Ina Gjonçi: Nuk do bëja kurrë diçka tek e cila nuk besoj

Ajo është një aktore që ka krijuar tashmë imazhin e saj te publiku përmes artit unik dhe të drejtpërdrejtë. Pasioni i saj i hershëm për leximin dhe interpretimin, e udhëhoqi drejt një profesioni që ka rezultuar të jetë i suksesshëm dhe që është përqafuar qysh në fillim prej adhuruesve të artit skenik. Ina Gjonçi nuk është thjesht një aktore teatri, por di të bëjë shumë mirë edhe skenaristen, sepse dëshira për të shkruar ka qenë gjatë gjithë kohës, pjesë e pandarë e rrugëtimit artistik të saj.

Së fundmi, ajo ka interpretuar në teatër monodramën që mban titullin “Letër fëmijës që nuk u lind kurrë”, një vepër që trajton çështjen e mëmësisë dhe abortit, por që njëkohësisht përcjell mesazhe dhe perceptime mbi dyshimet e grave për të sjellë fëmijën në jetë. Dhe në fund të ditës, pas skenës qëndron një Ina, të cilën ne e kemi intervistuar, për të kuptuar më tepër mbi gjërat dhe aktivitetet që mbushin jetën e saj.

Bisedoi: Antonela Bregu

Çfarë e dallon Ina Gjonçin si aktore dhe si femër, pra në skenë dhe në jetë?

Nuk ma kishte bërë kush këtë pyetje në fakt, e po më gjen ca të papërgatitur. Mendoj që janë dy dimensione që bashkëjetojnë krejt natyrshëm tek unë. Ne shfaqjen e Fallacit them: “Aktore do të thotë të gënjesh në skenë duke thënë të vërtetën”. Më konkretisht, ka role ku e gjej shumë veten e të tjera ku e gjej më pak.

Çfarë e ka nxitur te ju dashurinë për aktrimin?

Kur isha fëmijë ndryshoja çdo ditë mendimin mbi atë se çfarë do bëhesha kur të rritesha. Kohë më vonë kuptova që, në fakt ishte pikërisht ndryshimi ai që më pëlqente: të qenit një ditë doktoreshë e një ditë agjente e CIA-s për shembull (më pëlqenin këto sajesa). Diku nga klasa e shtatë, në bibliotekën e pasur të kolegjit të murgeshave ku studioja (shkollë laike, të kuptohemi), më ra në dorë “Ditari i Ana Frank” dhe vendosa menjëherë ta dramatizoja duke e shndërruar në një shfaqje teatri. E ja…suksesi im i parë.

Cili është opinioni juaj lidhur me artin skenik në Shqipëri? Po qëndrimi juaj lidhur me çështjen e shumëpërfolur të teatrit?

Arti skenik në Shqipëri… Është aq e përgjithshme kjo temë. Mendoj që do një ndryshim që nis që në Akademi, për të formuar artistë më të guximshëm, ose në të kundërt, një qasje e studentëve me shkolla e akademi të huaja për të ‘vjedhur’ sa më shumë. Mungon ‘individualiteti’ dhe kurajo për të thënë “ky apo kjo jam unë e ky është arti im”. Këtë e them pasi nuk jam shumë e zonja për të folur për ligje e nuk kam informacionin e duhur për këtë. Për sa i përket çështjes së teatrit jam sigurisht për një teatër të ri, por absolutisht jo për shembjen e teatrit. Jam (idealisht) për restaurimin e tij. Ndonëse ministrja e Kulturës do thoshte se bëhet fjalë për një ‘fals historik’, teatri nuk është çështje teknikalitetesh e termash, është çështje zemre.

Si e konsideroni publikun shqiptar ne raport me veprat teatrale, a shfaq ai interes apo filmat janë një konkurrent shumë i fortë që u tërheq shumë vëmendjen?

Unë jam në skenë me një shfaqje pa buxhet, që vjen nga një punë ‘shoqërore’ me Endri Çelën, dhe nga dashamirësia e Kiço Londos i cili, të jem e sinqertë, ka bërë të mundura dhjetëra shfaqje, duke u hapur dyert e teatrit, njerëzve që duan të punojnë. Gjej rastin, pa patetizma, t’i falënderoj të dy. Dhe jemi pa ndonjë super marketing, për ta përmbyllur, një shfaqje e thjeshtë pra. Dhe publiku është aty. Salla ka qenë plot. Pra, siç thoshte dhe Pasolini: “lëreni të qetë publikun se ai është shumë më i mençur nga sa mendoni”.

Ju kemi parë të interpretoni edhe në programin e humorit “Apartamenti 2xl”, çfarë impakti ju ka dhënë televizioni?

Aktore humori në televizion, nuk është punë për mua mendoj, ndonëse të shumtë kanë qenë ata që më kanë thënë të kundërtën. Ose mbase ishte thjesht çasti jo i duhur, për të zënë vend në një mekanizëm të strukturuar prej kohësh si ‘Apartamenti’. Skenariste humori, po. Ajo më pëlqen. Tani jam pjesë e një emisioni në ‘Digitalb’, por pa lidhje me humorin… Nuk e di, por mendoj që edhe si aktore humori gjendem më mirë në skenë.

Një vepër që përcjell një mesazh shumë të fortë lidhur me ndjenjën e mëmësisë është edhe monologu që ju keni vënë së fundmi në skenë. A mund të na tregoni diçka më tepë lidhur me këtë? Sa e vështirë është të jesh gjatë gjithë kohës vetëm në skenë?

Monodrama është një përshtatje teksti e imja dhe është premierë absolute në Shqipëri. Me Fallacin jam ‘njohur’ vite më parë, kur isha një adoleshente rebele e cinizmi i saj më ngacmonte shumë, madje me një fragment të këtij libri, konkurrova edhe në Akademi. Fallaci, që në 1975 ngriti një pyetje interesante përmes historisë së saj personale (humbi fëmijën me Panagulisin): të qenit nënë është detyrë apo e drejtë e gruas?

Në Shqipëri, mendoj se është një pyetje më se aktuale, ndonëse pak artikulohet me zë të lartë. Një grua që nuk heq dorë nga jeta liria dhe profesioni i saj për hir të fëmijës, është vërtet ‘kriminele’ apo është thjesht një njeri me dilema?

Të qenit vetëm në skenë ishte zgjedhje spontane dhe e veçantë pasi zakonisht pjesa është vënë rrallë (duke qenë se bëhet fjalë për një roman, dhe jo për pjesë dramaturgjike) dhe ato herë që është vënë, është përshtatur me më shumë personazhe. Do ia lë publikut gjykimin, në kam bërë zgjedhjen e duhur apo jo. Gjithë sa zbulova (pasi është monodrama ime e parë), ishte që të qenit vetëm në skenë është përgjegjësi e madhe.

Si e organizon Ina Gjonçi kohën e saj të lirë?

Jam shumë e zënë këto kohë, punoj si skenariste në Ora News për ‘Mos i fol shoferit’, emision i Rudina Dembacajt, si skenariste e disa puntatave të serialit ‘Kuqezi’, krijuar nga Erion Kame, Saimir Gongo e Bledar Linza, si dhe jam në provat e tjera për regjisorin Kumbaro në “Engjëjt e Amerikës”. Kështu që, koha e lirë për mua është nocion fare i huaj. Por, atëherë kur e kam, jam fiksuar me serialet. E keni parasysh atë momentin që e gjen veten me sytë e çakërritur se ke parë një sezon të tërë për 10 orë? Ja koha ime e lirë. E trishtë pak, apo jo? Por dhe ‘adiktive’.

Cilat janë pritshmëritë tuaja lidhur me profesionin që keni zgjedhur të ushtroni? A premton Shqipëria shumë për një artist?

Unë nuk kam pritshmëri. E dua aktrimin dhe kam sigurinë që aktore bëhesh vetëm në skenë. Më vjen keq për gjithë ata njerëz të talentuar që për shumë arsye kanë hequr dorë. Arti, i teatrit sidomos, nuk të bën të pasur. Këtë e dimë fort mirë. Ndaj zgjedhja është e gjithsecilit, shumë personale dhe e pagjykueshme.

A keni patur raste kur keni menduar se duhet të hiqni dorë nga pasioni juaj? Si e keni menaxhuar këtë situatë?

Unë nuk jam ai njeriu që nuk lodhet kurrë nga teatri. Pas një shfaqje dua pushim, qetësi e distancim nga skena. Nuk jam për sasinë, jam për cilësinë. Nuk dua të bëj dhjetëra punë, qoftë edhe për para, e të mos kujtohet asnjëra. Di të them se teatri është e vetmja dashuri së cilës nuk i iki dot. I rikthehem gjithmonë sepse nuk mund të bëj dot ndryshe.

Cila është gjëja që nuk do bënit kurrë?

Nuk do bëja kurrë diçka tek e cila nuk besoj, si në skenë edhe në jetë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤