Kush është Izet Haxhia dhe çfarë paralajmëron ai me vetëdorëzimin dhe kthimin në Tiranë…

Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës, i akuzuar për vrasjen e demokratit Azem Hajdarit, ka njoftuar se është vetëdorëzuar në policinë turke, me qëllim ekstradimin më pas drejt Shqipërisë.

Ka qenë vetë Haxhia që ka bërë të ditur vendimin e tij përmes një statusi në ‘Facebook’.

“Meqë nuk erdhen të më marrin, u dorëzova vetë në policinë turke,” shkruan Haxhia, ndërkohë që ende nuk ka ende informacione zyrtare rreth këtij fakti.

Sipas News24, Haxhia e ka konfirmuar për ta vetëdorëzimin.

Kujtojmë se ekstradimi i tij drejt Shqipërisë u vendos nga gjykata turke pak muaj më parë.

Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg lidhur me vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari në 1998-ën, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar asnjëherë.

Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2006, por arriti të fitonte betejën gjyqësore dhe drejtësia e vendit turk ka urdhëruar që ai të mos largohet nga vendi, duke penguar edhe ekstradimin deri tani.

Pasi Sali Berisha erdhi në pushtet, kërkoi kthimin e emrit të tij në listën e Interpolit. Por vetëm 1 muaj më parë Gjykata turke vendosi që të lejonte ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

***********************************

Izet Haxhia mbetet ndër emrat më të përfolur që qëndron në arrati, pasi të tria shkallët e gjykatës në Shqipëri e kanë dënuar me 25 vjet burgim, si një ndër organizatorët dhe më pas bashkëpunëtorët në vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari, ngjarje e ndodhur më 12 shtator 1998.

Shumëkush e njeh si truprojë të ish-presidentit Sali Berisha, por Izet Haxhia nuk vinte as nga radhët e gardës dhe as si “i fortë” për të mbrojtur personalitetet e vendit.

Ai ishte student i mjekësisë kur e la këtë shkollë të lakmueshme pas një sherri të ndodhur në konviktin e mjekësisë dhe iu bashkua rojeve personale të Berishës.

Ishte ndër besnikët e presidentit të asaj kohe, por duket se gjithçka u kris, që pas vrasjes së Azem Hajdarit. Sipas gjykatës, Haxhia jo vetëm që ishte në dijeni të organizimit për të kryer atentatin, por ka ndihmuar Fatmir Haklajn që të nxirrte në pritë Azem Hajdarin.

Pavarësisht se ai u shpall në kërkim vetëm pak ditë pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia mundi të arratisej jashtë vendit dhe u kap në Turqi në vitin 2007.

Ekstradimi nuk u krye pasi Haxhia nisi proceset gjyqësore në Turqi. Akuzat e ngritura janë mohuar gjatë gjithë kohës nga Izet Haxhia, duke bërë përgjegjës për eleminimin e Hajdarit, ish-presidentin Sali Berisha.

Bashkë me Izet Haxhinë gjykata dënoi edhe dy vëllezërit e tij Isamedin dhe Ismet Haxhia, të dyshuar si bashkëpunëtorë të cilët e kanë përfunduar dënimin prej disa kohësh.

Pas më shumë se një dekade sorrollatje me gjyqësorin, Gjykata e Lartë e Turqisë dha vendimin për ekstradimin e tij. Izet Haxhia sot është vetëdorëzuar në policinë turke.

“Meqënëse nuk erdhën të më merrnin u dorëzova vetë”, – është shprehur ai.

Fillimisht, Izet Haxhia nuk e priti mirë vendimin.

“…Besoj se me këtë vendim fillon edhe kapja e ‘peshqve të mëdhenj’ të krimit e korrupsionit 27 vjeçar në Atdhe”, u shpreh ai.

Por çfarë ka në plan të bëjë Izet Haxhia me vetëdorëzimin dhe për pasojë përshpejtimin e rikthimit të tij në Shqipëri?

Ai ka deklaruar përmes intervistash se, bazuar në Konventën Ndërkombëtarë të të Drejtave të Njeriut, do të rihapë çështjen “Hajdari” me gjasë në Strasburg

“Pres që të rihapet çështja Hajdari pasi gjyqi i zhvilluar për atë çështje ka qenë komplet i manipuluar nga të dy krahët politikë dhe në bashkëpunim të plotë mes tyre është dhënë dënimi im i padrejtë…”, është shprehur ai.

Izet Haxhia ka paralajmëruar gjithashtu se do të dëshmojë të vërtetat që ai di në lidhje me vrasjen e Azem Hadjarit dhe njerëzit e implikuar në të.

Por cilat janë të vërtetat sipas tij?

“I qëndroj të gjithave çfarë kam thënë deri më sot si për Berishën, ashtu edhe për çdo person tjetër dhe në qoftë se drejtësia e pavarur ma krijon mundësinë të dëshmoj para saj, unë do ta bëj këtë”, është përgjigjur ai disa herë.

Kthimi në Shqipëri i Izet Haxhisë, pritet të rihapë letra të vjetra, në një kohë kur në Tiranë është rritur së tepërmi presioni ndaj opozitës për të qënë kontributore ndaj marrjes së një vendimi pozitiv në qershor për hapjen e negociatave me Brukselin. Dhe jo vetëm.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤