‘Kur Faik Konica i shkruante Benito Musolinit’

Nga Ilir Ikonomi
Pjesë nga libri: “Faik Konica, jeta në Uashington”

Në fund të vitit 1939 gjendja financiare e Faikut kishte arritur një pikë që e bënte të ndihej i turpëruar. Vazhdonte të jetonte në Mayflower dhe nuk mund të lëvizte dot në një apartament më të lirë pa paguar faturat e hotelit. I ishte drejtuar ministrit të Jashtëm Xhemil Dino në Tiranë, të cilit i kishte kërkuar që, “si njeri i qytetëruar” ta ndihmonte të paguante detyrimet financiare për legatën, por nuk kishte marrë përgjigje.

“Jam bërë për të qarë hallin. Mund të detyrohem të nxjerr në shitje bibliotekën dhe disa punime origjinale të Rodinit”, i shkruante Çatin Saraçit në Londër. Kam ca shpresa nga botuesit, thoshte Faiku në letër, duke iu referuar me sa duket përpjekjeve për të nxjerrë në dritë me disa shtesa dhe ndryshime dorëshkrimin. Një histori e shkurtër e Shqipërisë, i cili për arsye që kanë mbetur të paqarta, nuk u botua nga McBride & Company.

Më 28 dhjetor 1939 ambasada e Italisë në Uashington mori një letër të firmosur nga Faik Konica me lutjen që ajo t’i përcillej Kryeministrit Benito Musolini. Në letër Faiku i kërkonte Duçes dëmshpërblim: katër mijë dollarë paga që duhet të kishte marrë nga qeveria shqiptare dhe 15.000 franga (rreth 5 mijë dollarë) si pensione të papaguara. Ambasada njoftoi Zenone Beninin, Nënsekretar i Shtetit për çështjet e Shqipërisë në Romë. Në shënimin e ambasadës për Beninin thuhej se, “megjithëse zoti Konica, në kohën e pushtimit të Shqipërisë nuk e fshehu zemërimin për atë që ndodhi, e madje para se t’i drejtohej me letër madhërisë së tij Duçes, shkroi në gazetën Dielli një artikull për flamurin shqiptar, të cilin po jua bashkëngjisim, kthimi i parave jo vetëm mund ta bëjë atë të afrohet mjaft në drejtimin tonë, por do të kishte një ndikim të favorshëm në mjediset sa amerikane aq edhe shqiptare, ku zoti Konica vazhdon të gëzojë një farë prestigji duke patur parasysh personalitetin e tij”.

Letra e ambasadës u referohej fjalëve përcëlluese të Faikut kundër italianëve më 7 dhe 8 prill, menjëherë pas pushtimit. Komentet e tij të tharta u botuan ato ditë në të gjithë shtypin kryesor të Amerikës dhe u rishtypën në dhjetëra gazeta lokale. Pak më vonë, në Dielli u botuan edhe artikuj dhe ligjërata të tjera të tij, që të gjitha therëse për italianët, të cilët me anë të agjentëve të tyre e vëzhgonin me kujdes gazetën shqiptaro-amerikane. Vëmendjen e tyre e kishte tërhequr mes të tjerash kryeartikulli i Diellit më 28 nëntor 1939, ku nën titullin “Dita e Flamurit”, Faiku shkruante: Më 7 të Prillit 1939, Flamuri ynë u çduk në gjak; edhe në qoftë se duket, duket i lidhur me litarin e robërisë. Por vazhdon së valuari lirisht në zemër të çdo Shqipëtari që ka sedrë, nder dhe kuptim. Edhe ka për të valuar sa kohë që të mbetet në faqe të dheut një shqipëtar i vërtetë. Sot rojmë në t’errët – po duhet të kemi shpresë se dielli do të dalë përsëri në qiell. As duhet ta unjim nderin e Flamurit duke lidhur fatin e tij me fatin e një njeriu i cili iku me vrap posa dëgjoi zërin e topit duke lënë djemurinë të lëftojnë vetë; dhe kur dolli jashtë dha shumë prova se është me të vërtetë ashtu siç e kanë përshkruar armiqtë italianë: një aventurier pa ndërgjegje dhe pa ment.

Benini, ky 38-vjeçar energjik dhe inteligjent, kishte qenë nënpresident i Korporatës fashiste të Hekurit dhe Çelikut por miqësia e ngushtë me Cianon e kishte sjellë të punonte në Ministrinë e Jashtme. Pasi lexoi letrën dhe shënimin përcjellës të ambasadës, Benini mendoi se kishte në dorë një rast të mirë për ta tërhequr Faikun në anën italiane. Më 3 shkurt Benini i sugjeronte Mëkëmbësisë Mbretërore në Tiranë që kërkesa të shqyrtohej. Jacomoni nuk shprehu ndonjë kundërshtim që paratë të jepeshin dhe sugjeroi që të shihej mundësia e një vizite të Faikut në Itali. Qëllimi do të ishte që Faiku “të njihej me hapat që po ndërmerreshin në favor të popullit shqiptar dhe të hynte në kontakte të dobishme me zyrën e Nënsekretarit të Shtetit”.

Ndërkohë, ambasada italiane në Uashington kishte marrë udhëzime që Faikut t’i lehtësohej kthesa politike. Diplomatët italianë në kryeqytetin amerikan i kuptonin ndjeshmëritë dhe vuajtjet e brendshme të Faikut si shqiptar. Përpara pushtimit, ata quheshin miq me njëri-tjetrin. Faiku nuk mungonte thuajse kurrë në festat dhe sebepet e tyre, ndërsa ata ishin rregullisht të ftuar në drekat e darkat e tij. Faiku kishte shkruar mirë në shtyp mbi projektet italiane në Shqipëri. Natyrisht, nuk mund të harrohej biseda e gjatë, që thuhej se kishte patur me Musolinin në janar 1929, kur ishte ndalur në Romë gjatë kthimit nga Tirana për në Uashington.

Dielli nuk i kishte kursyer lavdet për Duçen, madje në një numër kishte botuar një portret të madh të tij në faqe të parë. Meqenëse pas Luftës Botërore kishte jetuar plot dy vjet në Romë si delegat i Vatrës, Faiku kishte qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me kulturën italiane dhe ishte bërë një studiues i zellshëm i saj. Në Romë kishte patur mik profesorin arbëresh Francesco Argondizza, me të cilin diskutonte gjatë mbi politikat e Italisë. Fliste një italishte të kulluar dhe ishte në gjendje të mbante ligjërata për orë të tëra mbi poetët, piktorët dhe artistët e tjerë të klasicizmit italian apo mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë në shekuj.

Tani, ky individ kaq i lëvduar për thellësinë e dijes dhe dikur një proitalian i shpallur, ndihej si njeri pa shtet dhe i mundur.

Ambasada italiane në Uashington ishte një ndërtesë e bukur prej guri e stilit të Rilindjes së shekullit të 16 ku shquante detaji i pasur mbi portën kryesore. Arkitektura ngjante me një palazzo bashkiak të Italisë veriore. Njeriu më i rëndësishëm i saj, Don Ascanio dei Principi Colonna, ose Princ Colonna siç thirrej rëndom, nuk kishte patur rast të njihej mirë me Faikun, sepse kishte arritur në Uashington vetëm tri javë para pushtimit të Shqipërisë. Në personin e tij dalloje lehtë fashistin e pasur, të lidhur me njëmijë fije me rrethin e Musolinit dhe të Cianos. Colonna, një burrë thuajse në moshën e Faikut, vinte nga një familje e madhe qindravjeçare e Italisë, pinjollët e së cilës historikisht ishin të destinuar për poste ambasadorësh. Përfaqësia diplomatike italiane ndodhej në kryqëzimin e rrugës 16- të dhe Fuller në veri të kryeqytetit. Prej kohe dyshohej se zyrat e saj të mobiluara rëndë ishin kthyer në qendra të propagandës fashiste, ashtu si edhe konsullatat italiane në qytetet e ndryshme të Amerikës. Nga korrespondenca e shifruar që ambasada në Uashington mbante me Nënsekretarin Benini dhe Mëkëmbësinë Mbretërore në Tiranë, del se italianët e njihnin gjendjen e vështirë financiare të Faikut. Ambasadori mendonte se kjo gjendje mund ta shtynte ish-ministrin shqiptar “të hidhej në mjedise armiqësore ndaj italianëve dhe të ndërmerrte veprime kundër tyre”, prandaj afrimi i Faikut duhej bërë shpejt. Ai duhej paguar për të shlyer borxhin e legatës.

Mirëpo kishte hyrë marsi dhe burokracia italiane nuk po lëvizte. I hidhëruar dhe i zhgënjyer, Faiku ia përsëriti kërkesën ambasadorit dhe më në fund qesja u hap. Ishte data 14 mars 1940, kur Faiku nënshkroi para Princit Colonna një deklaratë të shkurtër në italisht ku thoshte se po merrte nga ambasadori i Italisë katërmijë dollarë. Nuk harroi të shtonte në deklaratë se kjo ishte një shumë që i takonte, për shkak të ndërprerjes së funksioneve të qeverisë shqiptare.

Dy javë më vonë, italianët miratuan derdhjen e shumës tjetër prej 15 mijë frangash, të cilat, të konvertuara ishin rreth 3 mijë dollarë. Me këto para, Faiku do të mund të paguante borxhin për ish legatën në Mayflower dhe mund t’i mbetej diçka për shpenzime personale. Benini e informoi kështu Mëkëmbësinë Mbretërore: “Zoti Konica u prek dukshëm nga zemërgjerësia e treguar prej qeverisë italiane pas kërkesës që i drejtoi Duçes dhe shprehu mirënjohje, duke shtuar se do të shikonte me kënaqësi mundësinë për të qenë i dobishëm. Ai premtoi pastaj se do t’i dorëzojë sa më shpejt ambasadorit arkivin dhe vulën e ish Legatës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara”.

Telegrami i Beninit mban datën 7 prill 1940, plot një vit pas ditës së pushtimit të Shqipërisë, kur Faiku deklaroi se më mirë e digjte arkivin e legatës se sa t’ia dorëzonte italianëve. Colonna i informoi eprorët në Romë se Faiku nuk ishte kundër afrimit me Italinë por dëshironte ta bënte këtë pak nga pak. “Siç ma tha edhe vetë – sqaron ambasadori – ai ka qenë gjithmonë një nacionalist, prandaj në një farë mënyre e ndjen si detyrim të mos japë përshtypjen se motivi i interesit personal mund t’ia ndryshojë shpirtin përnjëherësh”. Kompromisi i Faikut me italianët vinte në një kohë kur atij i ishin prerë shpresat se Zogu mund ta ndihmonte financiarisht. Miku i ngushtë i Faikut, Nelo Drizari, i cili në atë kohë punonte si korrespondent i shërbimit të lajmeve NEA, shkruante se Ahmet Zogu i kishte braktisur plotësisht diplomatët e tij në Uashington dhe në Londër. Në Uashington, tregon Drizari, “për Faik Konicën kujdeset një grup patriotësh shqiptarë”.

Faiku i ka bërë më kot thirrje Zogut që ta ndihmojë me fonde vazhdimin e fushatës së pavarësisë në kryeqytetet e huaja, thotë Drizari. Shkrimi u botua në disa gazeta amerikane dhe në të autori i kujton Zogut ndihmën që shqiptarët e Amerikës i kishin dhënë në vitin 1919, kur ai ishte në fund të shkallës politike, duke grumbulluar 250 mijë dollarë për qeverinë e përkohshme. I përmendte pastaj përkrahjen që i kishte dhënë Vatra fillimisht në vitin 1925, kur ishte bërë president dhe më 1928, kur qe shpallur mbret.

Në të vërtetë, duke filluar nga viti 1925, mbështetja e shqiptarëve të Amerikës për Zogun kishte qenë një ndërmarrje e askujt tjetër përveçse e Faikut, prandaj tani ky e ndjente veten të tradhtuar. “Kur e pyetnë Zogun në Thesali pse e kish marrë arkën e shtetit me vete, – do të shkruante më vonë Faiku, – ai u përgjegj se kish pagesa për të kryer në legatat shqiptare jashtë. Këtë detyrë e harroi menjëherë”.

Faiku kishte marrë një telegram nga Çatin Saraçi në Londër, i cili e njoftonte se do ta hidhte Zogun në gjyq për ta detyruar të paguante. Çatini, dikur mik i ngushtë i Zogut dhe tani armik i betuar i tij, e ftonte Faikun të bashkohej me të dhe t’i dërgonte të gjitha hollësitë e borxheve që Zogu i kishte legatës së Uashingtonit.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤