën e shumë të tjera”.
Të gjitha këto gra kanë një tipar të përbashkët e tragjik: ato janë në burg sepse kanë vrarë.
“Unë i kam takuar të gjitha dhe kam kaluar orë të ferrshme, duke dëgjuar e përjetuar historitë e tyre, të cilat: mendova kur i dëgjova: nuk mund të mbeteshin vetëm pronë e imja, ose vetëm e dosjeve hetimore të gjykatave. Kështu lindi ideja e këtij libri, në të cilin gratë vrasëse rrëfejnë në vetë të parë jetën që kanë jetuar, krimin, pendesën, ditët e burgut dhe të ardhmen që kanë në mendje…”. Duke lexuar këtë libër, të lind pyetja, ashtu siç e përshkruan bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama…a mos vallë vrasësit e vërtetë janë spektatorët?

eni vasili (1)

Dy vjet më parë, në dhjetor të 2013 –ës ti shkruan se hyre për herë të parë në një burg të grave. Cila ishte ndjesia që pate, nëse mund ta përshkruash?
Burgu është një vend i cili sugjestionon gjithkënd edhe kur hyn si vizitor. Në fillim pata ndjeshmërinë se po i afrohesha një vendi plot mëkate e mëkatarë, një vendi ku njerëzit që e popullojnë janë poseduesit e së keqes. I jam drejtuar burgut me të njëjtin paragjykim që kanë të gjithë ata që nuk e njohim atë lloj realiteti. Jo se brenda këtij paragjykimi nuk ka të vërteta. Sigurisht që brenda burgut ka mëkatarë, njerëz që brenda vetes i kanë dhënë peshë së keqes dhe jo së drejtës e së mirës, ka kriminelë dhe fajtorë për krime të vogla e të mëdha. Por përtej kësaj aty ka njerëz, me gjithfarë historish e brengash. Dhjetë prej tyre nuk më lanë indiferente.

Nazime Visha ishte edhe arsyeja pse ti u gjende brenda atij oborri. Cili ishte perceptimi yt i parë për këtë vajzë, të njohur prej kronikave të lajmeve por që e kishe përballë në ato momente? A ndryshoi mendimi yt për të, ndërsa flisje?
Në kohën që e intervistoja, Nazime Visha ishte vetëm 20 vjeçe, e frikësuar dhe tmerruar nga mediat dhe gazetarët. Kam këmbëngulur shumë për atë intervistë. Ajo kish vendosur të mos fliste më për askënd. Ka refuzuar disa kërkesa të miat pranë drejtorisë së burgut aq sa mendova se nuk do ia arrija ta intervistoja. Si një përpjekje të fundit i kam dërguar një letër ku i shpjegoja arsyet e kësaj interviste ,nismën për faljen e saj dhe faktin se ajo intervistë kish qëllime të mira. Kështu pranoi. Kur e pyeta nëse i njihte shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli m’u përgjigj se nuk i kish dëgjuar asnjëherë, por pas letrës sime kish pyetur gardianet e burgut dhe ato i kishin shpjeguar diçka. Ishte shumë e vogël në trup, e veshur me rroba të trasha por e mardhur gjithsesi në atë dhjetor të ftohtë.
Ndërsa më tregonte për jetën e saj ku kish munguar gjithçka nisa të kuptoj se ajo vajzë-fëmijë përveçse kish vrarë, edhe e kishin vrarë për vite të tëra e ish po aq viktimë sa edhe fajtore.
…Nazime Visha, e datëlindjes 03.03.1994, ka lindur dhe ka banuar në fshatin Vilëz, komuna e Zallbastarit. Në datën 12.08.2012 qëllon me armë për vdekje shtetasin Fiqiri Muça, 45 vjeç, i martuar dhe me pesë fëmijë. Në arsyetimin e gjykatës shkruhet se babai i Nazimes punonte si druvar. Drutë që priste në mënyrë të paligjshme ia jepte për shitje shtetasit Fiqiri Muça, duke krijuar kështu edhe miqësi me të. Ky i fundit shpesh herë flinte në shtëpinë e Beqir Vishës, si i ftuar i tij. Për shkak të kësaj miqësie, ai kërkoi edhe dorën e motrës së Nazimes për të vëllanë e tij dhe filloi të qëndronte në shtëpinë e Beqirit, edhe kur i zoti i shtëpisë nuk ishte në banesë. Në njërën prej këtyre ditëve, duke e gjetur të vetme, Fiqiri Muça përdhunoi vajzën 14 vjeçare të familjes, Nazime Vishën. Abuzimet e tij kanë vazhduar për vite me radhë, sa herë që ishte mysafir dhe kur, “rastësisht”, babai i saj nuk ndodhej aty. Në fund të vitit 2011, kur Nazimeja mbushi 17 vjeç, një djalë i ri, emigrant në Itali, i kërkon të fejohet me të, pasi e rrëmben dhe e mban 10 ditë në mal, fakt që mësohet edhe nga familja e të fejuarit, çka çon në prishjen e fejesës, gjyshërit e marrin në shtëpinë e tyre vajzën, për ta mbajtur larg Fiqiri Muçës. Por, mesa duket ishte e pamundur. Fiqiri Muça vritet pak metra larg shtëpisë së gjyshes, në Kërrabë, dhe Nazime Visha pranon autorësinë e vrasjes…

eni vasili (2)

Më pas u njohe më të gjitha gratë, më saktë 55 vajzat dhe gratë që jetojnë në ato qeli të burgut 325. Si u njohe me historitë e secilës? A ishin ato të gatshme për të folur me dikë nga jashtë që kishte shkuar t’i vizitonte? Cili ishte reagimi i tyre dhe i yti për pasojë?
Kur hyja ne sektorin e regjimit të burgut 325 pas ritualit të përhershëm të kontrollit të imtë, gratë i gjeja bashkë, disa në oborr e disa në dhomat e tyre. Lajmi se dikush po hyn në regjim është për to një ngjarje pasi është diçka që ndodh rrallë. Ndërsa punoja për kompletimin me dokumentacion të dosjes për faljen e Nazimes, gratë më afroheshin kureshtare ,më pyesnin ose me drojë edhe më kërkonin gjëra të vogla që u duheshin, kush një palë syze për të punuar me grep, kush një bllok shënimesh, kush një kartë telefoni për të folur me të afërmit… Kështu filluam të bisedojmë dhe të më tregonin historitë e tyre. Pasi e përpunova me vete idenë për një fare kohe duke dëgjuar herë pas here ato histori të kobshme jete , vendosa tua propozoj. Për mua impakti me ato histori ka qenë jashtëzakonisht tronditës, por jo të gjitha e pranuan propozimin tim. Kush me friken e hakmarrjes për fëmijët që kanë jashtë, për vëllezërit apo të afërmit e tjerë, kush për shkak të mentalitetit, por edhe me dhimbjen për të mos ripërjetuar çastin tragjik. Nuk kam këmbëngulur përtej dëshirës së tyre. Thjesht i kam mirëkuptuar.

eni vasili (4)

Sa kohë të mori vajta-ardhja në burgun e grave? Pas realizimit të intervistave, ku ti nuk e fsheh se edhe të kanë ngarkuar emocionalisht dhe psikologjikisht sa kohë të mori të shkruajë librin?
I gjithë procesi ka zgjatur thuajse dy vjet dhe ka qenë i komplikuar. Pas çdo interviste ka pasur kohë të gjata që e kam pasur të vështirë të rikthehem në burg. Më është dashur shumë kohe dhe energji për te metabolizuar tronditjen, dhimbjen dhe mijëra përse-të ekzistenciale që të lënë ato histori.
Po kështu ka ndodhur edhe me procesin e shkrimit .Marrë e rimarrë një histori kisha në mënyrë të padiskutueshme nevojë të krijoja një distancë nga ngjarjet të cilat më krijonin psikologjikisht një situatë jo komode. Më është dashur të punoj psikologjikisht me veten shumë, me ndihmën edhe të mikeshës sime Arlinda Cerga, doktore shkencash në psikologji në Londër me të cilën konsultohesha pas intervistave, për të përballuar volumin e punës dhe për ta çuar librin drejt botimit. Të them të vërtetën isha krejtësisht e papërgatitur për impaktin e jashtëzakonshëm që ato histori patën te unë. Drama të skajshme njerëzore të mbushura me padrejtësi ,dhunë ,varfëri ,padije ku brenda secilës gjendej një grua ,në të gjitha rastet e vetme ,e pambrojtur e dhunuar e deformuar shpirtërisht e mendërisht e detyruar në një jetë të padëshiruar deri në aktin e fundit më tragjik ,më te kobshmin e të pa tolerueshmin. Këto histori më treguan për një Shqipëri që nuk e njihja dhe që duhej ta tregoja.
Ai oborr i vogël i Burgut 325 në Tiranë dhe 55 gratë që jetojnë në të, më dhuruan një këndvështrim unik, të papërsëritshëm, një sferë kristali për të kuptuar disa të vërteta që mund t’i njohësh vetëm po të hysh aty brenda. Nuk do ta kisha besuar kurrë, nëse nuk do kisha takuar Xhemilen e brishtë, të ëmblën Lule, Kenën e zgjuar, fatkeqen Hatixhe, Feruzen, Fatbardhën, Adrianën, Oriolën e shumë të tjera.
Të gjitha këto gra kanë një tipar të përbashkët e tragjik: ato janë në burg sepse kanë vrarë.
Unë i kam takuar të gjitha dhe kam kaluar orë të ferrshme, duke dëgjuar e përjetuar historitë e tyre, të cilat: mendova kur i dëgjova: nuk mund tëmbeteshin vetëm pronë e imja, ose vetëm e dosjeve hetimore të gjykatave. Kështu lindi ideja e këtij libri, në të cilin gratë vrasëse rrëfejnë në vetë të parë jetën që kanë jetuar, krimin, pendesën, ditët e burgut dhe të ardhmen që kanë në mendje…

eni vasili (5)

Kur i dëgjoje historitë e tyre sa vend zinte dyshimi, keqardhja, zemërata, tmerri apo edhe moskuptimi për krimet që ato kishin kryer?
Të gjitha bashkë në mënyrë të padiskutueshme kanë qenë ndjenja që me kanë shoqëruar përgjatë intervistave dhe jam munduar që t’ia përcjell edhe lexuesit. Një nga arsyet që ngjarjet tregohen në vetë të parë është pikërisht kjo. Që lexuesi ti gjykojë vetë ,të jetë ai që të zgjedhë çfarë të besojë. Çdo intervistë shoqërohet me një përmbledhje të arsyetimit dhe vendimit të gjykatave por edhe me një koment dhe përshtypje timen nga takimi me të 10 personazhet. Nëpërmjet këmbënguljes për të rindërtuar jo vetëm ngjarjen dhe çastin e krimit por edhe rrugën se si mbërritën në këtë zgjidhje tragjike kam dashur ti krijoj lexuesit të gjitha mekanizmat për të kuptuar dhe gjykuar vetë dramat që libri sjell.
…Janë 10 histori jete, 10 histori mëkati, 10 vrasje që mund të mos kishin ndodhur, që mund të ishin ndaluar. Janë 20 fate njerëzore të bashkuara në një simbiozë të mistershme deri në përjetësi, në simbiozën e ekzekutuesit dhe viktimës, ndonëse në disa prej historive që do të lexoni, do ta keni të vështirë të kuptoni kush është realisht viktima dhe kush vrasësi. Rrëfimet janë ndërtuar në formën e intervistave, jo pa qëllim. Ajo që libri merr përsipër të tregojë janë të vërtetat e të dënuarave, ngjarjet sipas tyre, përjetimet dhe interpretimet e këtyre grave në vetë të parë, pa pretenduar aspak që ato që tregojnë të jenë të vërtetat absolute. Rrëfimet shoqërohen, gjithashtu, me një përmbledhje të arsyetimit dhe të vendimit të gjykatave, për t’i dhënë lexuesit gjithë instrumentet, që të mund t’i gjykojë këto histori, po edhe për të zgjedhur të vërtetën, që mund të besojë…

eni vasili (6)

Gjatë promovimit të librit the se ky libër nuk është e vërteta absolute, por e vërteta e atyre grave. A pate ndonjëherë dyshimin se ato të burgosura mund të të manipulonin? Në kuptimin emocional e kam fjalën…
Jo, asnjëherë. Ne gazetarët ngjajmë pak me ekipet e “Delta Force” të stërvitur për çdo situatë. Eksperienca profesionale ka qenë një aset i madh ndihmës në përzgjedhjen e historive të duhura apo menaxhimin e situatave të ndryshme. Ka pasur dhe ka në libër versione të ngjarjeve, të cilat unë nuk i besoj. Këtë e them dhe përballem me të intervistuarat e mia. Por ato kanë të vërtetat e tyre. Çdokush nga ne i ka.
…Nuk ka qenë e lehtë as për të intervistuarat e mia. Në burg sundon kodi i heshtjes. Ato nuk e pyesin njëra-tjetrën përse janë aty. Shumë prej tyre e tregojnë për herë të parë përpara meje historinë e krimit, edhe pse kanë shumë vite që e vuajnë dënimin. Disa prej tyre e refuzuan intervistën pikërisht pasi ndjeheshin të paafta për të ripërjetuar tmerrin e ngjarjeve ku kishin kaluar, me shpresë se do të mund t’i ndrynin në memorie përgjithmonë. Ky që keni në duar nuk është një libër i zakonshëm. Është një libër reality, nëpërmjet të cilit mund të përgjoni jetën e familjeve shqiptare në lakuriqësinë e plotë të halleve, të problemeve dhe mundimeve të papërshkruara. Do të shihni se si pasioni, varfëria, emigracioni, injoranca marrin formën e një arme vdekjeprurëse dhe përdoren deri në skenarët e të paimagjinueshmes, deri në skaj të krimit, kur nëna vret birin e saj. Këto dhjetë gra më treguan se askush nuk është i paprekshëm nga e keqja, më treguan se si kurrë nuk e kishin përfytyruar se një ditë do nënshkruanin
mbi një letër të bardhë në një komisariat policie: “unë kam vrarë…”…

A ke bërë hulumtime shtesë përtej intervistave me to?
Kam studiuar me imtësi vendimet e gjykatave, por jo përtej tyre pasi qëllimi im nuk ishte tu bëja një gjyq të dytë por tu krijoja mundësinë të më rrëfenin për jetët e tyre. Një nga qëllimet e librit është për të krijuar një lloj identikiti të këtyre grave. Cilat janë ato, nga vijnë, ç ’fëmijëri kanë pasur ,si janë rritur, me çfarë ëndrrash kanë jetuar, çfarë dëshirash ?! Si janë martuar ,si kanë krijuar familje, çfarë mendojnë për jetën, dashurinë ,marrëdhëniet njerëzore dhe si e morën atë vendim fatal e tragjik në një moment të jetës së tyre.
Nuk je treguar as avokatja e as gjyqtarja e tyre në libër, përveçse rrëfimtarja e plotë e asaj çka ato gra të kanë besuar…E vështirë të qëndroje asnjanëse, duke qenë vetë femër?
E vështirë por e domosdoshme. Ka edhe një palë tjetër të prekur që vuan. Nuk ka një krim më të drejtë se një tjetër apo anasjelltas. Secili është i pa tolerueshëm dhe i dënueshëm .Këto gra nuk kontestojnë faktin që janë dënuar. Ato koke ulur vuajnë dënimin e tyre. Por jetët që kanë jetuar i bëjnë ato sa viktima po aq edhe fajtore. Ndonjëherë kam pyetur veten çdo të kisha bërë unë nëse do kisha pasur ato jetë dhe do isha gjendur në ato shtigje. Besoj të gjithë që do të lexojnë këtë libër do ia bëjnë vetes këtë pyetje. Ismail Kadare thotë në parathënien e librit: “Libri që kemi përpara shtjellon një nga dosjet më delikate të të gjitha kohëve : gratë vrasëse, ose më saktë, gratë që kanë vrarë. Ato janë si të tjerat, të reja, ose jo, nëna, motra, dashnore, bashkëshorte. Vetë ky kushtëzim bart me vete rrezikun e moskuptimit, të sentimentalizmit e të rënies në moralizim. Drama e këtyre grave i kapërcen kufijtë e çdo seance gjyqësore. Duam apo s’duam, ato bëjnë pjesë në kalendarin dhe në trazimin tonë të përbashkët. Dhe përtej tyre, në shpresën për t’i kapërcyer ato.”

eni vasili (8)

E quajte këtë libër një “Mea Culpa!”, të shoqërisë ndaj atyre grave. Sa pak optikë kemi ne njerëzit që jetojmë brenda unazës së Tiranës për atë çka ngjet përtej këtij rrethimi “modern apo të civilizuar” le ta quajmë?
Unë jam e para që bëj një “Mea Culpa!”. Mea Culpa që nuk i kam njohur dhe treguar më parë këto histori. Kjo mungesë më bën të ndihem sikur kam gisht në ato ngjarje. Të gjithë me indiferencën tonë kemi gisht në ato vrasje. Nëse shoqëria, shteti do kish qenë aty ,në vendin e vet duke bërë detyrën , ato krime ndoshta nuk do të kryheshin. Të gjithë jemi përgjegjës dhe fajtorë.

Jemi në muajin mars, libri yt u promovua një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Gruas- 8 Marsit, si e sheh situatën e gruas në Shqipëri, parë edhe në syrin e njeriut të medias?
Përveç unazës së Tiranës ku gratë janë politikane, gazetare ,CEO dhe gjithçka tjetër ndodhet Shqipëria e këtij libri që dhunon gruan jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht e shpirtërisht duke e detyruar të jetojë duke besuar se është një qenie inferiore.

Unë kam vrarë- një titull që godet, një dalje hapur apo “coming out” e atyre grave dhe vajzave që duket se nuk kanë më ç ‘humbin, pasi kanë humbur atë çka njeriu ka më të shtrenjtë- lirinë- A është një lloj katarsis, për vetë ato gra, por edhe për gratë e burrat e shoqërisë që marrin në duar këtë libër ? A do të ishte me më pak probleme shoqëria jonë, sikur të gjithë të dilnin hapur me deklarata si : kam vrarë, kam vjedhur, kam dhunuar, kam përdhunuar…?
Kjo do të ishte pak idealiste si pritshmëri. Do më mjaftonte të dija që ky libër do i shërbejë krijimit të vetëdijes se ajo Shqipëri për të cilën flitet aty ekziston vërtet dhe mund ta ndryshojmë vetëm ne. Zonja Linda Rama ,bashkëshortja e kryeministrit ka lënë në pasthënie një nga sintezat më perfekte, një paragraf që konturon në pak fjalë problemin e vërtetë duke i vajtur çështjes në nerv me një saktësi dhe precizion të rrallë” Një libër që rifillon aty ku mbaron leximi. Dhe të mban lidhur si një ëndërr prej së cilës nuk arrin dot të shkëputesh. Një grup portretesh që letërsia nuk do t’i mblidhte dot bashkë në një libër ku realiteti sfidon letërsinë. Dhe krimi sfidon moralin prej te cilit nuk mbrohesh dot. Një skene krimesh ku kush ka vrare plotëson thuajse çdo kusht për t’u respektuar si viktime dhe kush është vrare e ka thuajse të pamundur të mos shihet si fajtor. Dhe në leximin e rifilluar që vazhdon, zgjatet hija e një pikëpyetjeje prej së cilës është në çdo faqe e më e pamundur të shqitesh dot: A mos vallë vrasësit e vërtetë janë spektatorët?”

Si e sheh si grua, por edhe si profesioniste në karrierë pozicionin e femrës në Shqipëri? Pse ka kaq dhunë verbale, psikologjike, fizike ndaj grave dhe vajzave në këtë vend?
Në parathënien e librit Ismail Kadare hedh tezat e tij për çështjen dhe analizon thellë edhe në rrafshin historik këtë qasje të vështirë ndaj gruas në Shqipëri. Mendoj se gratë të parat duhet të ndalojnë së duruari dhe besuari se dhunën e meritojnë. Si nëna duhet tua mësojnë këtë vajzave të tyre.

Flasin shumë , por në fund askush nuk bën asgjë për ta ndryshuar këtë situatë të gruas në vendin tonë. Ju sollët një produkt konkret, një libër, një pasqyrë e realitetit që nuk njohim ose kinse bëjmë sikur nuk e njohim. Ka pak nga ata intelektualë dhe figura të shquara që përfshihen, si në rastin e shkrimtarit Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe një sërë emrash të tjerë, siç ishin nismëtarët e kërkesës për faljen e Nazime Vishës. A ka pasur intelektualë të tjerë që i janë bashkuar kërkesës gjatë rrugës, pasi u bë publike në “Studio e hapur”? Në syrin tënd a mendon se ligji duhet të tregohet më i butë me këto gra- edhe pse kanë kryer vrasje?
Një grup prej 12 gazetarësh, ndër më të njohurit në atë kohë i drejtoi presidentit një letër të hapur , por asnjë përgjigje nuk u mor në atë rast. Shumë të tjerë ,politologë ,shkrimtarë ,psikologë profesorë universitetesh e të tjera personalitete i dolën krah kauzës nëpërmjet shkrimeve apo daljeve publike. Presidenti nuk po përgjigjet për fat të keq as tani pasi nismën e rinxori në skenë edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Shpresoj që kreu i shtetit të japë një përgjigje sa më shpejt, pasi opinioni publik është në pritje. Sa i takon ligjit ,në konceptin tim ligji nuk duhet të jetë më i butë por më i drejtë. Këto gra ,bartëse të disa historive tipike për realitetin shqiptar duhet të trajtohen përpara gjykatës edhe si viktima përveçse si fajtore.

Nga duhet nisur ndërgjegjësimi dhe fuqizimi i gruas në Shqipëri?
Nga vetë gratë .Nga vetëdija se meritojnë gjithçka që ëndërrojnë dhe se jetën nuk ia kanë borxh asnjë burri.

eni vasili (3)

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤