Gratë nuk ju detyrohen asgjë !

gallery

Mund të jenë trupmëdha  si të Rubens, delikate si të Renoir, hyjnore si të Boticcelli-t, të çliruara prej turpit si të Modigliani-t, kubike si të Duchamp-it apo mbipeshë si të Lucien Freud…Ose melankolike si skulpturat e Bajos, në shpërthim jete të trëndafiltë si në disa prej pikturave  të Velos apo prej akulli si në fotografinë e Fahredin Spahisë…

Të zhveshura nga syri i artistit e  të krijuara prej duarve të tyre në magjinë e kurmit të lakuriqtë, harkimet femërore prej shekujsh hipnotizojnë dhe yshtin më shumë kërshëri për të  gjetur misterin e përsosmërisë së Krijuesit, qofshin perëndesha të pjellorisë apo vasha në shpërthim të seksualitetit , gra, dashnore, prostituta  apo aristokrate.

Subjekt i tërheqjes artistike ( ku epshet nuk kanë si mbeten jashtë, edhe pse kapërcehen prej një dëshire më të epërme ), edhe kur historia e njerëzimit ka folur për epoka konservatore, patriarkale, me ndrydhjen e gruas apo të parit të saj si objekt, prej duarve të mjeshtërve të artit botëror jo vetëm janë përjetësuar dhe adhuruar, por kanë shënuar edhe gurë miljesh në emancipimin e shoqërisë…

Por mund të jenë edhe si Vera Tota apo Lumturie Xhilaj, dy gra që shkonin ekzistencën e tyre të thjeshtë e me halle, derisa duart e dy meshkujve vendosën t’ua mbyllin jetën. Nuk janë vetëm kaq, por janë më të fundit që e takuan vdekjen prej dhunës në familje.

Për to dhe shumë të tjera që dhunohen çdo ditë, aktivistja nga Shkodra Brigela Demaj organizoi një protestë, me shpresën se si ajo do të vendosin të mos heshtin më edhe shumë bashkëqytetarë të tjerë.

Por mund të jenë edhe si Elona Gjebrea, ish-zëvendësministre e Brendshme dhe e para  në listën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e  25 qershorit , e cila prej vitesh lufton kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Gjatë punës së saj ka takuar shumë gra e vajza viktima,  biseda me cilat shpesh bëhet e vështirë për shkak të tmerreve që secila prej tyre ka kaluar dhe inkurajimi për të lënë të shkuarën pas e për të parë drejt një jete të re, duhet të ketë baza konkrete, në formën e një dore që u shtrihet. 

Aty ku çështjet gjinore, në terma përfaqësimi, janë gjithnjë në diskutim, Gjebrea premton së zëri i saj do të jetë zëri që do të përfaqësojë gratë e pamundura, gratë që kërkojnë një jetë të mirë, që janë gra dhe duhet të përfaqësojnë anën më të bukur të shoqërisë, që jo gjithmonë është kështu…

Gratë nuk ju detyrohen asgjë!, shkruante në pankartën  me të cilën marshonte e reja Demaj, e angazhuar në luftën mbi të drejtat e njeriut e kryesisht të gruas, që në  Shqipërinë e  2017 –ës, vazhdojnë të shkelen e të nëpërkëmben prej burrash që mendojnë se  gratë u detyrohen edhe për ekzistencën. Ashtu siç thotë Maks Velo, natyra i ka mashtruar rëndë meshkujt, duke i bërë të mendojnë se janë superiorë. Asgjë për t’u veneruar, veçse për t’u  respektuar.

Gratë nuk ju detyrohen asgjë, përveçse u detyrohemi; mrekullinë e krijimit dhe bukurinë e kulluar, të derdhur në art.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤