Faik Konica: Gjuha dhe letërsia shqipe

Pjesë nga libri “SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE”, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht: Ferdinand Leka

Nga Faik Konica
Gjuha që flasin shqiptarët është një gjuhë e vjetër, origjinale, për të cilën disa janë shprehur se është më e lashta në Evropë. Nuk ka asgjë të mistershme në lidhje me gjuhën shqipe. Por gjuhësia, si shkencë është ende shumë e re; përpara se të njihej kjo dituri, të gjitha ato që thuheshin për gjuhët ishin më tepër supozime. Kështu, edhe në librat e dorës së dytë, të shkruar, më të shumtën, nga diletantë të zgjuar, por të informuar keq, vazhdojnë të përsëriten mendime të gabuara, nga të cilat duhet të ruhet lexuesi me kulturë. Gjuha shqipe është studiuar me hollësi, për vite me radhë, dhe është klasifikuar përfundimisht nga dijetarët kompetentë. Shqipja është një gjuhë indogjermane. Kjo nuk do të thotë që shqipja është një përzierje e indishtes me gjermanishten, siç pata dëgjuar një herë të thoshte një zonjë. Gjuhë indogjermane ose indoevropiane (në shekullin e nëntëmbëdhjetë është përdorur edhe fjala “ariane”) është emërtimi i një grupi prej dhjetë gjuhësh motra, ku përfshiheshin, indishtja e vjetër ose sanskritishtja, iranishtja, armenishtja, sllavishtja, baltishtja ose leto-lituanishtja, prusishtja e vjetër, shqipja, latinishtja, greqishtja, keltishtja dhe gjermanishtja. Dhe, meqë do të ishte e vështirë dhe punë tepër e gjatë të përdorej një fjalë e vetme për të treguar këto dhjetë gjuhë njëherësh, dijetarët kanë marrë emrat e dy skajeve të vargut dhe kanë krijuar fjalën e sipërtreguar, e cila përfshin në vetvete edhe tetë gjuhët e tjera.

Nuk kemi dialekte të mirëfillta në gjuhën shqipe. Sikundër e ka deklaruar një autoritet i lartë në filologjinë indogjermane, Dr. Holger Pedersen, profesor në Universitetin e Kopenhagës “shqipja është një gjuhë e vetme, po të përjashtohen disa ndryshime të vogla dialektore”.

Ndryshimet dialektore kryesore janë pesë. Në disa fjalë, në vend të r–së së toskërishtes, gegërishtja ka n–në: vura dhe vuna; ë në Jug bëhet â në Veri: zë dhe za; në disa fjalë dëgjohet h në Jug dhe f në Veri; shoh dhe shof; në Jug vërehet nganjëherë ajo dukuri, që latinisht e quajnë “disimilim”, kurse në veri vërehet “asimilimi”: këndoj dhe k-(ë) noj (krahaso latinishten adfero dhe affero). Në veri e shqiptojnë më shkurt fundin e disa fjalëve, kurse në Jug në një trajtë më të plotë (p.sh. kam pa dhe kam parë.) Në një krahinë të Jugut (Labëri) shqiptojnë i në vend të v: ata thonë si e jo sy. Në një krahinë tjetër të Jugut (Zagori) shqiptojnë v në vend të i: p.sh. shpyrt në vend të shpirt. Në dy krahina të veriut, në Mat dhe në Mirditë i-në shpeshherë e shqiptojnë si ai; kështu ata thonë maik, kurse kudo gjetiu, në Shqipëri, thuhet mik. Më në fund, në krahinën jugore të Kurveleshit, qendër e së cilës është qyteti i vogël Bënçë, përdorin trajtën arkaike kat, në vend të ka, si i gjithë vendi (për vetën e tretë të foljes kam). Këto janë, në vija të përgjithshme, ndryshimet dialektore. Por, duhet shtuar, se intonacioni shpeshherë ndryshon shumë nga njëra krahinë në tjetrën.

Një gjë që i ngatërron të huajt janë trajtat e ndryshme të emrave të vendeve; edhe unë vetë kam pyetur më se një herë; cila është trajta korrekte, Berat apo Berati? Tiranë apo Tirana? Ashtu si dhe disa gjuhë të tjera, si rumanishtja dhe suedishtja, shqipja e vë nyjën shquese në fund të fjalës (plak-plaku; mal-mali; derë dera; krye-kryet). Në gjuhën shqipe edhe emrat e përveçëm marrin nyjë shquese; kështu kemi Leskovik, dhe me nyjë Leskoviku, Berat dhe Berati, Tiranë dhe Tirana. Të dyja trajtat janë korrekte dhe përdoren sipas vendit që zënë në fjali. Është krijuar një pështjellim jo i vogël për faktin se në hartat e Shqipërisë, të botuara në vende të ndryshme, nuk është caktuar një sistem i qëndrueshëm për t’i shënuar emrat e vendeve me ose pa nyjë në fund; kështu disa emra janë dhënë me nyjë dhe disa të tjerë pa të. Një përjashtim i shkëlqyer është harta e Shqipërisë, e botuar në vitin 1928 nga hartografi gjerman Dr. Herbert Louis, të cilin e kemi përmendur edhe më parë në kapitujt e këtij libri, dhe që ka përgatitur të vetmen hartë shkencore të vendit. Në këtë hartë të gjithë emrat e vendeve janë dhënë pa nyjë shquese.

Në veshin e çdo njeriu gjuha amtare tingëllon me ëmbëlsi. Por shqipja, duket se ka tërhequr edhe popujt e tjerë. Sir Edwin Pears, një burrë anglez si qëmoti, i cili kishte jetuar dyzet vjet në Stamboll, dhe kishte vizituar anekënd Perandorinë Otomane, shkruan për shqiptarët: “Në mes të shqiptarëve takon koka të bukura, që të kujtojnë ato të Greqisë klasike. Të gjithë flasin gjuhën shqipe, me disa veçori dialektore në Veri dhe në Jug. Në të dy format është një gjuhë e këndshme për t’u dëgjuar”.

Disa vjet më parë, pasi mbajta një leksion në gjuhën shqipe në qendrën e Y.M.C.A.-së (Shoqata kristiane e rinisë mashkullore) të Xheimstaunit (Niujork), në favor të shqiptarëve të shumtë që banojnë në atë qytet, më ndaloi një zonjë amerikane, e cila kishte qenë e pranishme, dhe më tha se nga të gjitha gjuhët e huaja që ajo kishte pasur rastin të dëgjonte, shqipja dhe suedishtja, i ishin dukur më të butat dhe më të këndshmet për veshin. Njeriu mund të krijojë një përshtypje tjetër, kur e shikon të shkruar gjuhën shqipe; por kjo rrjedh nga nevoja për të paraqitur të gjitha nuancat fonetike, që kërkon drejtshkrimi i ndërlikuar modern; kjo bën që fjalët të duken shpeshherë të ngatërruara dhe jo të pëlqyeshme për syrin.

II

Ka pasur një letërsi shqipe që në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë. Kemi një dokument historik të dorës së parë që na dëshmon këtë fakt. Në vitin 1332, murgu gjerman (sic!) Brochard, në një libër kushtuar Filipit të Valuasë (Valois), mbretit të Francës, dëshmon për ekzistencën e kësaj letërsie në gjuhën shqipe. Ai shënon gjithashtu se “Shqiptarët, megjithëse kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve, prapëseprapë përdorin alfabetin latin në të gjithë librat e tyre”.

Dhe gëzon besim të plotë pohimi i Atë Brokardit ose i Brocardus Teutonicus, siç e quajnë atë kronikat latine.

“Si shkrimtar” – na thotë një dijetar frëng – “Brokardi shpesh na paraqitet më tepër si barbar; ai është një murg, dhe murg i pashkollë. Si udhëtar ai ka qenë më me fat. rrethanat në të cilat u gjend, e detyruan të vëzhgonte mirë përreth; dhe shpirti vrojtues, dashuria për të vërtetën, ia ngrenë lart autoritetin… Si rezultat kemi një përmbledhje dokumentesh autentike historie dhe gjeografie”.

Vetë Brokardi mburret se “ai shkruan për gjëra të cilat më tepër i ka sprovuar dhe i ka parë vetë se sa i ka dëgjuar”.

Benediktinët, të cilët në fillim të mesjetës ishin i vetmi urdhër murgjish në Shqipëri, në shekullin e trembëdhjetë u zëvendësuan nga domenikanët. Atë Brokardi, si anëtar i këtij urdhri, kishte lidhje të mira me Shqipërinë, të cilën mund ta ketë vizituar më se një herë. Libri i tij shtron një problem me interes. Nëse në vitin 1332 ekzistonte një letërsi shqipe, nënkuptohet se gjuha do të ketë filluar të shkruhej shumë më parë. duhet të kalojnë disa vjet të mira nga përhapja e alfabetit deri te zhvillimi i letërsisë. Ndokush mund të çuditet sa herët paska filluar të shkruhet shqipja. Në shkurt të vitit 1272 Karli Anzhu, vëllai më i vogël i Shën Luisit, mbretit të Francës, u zgjodh mbret i Shqipërisë; për të organizuar mbretërinë e re, ai dërgoi në Durrës si mëkëmbës të vetin një fisnik të quajtur Gazon Deshinar (Gazion D’Echinard). Mund të supozohet që Eshinari, kur e pa se gjendej në një vend që e kishte gjuhën e vet kombëtare, por nuk e shkruante, mund të ketë ndeshur në vështirësi në punë të qeverisjes dhe mund të ketë propozuar që të merreshin masa për të filluar shkrimin në gjuhën e vendit. Në një rast të tillë duhet menduar se shqipja ka filluar të shkruhet aty nga viti 1273. Por të çudit fakti se si në një kohë më të vonë, fare të afërme me këtë datë, gjejmë një letërsi kombëtare. Në fakt i nevojitej një kohë më e gjatë për një zhvillim të tillë.

Unë jam i prirë për ta vendosur fillimin e shkrimit të shqipes para ardhjes së Karlit Anzhu, që në kohën e Hehenshtaufenve, e madje disa breza para periudhës së normanëve. Dijetari kroat Emilianus de Sufflay, njeriu që e ka njohur më mirë se kushdo tjetër Shqipërinë e mesjetës, ka shprehur mendimin se në atë periudhë të historisë së vet Shqipëria nuk ishte prapa, në krahasim me vendet e tjera të Evropës, si nga mënyra e jetesës ashtu dhe nga përparimi i përgjithshëm. Vendi ishte më tepër një zgjatje kulturore dhe tregtare e Italisë se sa një krahinë nën ndikimin e Bizantit.

Në shekullin e dymbëdhjetë, italishtja popullore, “il volgare”, nisi ta afirmonte veten me druajtje, para latinishtes. Asaj periudhe i përket monumenti i parë letrar i njohur në gjuhën italiane “Kënga e një poeti endacak toskan”. Pasi çdo gjë që ndodhet në Itali, ishte destinuar të kishte jehonën e vet, herët a vonë, edhe në Shqipëri, lejohet të besohet që ideja për ta shkruar gjuhën amtare mund t’u ketë ardhur shqiptarëve nga Italia, aty nga fundi i shekullit të dymbëdhjetë. Përgjigjja përfundimtare për këtë çështje do të merret ndoshta një ditë nga arkivat e Vatikanit ose nga kujtimet, ende të pazbuluara, të benediktinëve ose të domenikanëve të asaj kohe.

Cila ishte përmbajtja e asaj letërsie të hershme shqiptare, është e pamundur të thuhet. Megjithatë, mund të bëjmë një ose dy supozime në këtë drejtim. Mund të kenë qenë poema dhe tregime kalorësiake, e më tepër koleksione anekdotash, sipas modelit origjinal italian “Njëqind novela të lashta” (Cento novelle antiche), por sigurisht vendin e parë do ta kenë zënë librat me karakter fetar, dhe për këtë supozim të fundit kemi ku të mbështetemi. Në atë kohë laiku shqiptar dinte fare pak të shkruante e të lexonte; nuk e ndiente aq shumë nevojën e letërsisë, dhe këtu biem në kundërshtim me pohimin e Lordit Brautën (Broughton), i cili ka thënë, në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë se “po të pozonte një shqiptar për portretin e vet, do të dëshironte ta vizatonin, ashtu si Grihtonin (Grichton), me shpatën në njërën dorë dhe me librin në tjetrën”. Autorët e librave në gjuhën shqipe, të botuar në shekujt e gjashtëmbëdhjetë e shtatëmbëdhjetë, kanë qenë priftërinj, dhe të gjithë këta libra, me përjashtim të një Fjalori, të shtypur më 1635, kanë karakter fetar. Duhet përmendur fakti se të gjithë këta autorë bëjnë fjalë për dorëshkrime të vjetra, që i kanë pasur në zotërim. Këto dorëshkrime të letërsisë së hershme kanë qëndruar deri sa krishterimi ishte i fortë numerikisht dhe u zhdukën vetëm pas islamizimit në masë të vendit, në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Edhe kjo është një provë tjetër për karakterin kristian të atyre dorëshkrimeve. Duhet të presim në shekullin e tetëmbëdhjetë për të pasur një libër me merita letrare. Kjo është një “Jetë e Shën Mërisë”, vepër e shkruar në vargje nga Jul Variboba, një prift shqiptar nga Sicilia. Megjithëse unë nuk jam i një mendimi me dijetarin e shquar gjerman, Gustav Majerin, i cili e quan Varibobën “një klasik”, e pranoj se poema ka freski dhe hijeshi; por shpeshherë vargjet e saj të kujtojnë poezinë makaronike dhe kjo e dëmton veprën. Në të njëjtën periudhë me Varibobën jetonte në Shqipëri edhe një poet tjetër me karakter krejt të ndryshëm. Ai është autor epigramesh zbavitëse, por në përgjithësi me një gjuhë të shthurur, dhe i një poeme me titull “Nata e parë e nuses”, mjaft e bukur nga forma, por tepër licencioze nga përmbajtja. Veprat e Zyko Kamberit nuk janë botuar asnjëherë, mbasi kishin karakter fyes. Përshtatja, më poshtë, e një epigrami të famshëm, që zihet në gojë shpesh në Shqipëri, do të na japë një ide për stilin e tij.

Do të të hedh në hale, ty o ar qorr,

Se reshperëve të rinj u dhe nam e fodullëk.

Në shekullin e nëntëmbëdhjetë shohim një ringjallje të gjuhës kombëtare, por njëkohësisht shtohen edhe ndjekjet e autoriteteve turke kundër kësaj lëvizjeje, mbasi Sulltani e dinte nga përvoja se kultura është një armë e rrezikshme. Një njeri, të cilit i gjendej një çfarëdo libri në gjuhën shqipe, qoftë dhe një gramatikë e zakonshme, arrestohej në vend, i viheshin prangat dhe pastaj dënohej me vdekje ose mërgohej në një provincë të largët të Azisë ose të Afrikës dhe lihej ta kalonte aty pjesën tjetër të jetës. Pa marrë parasysh gjithë këto pengesa, u krijuan shoqëri, jashtë shtetit, dhe një shumicë librash u futën në Shqipëri nga Italia, Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Egjipti. Por ato ishin vepra patriotike, të shkruara në një prozë anemike dhe plot me retorikë të zbrazët. Bënin përjashtim dy veta. Një studiues nga Elbasani, Kostandin Kristoforidhi, bëri nji përkthim të bukur, në një shqipe të fuqishme, të Testamentit të Ri dhe të Psalmeve (ai, megjithëse nga çdo pikëpamje ishte njeri i ndershëm, këtu u tregua i pasinqertë, si intelektual, kur thotë se psalmet i ka përkthyer drejtpërdrejt nga hebraishtja, kurse nga krahasimi në mes të tekstit hebraisht me atë greqisht, del se i ka përkthyer nga Septuaginti.) Ai është, gjithashtu, autor i një fjalori monumental shqip-greqisht, një vepër për të cilën thuhet se ka punuar dyzet vjet dhe që konsiderohet si kontribut i tij më i madh për zhvillimin e gjuhës shqipe.

Në vitin 1879 doli në Aleksandri të Egjiptit “Bleta Shqiptare”, një përmbledhje këngësh popullore tradicionale, të botuara nga Thimi Nmitko. Kjo është një vepër e ngjashme me “Reliques of Ancient Englisht Poetry” të Persit (Percy) ose me “Des Knaben Wunderhom” të Arnim-it.

Në shekullin e njëzetë kemi një seri veprash, të cilat mund të quhen me të vërtetë letrare, në se me fjalën letërsi ne kuptojmë një përzgjedhje artistike fjalësh, që ka për qëllim të shprehë mendime dhe ndjenja. Do të përmend para të gjithëve Gjergj Fishtën, një françeskan i lindur në Zadrimë, i cili nuk është vetëm poet; ai, gjatë një të katërt shekulli, ka qenë një udhëheqës intelektual me influencë. Atë Fishta e ka treguar zotësinë e vet në çdo lëmë të letërsisë; ai ka shkruar poema, komedi, dhe të gjitha i kanë dalë me sukses. Por, jashtë kufijve të Shqipërisë, ai njihet vetëm si autor i “Lahutës së Malësisë”, një poemë baritore kalorësiake. Përkthimi në gjermanisht, i botuar disa vjet më parë në Laipcig, të jep vetëm një ide të zbehtë të origjinalit, sepse muzikaliteti i ritmit të Fishtës dhe koloriti i fjalëve janë të papërkthyeshëm.

Një shkrimtar nga Jugu, Andon Zako, në një libër me titull “Baba Tomori” (Tomori është mali më i lartë i Shqipërisë), ka përmbledhur disa poezi lirike të vetat. Kur shkruan për bariun që i bie fyellit pas stuhisë ose kur bie në mendime rreth shkurtësisë së jetës dhe pamundësisë për të shmangur vdekjen, vargjet e tij të bëjnë për vete me ëmbëlsinë e ritmit të tyre. Zakoja, që ishte i pasur, i kaloi ditët e fundit të jetës në Heliopolis të Egjiptit, në vetminë e një vile, pa njerëz të tjerë të afërm veç një dashnoreje dhe në mes të librave të vet. Është thënë se ishte dhënë pas opiumit, por kjo dobësi nuk duket në vargjet e tij; po të jetë e vërtetë, atëherë e ka një shpjegim ai malli i pandërprerë e plot pasion për freskinë baritore të ditëve të kaluara në malet e Shqipërisë. krahas veprave të tjera, Zakoja ka botuar edhe një përkthim në vargje të përrallave të Lafontenit; kjo vepër ka rëndësi, meqë fjalët shqipe u përgjigjen shumë bukur fjalëve dhe shprehjeve të frëngjishtes; nuk janë përdorur fare neologjizmat. Përkthimi i Zakos na bind se çfarë aftësish shprehëse arrin gjuha shqipe, kur përdoret nga një shkrimtar i zoti. Kur vdiq, më 1930, ai la disa dorëshkrime, në mes tyre ndoshta edhe një dramë në vargje. Ai ma kishte dërguar dorëshkrimin e kësaj pjese pak vjet para Luftës Botërore, me lutje që t’i jepja mendimin tim dhe t’i bëja ndonjë kritikë. Unë e lexova me vëmendje dhe ia ktheva, duke ia lavdëruar dhe duke e këshilluar për disa ndryshime. Do të ishte dëm nëse ai e ka zhdukur dorëshkrimin, duke u dhënë rëndësi të tepruar vërejtjeve të mia.

Në Egjipt rron ende edhe një plak tjetër shqiptar nga Veriu, Filip Shiroka, i cili nën pseudonimin Geg Postripa, ka botuar në revistën “Albania” (Bruksel 1897-1904) një seri sonetesh të kumbueshëm, që e meritojnë të botohen në një libër më vete.

Nga brezi i ri meriton të përmendet Ernest Koliqi, i cili tani jhep mësime të gjuhës shqipe në Universitetin e Romës. Ai ka botuar novelat “Hija e Maleve” dhe një vëllim me poezi, ku duket vula e origjinalitetit si në ndjenja ashtu dhe në ritëm.

Atë Vinçenc Prendushi, françeskan, është autori i një libri me poezi magjepsëse, me titull “Gjethe e Lule”.

Në vitin 1908 Spiro Dine botoi në Bullgari veprën “Valët e Detit”, një përmbledhje këngësh e tregimesh popullore shqiptare. I lindur në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë në Vithkuq, një fshat në Jug të Shqipërisë, Dine emigroi në Egjipt që në moshë të re dhe aty u bashkua me atdhetarët e tjerë shqiptarë që punonin për ringjalljen e gjuhës kombëtare.

Pa dyshim, shkrimtari i parë i Shqipërisë së re është Hirësia e Tij, Peshkop Fan. S. Noli, reformues i Kishës, orator, udhëheqës politik, kompozitor dhe njeri me talent të shumanshëm, i cili ka botuar, të përkthyera në gjuhën shqipe, shumë drama të Shekspirit, “Korbin” e Poe-s, në të njëjtin metër me origjinalin, dhe Rubairat e Omar Kajamit. Ka shqipëruar gjithashtu dramat e Ibsenit, “Armiku i Popullit” dhe “Zonja Ingra nga Ostroti”, “Don Kishotin” e Servantesit. Vepra prej dijetari “Historia e Skënderbeut”, e botuar më 1921, është puna e tij më e rëndësishme. Po i lë jashtë shumë emra, pasi thirrjet dhe retorika e zbrazët, nuk kanë të bëjnë me artin. Sa për kontributin tim vetjak në lëvizjen letrare të Shqipërisë, natyrisht, nuk mund të them asgjë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤