Kafka dhe persekutorët e tij

Nga Jorge Luis Borges
Flet një dishepull i Kafkës, një dishepull i vonuar i Kafkës, por që vazhdon ta ndiejë dhe ta falënderojë për sa shumë ai i ka dhënë dhe sa pak ka mundur të bëjë ky me atë dhuratë të shkëlqyer të veprës së tij.

Dua të shqyrtoj këtu dy tema të Kafkës, “labirintin” dhe “ndërmarrjen e pamundur”. Por më parë dua të them disa fjalë mbi modus operandi-n e Kafkës, mbi atë që skolastikët e quajnë “regresus in infintum” dhe që është një proces intelektual mjaft i rëndomtë në etiologji apo metafizikë, por i rrallë, nëse flasim për letërsinë dhe mund të themi se veç disa prekursorëve, në një farë mënyre të trilluar prej tij, u përurua nga Kafka.

Dhe dua të kujtoj mikun tim Karlos Mastronardi, poetin e madh të Entre Rios. Po pse i Entre Rios? Poeti i madh i atdheut dhe i botës. Më kujtohet kur ai kishte nisur të lexonte Pocesin dhe, në mënyrë lakonike, më tha: “Franc Kafka, Zenoni i Eleas*”. Dhe tani, ju do të pyesni se çfarë është “regresus in infintum”. Për mua është një nga risitë e Kafkës: është një proces logjik, i njohur nga skolastikët. Dua ta filloj me një nga shembujt më të këndshëm të kësaj metode dhe teme të Kafkës. “Regresus in infintum” mund të ilustrohet, besoj se me mënyrën më të jetësore të mundshme, përmes paradoksit të Zenonit të Eleas, i cili tha se, po të besonim te realiteti i kohës si i përbërë prej çastesh dhe te realiteti i hapësirës i përbërë prej pikash, kalimi i kohës dhe ai i lëvizjes janë të pamundur, dhe e ilustron këtë me disa paradokse të ndryshme që do të hidhen poshtë nga Aristoteli e do të komentohen nga e tërë filozofia e pastajme; por do të kujtoj dy shembuj të thjeshtë, meqenëse në to duket qartë cila është mënyra e Kafkës dhe më sjell ndër mend tim at.

Im at – unë atëherë do të kem qenë 9 apo 10 vjeç -, në një shtëpi në rrethinat e lagjes Palermo, një natë, pasi kishim darkuar, më vë përpara tabelën e shahut dhe, duke më treguar katrorët e fushës së shahut, më thotë: Le të vendosim një person në këtë katror – dhe më tregoi vendin e kalasë, atë nga e majta, – dhe ky do të shkojë te vendi i kalasë së djathtë. Siç e shikon, i duhet të kalojë përmes katrorit ku rri mbretëresha. Natyrisht, unë i thashë: Po. Dhe ai më tha: Por, më përpara i duhet të kalojë përmes katrorit të kalit. Unë përsëri miratova. Dhe ai vazhdoi: Epo mirë, këtu kemi 8 katrorë, duke pasur parasysh të 64 katrorët që formojnë fushën e shahut. Le të imagjinojmë një fushë më të gjatë, me një numër të pafund katrorësh. Për të mbërritur nga e para tek e fundit, do të na duhet të kalojmë përmes katrorëve të panumërt. Unë miratova dhe ai më tha: Shumë mirë, atëherë, para se të mbërrijmë në destinacion, duhet të kalojmë përmes katrorit të mesit, por më përpara tek ai i mesit të mesit, e më përpara tek ai i mesit të mesit të mesit, dhe kështu me radhë, domethënë, se nuk do të arrihet kurrë nga një katror te tjetri.

Dhe nuk e përmendi emrin e Zenonit të Eleas, nuk më tha se ishte duke parashtruar paradoksin e shquar të filozofisë greke, sepse im at ishte profesor psikologjie dhe e dinte se janë më të rëndësishëm bëmat sesa datat dhe emrat e atyre që i stisën. Kështu që më la në një mëdyshje të madhe, dhe, pas disa netësh, më pyeti nëse e kisha dëgjuar historinë e Akilit dhe të breshkës. I thashë se nuk e kisha dëgjuar dhe më kënaqi ideja e një gare midis Akilit, njeriut këmbëlehtë, simbol i shpejtësisë, dhe breshkës, breshkës së plogët, simbol i ngadalësisë, dhe i thashë se do të më pëlqente shumë ta dëgjoja. Mirë, tha, një herë u vunë në garë Akili dhe breshka. Akili e la breshkën 100 metra përpara, gjë që ishte e drejtë, për shkak të ngathtësisë dhe ngadalësisë së lëvizjeve të breshkës. Shumë mirë, Akili vrapon 100 metra, ndërkohë që breshka ecën 1 metër. Pastaj, më pyeti nëse llogaritja ishte bërë mirë, ai e dinte se ishte në rregull dhe unë i thashë po.

Shumë mirë, më tha, kur Akili vrapon një metër, breshka ecën një centimetër. Po, i thashë, meqenëse Akili vrapon një qind herë më shpejt se breshka. Pa dyshim, më tha, atëherë Akili vrapon një centimetër, ndërsa breshka ecën një milimetër. Pra, kështu do të vazhdojnë dhe Akili kurrë nuk do ta arrijë dot breshkën. Epo mirë, kjo gjë është diskutuar më vonë nga Puankareja, Bergsoni, Bertran Ruseli, Stuart Milli, ndërsa më përpara nga Aristoteli, e më përpara akoma ndoshta nga gjithë filozofët dhe në të vërtetë është një argument serioz kundër faktit se, nëse koha përbëhet nga çaste dhe hapësira është e përbërë nga pika, një sasi e pacaktuar nuk mund të mbarohet. Këtë argument aplikoi William James. Tek libri i tij Elementët e Psikologjisë James thotë: Le të supozojmë një çerek ore kohë.

Veç, para se të kalojë një çerek ore, duhet të kalojnë shtatë minuta e gjysmë, por më para duhet të kalojnë tre minuta e një fraksion, dhe para se të kalojë fraksioni duhet të kalojë tjetri, por, meqenëse numri i fraksioneve është i pafund, rezulton që për pasojë, nuk mund të kalojë kurrë një çerek ore. Për kuriozitet, kur Zenoni i Eleas formulonte këto paradokse në Greqi, pesë shekuj para erës kristiane, një mendimtar kinez Li Tsu formulonte në Kinë, nën formën e një legjende, një mënyrë që do ta ngatërronte edhe më shumë Kafkën. Li Tsu flet për skeptrin e mbretëve Liang dhe thotë se ky skeptër ishte trashëguar nga çdo pasardhës i dinastisë. Secili prej tyre duhej ta shkurtonte përgjysmë skeptrin, që nuk ishte shumë i gjatë, por, meqenëse kurrë nuk arrihet te gjysma e gjysmës së gjysmës së diçkaje, dinastia nuk do të kishte fund. Siç shihet, është pikërisht i njëjti procedim i Akilit me breshkën dhe i atij tjetrit me tabelën e shahut, që tregon pamundësinë e një objekti në lëvizje për të mbërritur në destinacion. Pra, ky procedim që quhet “regresus in infintum”, qe aplikuar për të hedhur poshtë mendimet, shumë herë në mënyrë të logjikshme, por Kafka qe i pari, ose një ndër të parët, që e aplikoi në letërsi.

2

Unë kam paramenduar ndonjëherë një shqyrtim të prekursorëve të Kafkës. Në fillim këtë e kam menduar aq të veçantë, sa feniksi i lëvdatave retorike; por, pasi i jam drejtuar shpesh, kam njohur zërin e tij apo zakonet e tij, në tekste të ndryshme letërsie dhe në kohë të ndryshme. Do të shënoj këtu disa nga këto, sipas një rendi kronologjik.

I pari është paradoksi i Zenonit kundër lëvizjes. Një trup i lëvizshëm që ndodhet në pikën A (pohon Aristoteli) nuk mund të arrijë në pikën B, sepse më parë do t’i duhej të përshkojë gjysmën e rrugës midis dy pikave, por më përpara gjysmën e gjysmës, dhe akoma më parë, gjysmën e gjysmës, e kështu deri në fund; forma e kësaj çështjeje të madhe është, saktësisht, ajo e romanit Kështjella (1926) të Kafkës, ku trupi i lëvizshëm, shigjeta dhe Akili janë personazhet e parë kafkianë të letërsisë.

Në tekstin e dytë që fati i librave më vuri përpara, afërsia nuk qëndron te forma, por te toni. Është fjala për një apolog të Huan Hu-së, prozator i shekullit IX, dhe ndodhet në Anthologie raisonée de la littérature chinoise (1948), vepër e admirueshme e Margouliès. Ja paragrafi që shënova, misterioz dhe i qetë:

“Përgjithësisht pranohet se brivetmi është një qenie e mbinatyrshme dhe me ogur të mirë; kështu flasin për të odet, analet, biografitë e burrave të shquar dhe tekste të tjera, autoriteti i të cilave është i padiskutueshëm. Deri edhe fëmijët dhe gratë e fshatit e dinë që brivetmi përbën një shenjë mbarësie. Por, kjo kafshë nuk figuron midis kafshëve shtëpiake, prandaj nuk është aq e lehtë që ta gjesh, nuk bën pjesë në ndonjë klasifikim. Nuk është si kali apo si demi, si ujku apo si dreri. Në këto kushte, mund të gjendemi përballë një brivetmi dhe mund të mos ta marrim vesh me siguri se është ai. Dimë që një kafshë e tillë me jele është kalë dhe po një kafshë e tillë me brirë është dem. Por nuk dimë si është brivetmi*.

Teksti i tretë vjen nga një burim më i parashikueshëm: nga shkrimet e Kierkegaardit. Synimi intelektual i të dy këtyre shkrimtarëve është gjë që e pranojnë të gjithë; ajo që ende nuk ka dalë në pah, mesa di unë, është fakti që Kierkegaard-i, ashtu si Kafka, ka me tepri rrëfime fetare me temë bashkëkohore dhe borgjeze. Autori Walter Lowrie*, te libri i tij Kierkegaard (Oxford University Press, 1938), na jep dy. Njëra është historia e një falsifikatori, i cili, në vëzhgim të pandërprerë, kontrollon kartëmonedhat e Bankës së Anglisë; Zoti, në të njëjtën mënyrë, do të dyshonte për Kierkegaardin dhe do t’i kishte besuar një mision atij, pikërisht se mësonte të keqen.

Subjekti i tjetrës janë ekspeditat në Polin e Veriut. Famullitarët do të kishin deklaruar që nga katedrat e tyre se pjesëmarrja në të tilla ekspedita i bën mirë shëndetit të amshuar të shpirtit. Megjithatë, do ta kishin pranuar se të mbërrish në Pol është e vështirë e, ndoshta, e pamundur dhe se jo kushdo do t’i hynte kësaj aventure. Më në fund, do të thoshin se çdo udhëtim – nga Danimarka në Londër, le të themi me vaporin e radhës -, ose një shëtitje e së dielës me taksi, të para këto me sy të mirë, janë ekspedita të vërteta në Pol të Veriut. Shëmbëllimin e katërt e kam gjetur te poema e Browningut, Fears and Scruples, botuar në 1876. Një njeri ka, ose beson se ka, një mik të famshëm. Veç, kurrë nuk e ka takuar dhe e vërteta është se, deri sot, ky mik nuk ka mundur ta ndihmojë, por tregohen gjeste shumë fisnike për të dhe qarkullojnë letra autentike. Ka nga ata që i venë në dyshim gjestet dhe grafologët afirmojnë falsitetin e letrave. Njeriu, në vargun e fundit pyet:

“Po sikur ky mik të ishte Zoti?”.

Shënimet e mia regjistrojnë gjithashtu edhe dy tregime. Njëri i përket Historive të pacipa të Leon Bloit dhe i referohet pikërisht rastit të disa personave që gjenden me shumicë në globet tokësore, në atlase, në udhërrëfyesit e hekurudhave dhe në bagazhe, dhe që vdesin pa arritur të dalin dot nga fshati i tyre i lindjes. Tjetri titullohet Karkasona dhe është vepër e Lord Dunsanit. Një ushtri e pathyeshme luftëtarësh niset nga një kështjellë gjigante, vë nën zotërim mbretëri të tëra, shikon përbindësha dhe shkrumbon shkretëtirat e malet, por kurrë nuk mbërrin dot në Karkasonë, edhe pse nganjëherë arrijnë ta shquajnë nga larg. (Ky tregim, siç vihet re me lehtësi, është e kundërta e të mëparshmit; tek i pari nuk dilet kurrë nga qyteti, kurse tek i dyti, nuk arrihet kurrë në qytet).

Në mos gaboj, pjesët heterogjene që ju parashtrova i ngjajnë Kafkës; nëse nuk gabohem, jo të gjitha ngjajnë me njëra-tjetrën. Ky fakti i fundit është edhe më kuptimploti. Në secilin nga këta tekste gjendet idiosinkrazia (karakteri i veçantë) e Kafkës, në shkallë më të lartë apo më të ulët, ama, nëse Kafka nuk do të kishte shkruar, nuk do ta kishim vënë re; duhet thënë: nuk do të ekzistonte. Poema Fears and Scruples e Browning-ut profetizon veprën e Kafkës, por leximi ynë i Kafkës përkryen dhe devijon ndjeshëm leximin e poemës në fjalë. Browning-u nuk e lexonte, siç e lexojmë ne tani.

Në fjalorin kritik, fjala prekursor është e domosdoshme, por do të duhej ta pastroje nga çdo ngjyrim polemike dhe rivaliteti. Fakti është se çdo shkrimtar krijon perkursorët e vet. Puna e tij modifikon konceptin tonë të së kaluarës, siç do ta modifikojë këtë i ardhshmi*. Në këtë bashkëlidhje nuk ka fare rëndësi identiteti apo shumësia e njerëzve. Kafka i parë, i tregimit Betrachtung, është më pak pararendës i Kafkës së miteve të errëta dhe i institucioneve barbare se Browningu apo Lord Dunsany.

Përktheu: Bajram KARABOLLI

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤