Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!

View Gallery
9 Photos
Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
img_8027-edit-1

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
img_0885

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
mod-poge2_final

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
img_0444

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
img_0439

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
54

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
27

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
24_29709752300_o

Jonida Beqo; Revoltohem…pra shkruaj!
16

 

Një zë revolte që klith për çdo grua që vdes e vrarë nga duar kasapësh, për çdo grua që vuan padrejtësinë si emigrante, për çdo fëmijë të ngjizur mes një lufte të çmendur si  ajo e ’97, për ata që u vranë dhe u gjymtuan nga aksidenti në Gërdec, për dashuri që kishin serenatë breshëritë e kallashnikovëve…Janë këto temat  që shqetësojnë Jonida Beqon, por jo vetëm si drejtore e Teatrit të Metropolit. Kampionia e konkurseve ndërkombëtarë të poezisë slam, zbulon  një dimension që pak ia njohin në vendin e saj

Intervistoi:Suadela Balliu

Foto:Jetmir Duraku 

 

I veshur me një fustan të përhimë, kurmi i një vajze  përpëlitet n’agoni  e përmes lëvizjeve dhe  vargjeve rrëfen historinë ngjethëse sesi u  nda prej kokës, prerë prej xhelatit…kryet përfunduar ca metra më tutje i bashkohet trupit të pajetë vetëm në morg, ndërsa është radha e saj të rrëfejë zëfilljen e fatkobit.  Si një mjeke ligjore ajo mbledh provat një e nga një në trupin që i mbart ato për të gjetur fajtorin… “Body of evidence” është një film-poezi që Jonida Beqo e pat realizuar më 2014, përmes të cilit ajo hyn në lëkurën e një vajze, Ajshe Vatës, viktimë e një krimi makabër  që fshihte vite të tëra abuzimi… Detaje nga kronika, rrëfenja e gojëdhëna prej atyre që njihnin dhunuesin dhe të dhunuarën kthehen në motive të një poezie, por pa nota lirizmi. Është një thirrmë e një zëri që u mbyt pa u ankuar, pa denoncuar, pa mundur të vajtojë…

Ata që nuk ia kanë njohur  këtë dimension, drejtorja e teatrit të Metropolit, me profesion regjisore, aktore e kostumografi e pat nisur karrierën e saj artistike si poete.  Me tre vëllime poetike të botuara, ajo u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ndërsa studionte teatër  merrte pjesë në konkurset e slam poetry, ku shpesh  arriti të merrte edhe çmime ndërkombëtare. Poezia e shkruar dhe e performuar si protestë është ajo që e dallon Jonida Beqon. Në vendin e saj, ku u kthye pas 15 vitesh jetesë në ShBA rrallë është shfaqur si poete, por kur e ka bërë ka kumtuar mesazhe dhe tema të forta. Një zë revolte që klith për çdo grua që vdes e vrarë nga duar kasapësh, për çdo grua që vuan padrejtësinë si emigrante, për çdo fëmijë të ngjizur mes një lufte të çmendur si  ajo e ’97, për ata që u vranë dhe u gjymtuan nga aksidenti në Gërdec, për dashuri që kishin serenatë breshëritë e kallashnikovëve…Janë këto temat  që shqetësojnë Jonida Beqon. Së fundi publiku pati mundësi ta shihte në fundshtatori gjatë festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Poeteka”, ku Beqo ishte pjesëmarrëse.  Thotë se i është përkushtuar temave njerëzore , sepse sipas saj traumat kolektive  në shoqërinë shqiptare janë thellësisht të pa hulumtuara dhe si rezultat, të pambyllura. Duke besuar fort se arti duhet t’i hulumtojë këto trauma, ajo e përqafon këtë rol. Por jo kur ai përdoret si sensacion. Pikërisht  për këtë tregohet e kujdesshme në ekspozimin e punëve të saj, duke u shfaqur rrallë.  Poezia e saj është politike. Këtë nuk ka  drojë ta pranojë.  “Jo në sensin linear të politikës majtas-djathtas, por të ndjeshmërisë, vetëdijes dhe reagimit ndaj fenomeneve sociale e kulturore. Shpesh poezia ime ka ardhur si rezultat i kësaj ndjeshmërie, si një formë revolte dhe brenda vetes, si nevojë për t’u dëgjuar, por dhe për t’u bërë zë për ata që e kanë të pamundur” – rrëfen vetë ajo. Feminizmi tek ajo ka lindur përpara se ta mësonte kuptimin e tij ideologjik.  “E konsideroj veten dishepull të Sevasti Qiriazit, Musine Kokalarit, Sabiha Kasimatit, Drita Pelingut, etj. Emancipimi nuk mund të jetë import; që të jetë i qëndrueshëm duhet të jetë produkt i brendshëm. E konsideroj detyrë dhe modelin që projektoj tani e që do të lë pas kur të iki, për time bije, për vajza dhe gra të reja që kam në sferën e influencës si në rreth shoqëror ashtu dhe në profesion”- mendon Jonida. Në këtë intervistë të gjatë ajo zbulon veten si grua, si poete, si regjisore, si një zë që artin e kthen në revoltë kundër padrejtësive…

 

 

 

Në fund të muajit shtator ju ishit pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “Poeteka” kushtuar Lëvizjes Dada. Si qe ky rikthim në skenat e festivaleve të poezisë ? 

Në skenat e festivaleve të letërsisë në territoret shqipfolës do ta quaja debutim dhe jo rikthim. Për shkak të trajektores së jetës sime në 16 vitet e fundit shumica e krijimtarisë sime poetike dhe përfshirjes në festivale ka ndodhur jashtë Shqipërisë.

Ndoshta pak e kanë njohur në Shqipëri këtë dimension tuajin. Pas largimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si e keni ruajtur marrëdhënien me poezinë slam?

Kontakti im i parë me lexuesin e poezisë është në fund të viteve 90, fillimi i viteve 2000 me tre vëllime poetike të botuara në shqip. “Trupi im s’më nxe”, “ Gozhda e Fundit” dhe “Kur jeta hedh rrënjë në valixhe”. Kur emigrova në Amerikë vazhdova studimet në Akademinë e Arteve për aktrim dhe regji dhe krijimtaria u zhvendos në drejtim të dramaturgjisë, derisa një ditë e gjeta veten në një kafene poetësh në Atlanta, Georgia, ku krijimtaria poetike dhe performanca u pajtuan natyrshëm brenda konvencionit të poezisë slam. Pavarësisht kthimit në Shqipëri në dy vitet e fundit, vazhdoj të marr pjesë në festivale ndërkombëtare të poezisë slam në Amerikë dhe Kanada dhe të mbaj kontakte me publikun atje falë edhe formave të reja të komunikimit që mundëson teknologjia.

A vazhdoni t’i mbani kontaktet në ShBA dhe  a merrni më pjesë në konkurset ndërkombëtare të këtij zhanri?

Kontaktet vazhdoj t’i mbaj, të krijoj brenda formatit, të gjej mënyra të reja për t’u shprehur brenda formatit, por nga konkurset jam tërhequr vitet e fundit. Ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme pjesëmarrja në ta dhe një sërë vlerësimesh të larta që kam marrë në formën e çmimeve kryesisht te para dhe të dyta, përfshirë dhe dy herë nënkampione botërore në festivalin ndërkombëtar të grave poete. Këto festivale, përtej konkurrimit, kanë qenë një shkollë më vete mbi poezinë bashkëkohore dhe format e reja të shprehjes. Por e konsideroj konkurrimin si një fazë të rëndësishme të formimit tim letrar që tani e kam lënë pas.

Keni shëtitur Amerikën me turne të slam poetry, keni marrë pjesë në konkurse rajonale, kombëtare e ndërkombëtare dhe keni fituar çmime. Kam dëgjuar që ishte një shoqe që ju regjistroi në garë për herë të parë. Si u njohët me këtë zhanër poezie dhe si e përqafuat më pas?

Siç e përmenda, një ditë, në moshën 25 -vjeçare u gjenda bashke me një mikeshën time në një kafene poetësh ku po zhvilloheshin lexime poetike të slam poetry. Pjesa e parë e mbrëmjes ishte mikrofon i hapur, ku kushdo mund të shkruante emrin në listë dhe të lexonte ose të interpretonte një poezi të vetën. Pa dijeninë time, mikesha ime shkroi emrin tim në liste. Kishim qenë në shkollë bashkë dhe ajo kishte parë një monodramë timen që kisha vënë në skenë në ato kohë, që përmbante dhe poezi brenda, “Gra që Njoh”. Kur moderatori më thirri emrin, ajo më drejtoi drejt skenës, ku interpretova dhe poezinë e parë në këtë zhanër, e cila, për habinë time akoma më të madhe, u prit me ovacion nga publiku i pranishëm.

Keni botuar tre vëllime poetike, dy prej të cilëve datojnë në fund të viteve ’90, ende pa u larguar në ShBA. Sa ndryshon poezia juaj nëse do e ndanim në periudha para dhe pas largimit ? 

E përbashkëta e poezisë sime para dhe pas largimit është fakti se tematika është thellësisht shqiptare dhe kapsulon kohën dhe ngjarjet kur janë shkruar. Ndryshimi është rritja në moshë, pasi vëllimet kanë dalë në moshën 19-21 vjeç, si dhe zgjerimi i botëkuptimit si rezultat i ekspozimit me një oqean idesh dhe eksperiencash jetësore. Ne poezinë e hershme ka një lloj çiltërsie dhe naiviteti për të cilën ndonjëherë më merr malli. Poezia e mëvonshme është dhe më politike dhe shpirtërore.

Në konkurset e slam-it jeni prezantuar me emrin skenik Gypsee Yo, jam kureshtare të di si lindi ky emër? Çfarë përfaqëson për ju dhe poezinë tuaj? 

Emri është meritë e sensit të humorit të mikeshës sime që e shkroi në lisë atë natë të leximit të parë . Një lojë fjalësh midis “ Yo” që është shkrim fonetik i “ Jo” shkurt për “Jonida” dhe “Gypsee” shkrim fonetik i “Gypsy” që do të thotë “cigane” në anglisht. Të dyja nofka që m’i vunë në kohën e shkollës, në Akademi. Emri nuk përfaqëson asgjë filozofikisht, por ka mbetur si identifikim i “personazhit” që publiku ka njohur në dekadën që kam lëvruar në këtë zhanër.

Në ShBA studiuat aktrim, regji, dhe kostumografi. Përtej angazhimit në shfaqje dhe pjesë e një trupe teatrore, punës si kostumografe por edhe si lektore në Atelienë e Kostumografisë në Universitetin e Alabamës , formimi akademik, njohuritë në aktrim dhe regji do të ishin më shumë në funksion të shfaqjeve tuaja, të narrativës së një gruaje? 

Si artiste jam gjithnjë e interesuar në procesin e krijimit. Në fakt, kënaqësinë e vërtetë më tepër sesa ekspozimi i veprës, qoftë poezi, aktrim apo kostumografi, ma jep procesi i krijimit dhe realizimit të saj. Unë jam i mendimit se artisti i mirë është në radhë të parë një njeri i formuar intelektualisht dhe shpirtërisht. Përgjithësisht procesi i shfaqjeve të mia fillon me idenë dhe përfundon me realizimin e secilit prej elementëve të saj artistike në tërësi. Kjo në Amerikë ka qenë tërësisht normale dhe e pranueshme, por në kontekstin shqiptar kam hasur skepticizëm, sepse është perceptuar si dëshirë për dukje apo tendencë posesive. Gjithsesi, ne bëjmë gjithnjë atë që dimë dhe besoj se dijet nga fusha të ndryshme që kam lëvruar ndikojnë te njëra-tjera.

Poezitë që i shkruani dhe i interpretoni vetë shfaqin angazhim qytetar, një zë që këlthet përballë padrejtësive. A është poezia juaj politike? Në kuptimin e një politike të angazhimit civil, të drejtës për të protestuar, zërit të revoltës?

Personalja është gjithmonë politike. Jo në sensin linear të politikës majtas-djathtas, por të ndjeshmërisë, vetëdijes dhe reagimit ndaj fenomeneve sociale e kulturore. Shpesh poezia ime ka ardhur si rezultat i kësaj ndjeshmërie, si një formë revolte dhe brenda vetes, si nevojë për t’u dëgjuar, por dhe për t’u bërë zë për ata që e kanë të pamundur.

Në poezinë “Machinegun serenade” sfondi është lufta civile e vitit 1997, te “Harabeli” vijnë të gjitha betejat që gratë në Shqipëri e Kosovë përballen e po ashtu edhe vështirësitë tuaja si emigrante, diku tjetër jeni një e mbijetuar e një aksidenti të një fabrike demontimi armësh që evokon tragjedinë e Gërdecit dhe së fundi në një poezi vizuale në Tiranë i keni dhënë zë një koke të prerë të një vajze të re, të vrarë barbarisht. Krijimtaria juaj i  kushtohet  temave të forta, padrejtësive sociale dhe njerëzore? 

I jam përkushtuar temave njerëzore. Traumat tona kolektive në shoqërinë shqiptare janë thellësisht të pa hulumtuara dhe si rezultat, të pambyllura. Ngjarje të komunizmit, ‘97-ës, Gërdecit, emigracionit, etj. vazhdojnë të ushtrojnë presion të brendshëm mbi shoqërinë shqiptare që pastaj çlirohet në forma destruktive si dhuna në familje, mosangazhimi social, pandjeshmëria si vegël mbijetese. Unë besoj se një nga rolet që duhet të kryeje arti është t’i hulumtoje këto trauma, por jo me qasjen që ka ndodhur këtu rëndom, ku ajo shfrytëzohet për sensacion apo avantazh politik, për qëllime shokimi apo ndërtimi të një reputacioni personal të artistit; përkundrazi, qëllimi duhet të jetë që t’i jepet mundësi publikut të ecë pa frikë përmes këtij hulumtimi, të mbahet përdore emocionalisht dhe të udhëhiqet në procesin e shërimit. Për këtë arsye, shpeshherë jam shumë e kujdesshme sesi i ekspozoj këto punë, duke u munduar t’i ruaj nga masivizimi apo keqinterpretimi dhe duke i ruajtur për kontekste më intime si festivali “Poeteka”, ku njerëzit që i shohin, akordojnë frymëmarrjen dhe mbushen së bashku.

Cila ka qenë Shqipëria që keni pasqyruar në ShBA? Si ka qenë rrugëtimi prej fëmijërisë në një vend komunist , një adoleshence kaluar në tranzicion të trazuar drejt “tokës së mundësive”, e shpjeguar si një poezi slam?

Tërë krijimtaria ime në  çdo aspekt i përket pasqyrimit të Shqipërisë së zemrës sime. Ajo që më ka shtyrë ta bëj këtë me ngulm ka qenë vetëdija që arrita pak kohë pasi mbërrita në SHBA – vija nga një vend i vogël, i padukshëm, i parëndësishëm në sfondin e madh të botë s. Por unë e dija thellë se pavarësisht kësaj, ky vend meritonte të dukej dhe shpirti i tij i madh të shpalosej. Këtë jam munduar të bëj; pavarësisht traumave historike, të shpalos më të mirën dhe më të bukurën e shpirtit shqiptar, në thjeshtësinë e trajektores së jetës sime nga rruga “Siri Kodra” deri te skenat ndërkombëtare.

Shpesh gratë janë protagonistet e poezive tuaja.  A jeni feministe? E keni parë artin si një rrugë për angazhimin feminist apo ky është zëri i një gruaje, siç duhet të ishte i të gjitha grave në sferat ku ato janë aktore ? 

Siç e thashë, personalja është politike, dhe ky është një citat feminist. Unë e konsideroj emancipimin e gruas një të drejtë jetike për çdo grua kudo. Me emancipim nënkuptoj te drejtën për të qenë e barabartë në shanse, e lirë për të bërë zgjedhjet sipas diktatit të ndërgjegjes, e vlerësuar për meritat dhe arritjet dhe jo si komoditet i reduktuar në disa tipare të jashtme apo standarde estetike të paarritshme. Feminizmi im ishte tek unë para se të kishte një emër ideologjik si rezultat i influencës së disa modeleve mahnitëse që në fëmijëri; te gjyshja, te nëna, te halla. Për më tej, e konsideroj veten dishepull të Sevasti Qiriazit, Musine Kokalarit, Sabiha Kasimatit, Drita Pelingut, etj. Emancipimi nuk mund të jetë import; që të jetë i qëndrueshëm duhet të jetë produkt i brendshëm. E konsideroj detyrë dhe modelin që projektoj tani e që do të lë pas kur të iki, për time bije, për vajza dhe gra të reja që kam në sferën e influencës si në rreth shoqëror ashtu dhe në profesion. Mundohem të jem e qëllimshme në këtë me çdo gjë që krijoj.

A ju ka ndihmuar gjuha angleze për ta përhapur më gjerë mesazhin? Mendoni se tingëllojnë më fort në gjuhë angleze? A ka pasur raste ku performuar në shqip? Kam dëgjuar një version të “Kënga e Emës” ku ju bënit një kalim nga një gjuhë në tjetrën brenda poezisë. E keni eksperimentuar këtë në Amerikë? 

Gjuhën e krijimtarisë e diktojnë rrethanat dhe publiku. Nuk e kam qëllim në vete të shkruaj anglisht, por u detyrova për shkak të rrethanave. Po të mos isha larguar nga Shqipëria nuk do të kisha tentuar të shkruaja në gjuhë tjetër. Nuk besoj se poezitë e mia tingëllojnë më të forta në anglisht sesa në shqip. Besoj se letërsia, sado e përkthyer me mjeshtëri, tingëllon gjithnjë më e vërtetë në gjuhën parësore në të cilën është shkruar. Poezitë e mia shqip tingëllojnë më mirë në shqip sesa të përkthyera në anglisht dhe anasjelltas, për shkak se janë krijuar për një publik specifik nga ana gjuhësore.

A e keni ndjerë diskriminimin gjinor në Amerikë , si një e huaj, si një studente, si një profesioniste, si artiste? 

Po, e kam hasur në Amerikë, e kam hasur edhe në Shqipëri. Në Amerikë ka qenë më tepër në kontestin socio-ekonomik dhe etnik, në Shqipëri më tepër gjinor. Njerëzit shpesh mendojnë se diskriminimi është thjesht shprehje dhune apo ngacmimi. Në të vërtetë rrënja e diskriminimit është zvogëlimi dhe shfuqizimi i njeriut sikur është me më pak vlerë për shkak të disa tipareve të pandryshueshme siç janë raca apo gjinia. Ajo që kam hasur shpesh si formë diskriminimi në Shqipëri është ideja se nuk kam merita të mirëfillta në arritjet e mia profesionale, se ato janë produkt i favorizimit, njohjeve apo lidhjeve të gjakut. Më ka rënë rasti, për shembull, të jem në një studio televizive ku shkova për të paraqitur një punë regjisoriale, ku u shfrytëzuan 20 minuta duke folur për tim vëlla nga moderatorët, të cilët e konsideruan si detaj të rëndësishëm për të përkufizuar figurën time.

Kur u kthyet përfundimisht në Shqipëri, cila ishte tabloja e parë që krijuat, gjithnjë në pozicionin e gruas? Çfarë është ajo që vëren një sy që vjen nga jashtë e që shkakton tronditje, një tronditje që nuk e ndjejmë ne që jetojmë brenda këtij realiteti e që na i ka topitur shqisat ?

Objektivizmi dhe konsumimi i figurës së gruas është keqkuptuar për emancipim, shfrenimi si liri, kuota matematikore si zgjidhje e problemit gjinor, dhuna dhe ngacmimi i legjitimuar si faj i viktimës. Portretizimi i figurës së gruas sidomos në muzike dhe media është toksik dhe krijon një koncept të gabuar pritshmërish dhe detyrimesh sociale. Unë do të denoncoja në polici këdo që do të më “lagte me shampanjë”, nuk do të më “ndahej kurrë, edhe pse i thashë jo”, i cili supozon se “jo” do të thotë “ma do” etj. Shqisat na janë topitur sepse po të njëjtat mesazhe dëgjohen tërë verën nga Peja deri në Korçë, pa dallim publiku. Shqisat na janë topitur sepse kronika e zezë që vjen nga periferia përputhet me skenarët e telenovelave, imazhi i kryeqytetit dhe kulturës po krijohet pikërisht nga këto dy mediume – muzikë dhe film televiziv.

Përtej kësaj, ka një arritje të madhe në praninë e gruas ne administratë dhe vendimmarrje; në fakt shumicën e punës reale në shtet e bëjnë gratë. Por kjo është në kontrast të thellë me anën tjetër të medaljes; rreth 20% e vajzave në Shqipëri nuk po vazhdojnë gjimnazin.

Si mund të përdoret arti për të fuqizuar gratë dhe vajzat në Shqipëri ? Si duhen angazhuar brezat e rinj ?

Brezi i ri në Shqipëri gjykohet se vetëm rri në kafene dhe nuk bën asgjë dhe nuk do t’ia dijë për askënd. Përgjegjësia nuk është e brezit të ri, por atij paraardhës, ku përfshij edhe veten, sepse ne i kemi dështuar ata. Nuk u kemi përcjellë vlera të mirëfillta. Kemi reduktuar prindërimin në veshje e ushqim dhe kështu fëmijët janë bërë konsumeristë që nuk kënaqen me asgjë. Kemi vlerësuar si të shkathet atë që është i fortë dhe matrapaz kështu fëmijët na janë bërë bullistë. Kemi ngritur në piedestal politikanë dhe biznesmenë, kështu fëmijët nuk duan të merren me art, me shkencë, me filozofi, por duan të aderojnë nëpër parti. Arti, më tepër se kurrë duhet të ndërhyjë në mënyrë akute për të ofruar vlera, për të rritur empatinë dhe komunikimin konstruktiv, për të krijuar një sens përkatësie dhe komuniteti. Në dy vite që kur jam kthyer, kam punuar me qindra të rinj. Pata nderin të drejtoj Qendrën e parë Rinore publike që pas komunizmit në Tiranë, ku për 6 muaj pati një fluks me 10,000 të rinj. Fillova me ndihmën e 40 vajzave të shkëlqyera vullnetare 22 klube GLOW për vajza në shkollat publike të Tiranës, me mbi 500 vajza të regjistruara në to. Tani, te Qendra Kulturore Tirana, teatri “Metropol” punojmë me shkollat publike, fëmijët e qendrave sociale dhe ciklin parashkollor. Audicioni legjitim për secilën nga shfaqjet tona angazhon aktorë të rinj dhe studentë të teatrit në nivel profesional. Arti duhet t’i kthehet zanatit të vjetër të edukimit dhe jo vetëm të argëtimit. Duhet të shërbejë dhe jo të vetëshërbehet. Duhet të ofrojë modele të vetëdijshme që zgjedhin ta luajnë këtë rol dhe te mbajnë përgjegjësi për këtë.

Pas 15 vitesh në Amerikë, pasi ju u bëtë edhe nënshtetase amerikane, çfarë ju bëri të ktheheshit në Shqipëri? Si e morët vendimin? 

U ktheva për familjen. U ktheva që fëmijët e mi të kenë marrëdhënie reale dhe përmbushëse me gjyshërit. U ktheva për të qenë në mes të motrave dhe vëllezërve të mi dhe për të shërbyer në kishën lokale dhe në komunitetin ungjillor, të cilit i përkas. U ktheva me dëshirën legjitime që ato vite produktiviteti dhe krijimtarie që kam përpara t’i shfrytëzoj në Shqipëri. Gjykohem shpesh se ky është naivitet dhe çmenduri, por tashmë jam mësuar dhe me këtë. Shpesh hasem me skepticizmin se, me siguri jam kthyer sepse nuk ia dola dot andej nga isha, por me këtë qesh dhe nuk i vë vesh. Vjen një pikë në e jetën e një njeriu ku nevojat shpirtërore tejkalojnë ambiciet dritëshkurtra apo nevojat e përditshmërisë. E kuptoj që jam e privilegjuar , sepse nuk vuaj për bukën e gojës dhe mund të merrem me çështje shpirtërore. Por kjo më vë përpara përgjegjësisë sesi e përdor këtë privilegj. Unë zgjedh ta përdor në Shqipëri.

Cilat janë punët artistike që keni bërë pas rikthimit në 2014 –ën? Flas në lidhje me poezinë slam, poezinë vizuale…

Pas 2014-ës gjatë një rezidence me TICA me temë “Storytelling as an artistic practice” realizova një film poetik të poezisë time “ Body of Evidence/ Trupi që mbart provat”. Është historia e Ajshe Vatës, vajzë shqiptare dhe viktimë e një krimi të tmerrshëm. Kam një cikël prej 15 poezish të titulluar “fifth rib/ brinja e pestë”, që janë të ndërthurura në një performancë. Por përgjithësisht në dy vitet e fundit fokusi ka qenë më tepër te teatri.

Detyra administrative shpesh nuk të lë kohë për krijimtari, e megjithatë ju jeni shfaqur publikut shqiptar si regjisore teatri në “Rashomon” , por edhe si aktore në “Qiell i heshtur” , a do ju shohim të përfshirë në të tjerë projekte gjatë këtij sezoni artistik? Po me poezi? Mbase një tjetër libër i botuar..

Për sezonin tjetër është ende herët për të folur, por po e konsideroj realisht një libër të botuar. Janë rreth 40 poezi, që ndoshta do të shfaqjen në të dyja gjuhët. Por dhe kjo, si çdo punë e mirë, do të dojë kohën e vet.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤