Klementin Mile: Protesta që mbylli një vit apo një dekadë?

Nga Klementin Mile
Studentët do t’i rikthehen protestës sapo të përfundojnë pushimet e Vitit të Ri. Ndoshta më fuqishëm se më parë. Por, paradoksalisht, kjo nuk do të thotë se do të jenë më të bashkuar se tani. Për sa kohë bashkimi kuptohet si diçka që arrihet prej organizimit dhe lidershipit. Armiqtë më të rrezikshëm të një proteste janë pikërisht këta të dy; dhe natyrisht prirja ambicioze për të manifestuar masivisht, si ideal i protestës. Protesta, në fakt, është e fuqishme për sa kohë garanton cilësinë e saj, jo sasinë. Beteja ndërmjet qeverisë dhe studentëve protestues është në radhë të parë betejë ku qeveria synon t’ia zbehë cilësinë protestës duke e njollosur atë me interesa organizativë (partiakë) dhe ku studentët protestues përpiqen ta ruajnë cilësinë e protestës duke mos pranuar të kenë përkrah njerëz që janë agjentë të organizatave politike.

Qartësisht, kjo protestë nuk mbylli vetëm një vit, por një dekadë të tërë. Ajo bën diferencë me sjelljen politike të deritanishme të grupeve të interesit dhe popullsisë shqiptare në tërësi. Gjatë kësaj dekade, në raport me qeverinë, shqiptarët janë sjellë si ai personazhi fshatar i Kafkës që shkoi të kërkonte të drejtën përpara ligjit. Aty gjen një portier, që ia ndalon hyrjen te ligji në atë moment. Fshatari zgjat kokën të shohë se çfarë ndodh pas portës së ligjit. Portieri, duke parë kuriozitetin e tij, i thotë: “Në qoftë se të tunduaka kaq shumë, provoje, pavarësisht se unë të ndaloj. Por, mos harro: Unë jam i fuqishëm. Dhe unë jam thjesht një portier i vogël në hierarki. Dhe nga njëra dhomë te tjetra ka portierë që janë gjithmonë e më të fuqishëm”.

I gjendur para këtyre vështirësive, fshatari vendos të presë para portës së ligjit, derisa t’i jepej leje për të hyrë. Kalojnë vite të tëra para portës dhe fshatarit nuk i ka mbetur shumë kohë për të jetuar. Përpara vdekjes, ai mbledh në kokën e vet të gjitha përvojat dhe formulon një pyetje që nuk ia kishte bërë portierit kurrë më parë. “Të gjithë orvaten pas ligjit”, thotë fshatari, “por si ka mundësi që pas kaq shumë vitesh askush tjetër veç meje nuk ka kërkuar leje për të hyrë te ligji?”. Portieri i përgjigjet: “Këtu nuk mund të hyjë askush tjetër, sepse kjo portë ka qenë caktuar vetëm për ty. Tani do ta mbyll këtë portë”.

Studentët, ndryshe nga fshatari i Kafkës dhe ndryshe nga mendësia politike fshatareske e shqiptarëve përgjatë kësaj dekade, vendosën të mos presin t’u jepej leje për të realizuar të drejtat e tyre, por të marrin përsipër riskun e betejës për të drejta. Po të përdorim termat e filozofit Martin Heidegger, ata, ashtu si dhe pjesa tjetër e popullsisë shqiptare, ishin ontologjikisht thjesht pajisje që funksiononin në rrjet për të përmbushur disa funksione praktike. Si të tilla, studentët përdoreshin nga politika, qeveritë dhe shteti pa reflektuar aspak për qenien e tyre.

Ata ishin si ajri, të domosdoshëm për t’u përdorur, por të padukshëm. Studentët u bënë të dukshëm për qeverisjen ashtu siç bëhet një pajisje: kur shkatërrohet. Pajisja, shkruan Heideggeri, nga një gjë e gatshme për t’u përdorur, kur shkatërrohet, bëhet një gjë jo e gatshme për t’u përdorur. Në këtë moment pajisja është në botë si diçka e dëmtuar, e mangët, ose bllokuese. Pas kësaj faze degradimi pajisja bëhet e dukshme si objekt për të cilin mund të reflektohet dhe duhet reflektuar. Kjo ndodhi edhe me studentët shqiptarë. U desh të degradonte qenia e studentit, deri në atë pikë sa të mos njihej më si i tillë, që qeveria dhe institucionet shtetërore ta vinin re qenien e tij. E kemi lënë pas dekadën e pajisjeve të padukshme që i shërbejnë sistemit. Kemi hyrë në dekadën e pajisjeve të shkatërruara, të cilat tashmë e kanë gjetur zërin për të artikuluar shkatërrimin e tyre.

Peripatos

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤