Merita Rexha Tërshana, Një çikliste në timonin e makinës

 

merita 

Profesioni i saj është shumë larg të dyjave, pasi  Merita ka një karrierë të gjatë si pianiste. Por kur nuk është duke luajtur mbi tastat e pianofortes,  gishtërinjtë i ka të fiksuar fort mbi biçikletë. Do të pyesni ç’hyn biçikleta në një rubrikë ku flitet për makinat?!   Sepse ajo  nuk  pëlqen aspak të ngasë makinën.  Lexoni një histori krejt të pazakontë të një shofereje të mirë që e urren timonin dhe arsyet pse!

 

Për Lisjan, Vanesën dhe Arbin  është një e shtunë jo fort e zakonshme.  Është hera e parë që në shëtitjet rituale të  fundjavave e shohin  mamanë e tyre në timonin e Land Rover-it  të madh që besnikërisht i ka shoqëruar në aventurat e tyre të këndshme familjare.   Mami Merita, pianistja e mirënjohur e skenave dhe pedagogia e Akademisë së Arteve, me veshje sportive larg atyre solemne të koncerteve klasike manovron gishtërinjtë mbi timonin e makinës sikur të ishte duke luajtur një pjesë muzikore përpara një audience të zgjedhur kritikësh, pas një kohe të gjatë shkëputjeje. Sepse Merita Rexha Tërshana  nuk e ka ngarë makinën që nga koha kur mori patentën, në vitin 1995.

“Është pak e çuditshme që jam tamam në  këtë rubrikë,  por mua nuk më pëlqen makina.

Nuk më  pëlqen ta ngas, nuk më  pëlqen të udhëtoj me makinë, nuk më pëlqen ndotja që shkaktohet nga tymi që lëshon makina” –  të habit Merita me deklaratën e saj dhe nuk ndalet aty me refuzimin që i bën automobilave, por vijon duke pohuar se nuk ka pasur kurrë një makinë të sajën dhe nuk ka ndërmend të blejë një në të ardhmen, edhe pse i numëron thuajse 20 vite nga koha kur u pajis me një licencë për drejtim automjetesh dhe madje e kaloi provën e praktikës në kushte të vështira. “Ishte një ditë me erë  e shi të  furishëm janari, ku nuk ishte shumë  e lehtë  të  ngjisje rrugën e Dajtit, me komisionin me policë  në  sediljet e pasme.  Po shkoi shumë  mirë dhe e mora patentën pa problem”. E kujton se ishte e lehtë si një lojë për të. “Ndoshta ngaqë kisha përvojë të gjatë  si çikliste”. Pikërisht si çikliste e përkufizon veten të zonjën, aq sa do të dëshironte të lëvizte jo vetëm në rrugët e  Tiranës, por edhe nga një qytet në tjetrin, në ato rrugët e vogla dytësore që të lejojnë të kesh kontakt më të afërt me natyrën e të shkrihesh në gjelbërim. “Por sikur të mos ishte aq e rrezikshme dalja me biçikletë dhe sikur  të kishte trena dhe në Shqipëri si në  vendet e tjera të  Europës”.  Do të dëshironte një linjë si ajo famëmadhja “Orient Ekspres”  që t’i binte kryq e tërthor Shqipërisë e tutje…

Por në pamundësi që ëndrrat e saj prej artisteje idealiste dhe e dashur me mjedisin,  transportin për udhëtimet jashtë Tiranë e  ka  zgjidhur me makinën “Land Rover Discovery 3” , të cilën e drejton bashkëshorti i saj e ku të pestë, bashkë me fëmijët,  kanë kaluar sa e sa aventura të bukura udhëtimesh të gjata për të mbërritur në destinacione pushimesh e jo vetëm.

“Është makinë shumë komode dhe për mua e bukur” – thotë Merita duke i dhënë hakun e duhur  vlerave të automobilit të madh e sportiv,  që për një familje me pesë anëtarë që udhëtojnë gjithmonë së bashku është i domosdoshëm.  Ndaj edhe familja e tyre nuk ka dëshirë t’i ndërrojë shpesh makinat. “ Kur makina ecën mirë, është komode dhe e sigurt për familjen,  pse ta ndërrosh?!”.

Megjithëse Merita këmbëngul në pohimin e saj se nuk i pëlqen udhëtimet me makinë, pasi për të është  një bezdi të udhëtuarit mbi katër rrota- aq sa mezi pret të zbresë prej saj-  dhe parapëlqen mjetet  si avionë apo trena, i shijon shumë udhëtimet kur në bord ka pasagjerët e saj të preferuar; dy vajzat dhe djalin e saj.

“Kam shumë  qejf të  udhëtoj me fëmijët e mi. Udhëtimi me ta është gjithmonë shumë  interesant. Në  shtëpi  na qëllon gjithnjë e më  shpesh që  secili të  merret me punët e veta; detyrat,  kompjuteri, librat…E shfrytëzoj kohën që jemi në  njëfarë mënyre “të detyruar” të rrimë së bashku për të folur për argumente të ndryshëm, për të  treguar eksperienca tona, por  edhe për të  luajtur. Kemi shpikur shumë  lojëra që  i bëjmë në  makinë.  Për shembull një nga lojërat e preferuara është të  gjejmë  sa më shumë fjalë  me shkronja të  caktuara dhe gjëra të këtij lloji. Kështu rruga ndjehet më  pak dhe ne kalojmë kohë  të bukur së bashku”.

Një kohë e bukur që ëmbëlsohet nga tingujt e muzikës që është gjithmonë e përzgjedhur në rrymat klasike dhe jazz. “Megjithatë vajzat kanë  preferencat e veta, kështu që dëgjojmë  dhe “One Direction”. Por  na qëllon të  jemi të papërgatitur dhe të dëgjojmë radio”- vijon të rrëfejë Merita ndërsa qëndron për herë të parë në timon pas shumë vitesh dhe kjo për  të realizuar shërbimin fotografik  për revistën “Madame” që duket se ia ka rizgjuar edhe njëherë shqisat e shoferes.

“Ajo që  më pëlqen më  pak në  një udhëtim me makinë,  është autostrada. Përgjithësisht nuk sheh asgjë. Vetëm  makina .  Është  dhe e rrezikshme”. Ndaj preferon ato rrugët si ajo që e çon në kopshtin botanik, ku e di se do të shohë pak natyrë dhe ku e di se nuk do të ketë ndonjë makinë që do i kalojë në krah me shpejtësi si rrufe.   “Nuk më  pëlqen shpejtësia e pakontrolluar, sepse sado shofer i mirë  të  jesh,   gjërat në rrugë nuk varen vetëm prej teje. Më mirë  shkon disa minuta më vonë,  por e  sigurt”.

Një filozofi që e ka forcuar edhe më pas një episodi të frikshëm disa vite më parë në Stamboll, ku ca shenja të mbetura ia kujtojnë  të freskët edhe sot e kësaj dite.

“Nuk do ta harroj kurrë një episod  të frikshëm në  makinë. Duke shkuar në  aeroportin e Stambollit  për t’u kthyer në Tiranë,   një  kamion i madh para nesh humbi kontrollin dhe erdhi u përplas me makinën tonë. Për fat shpëtuam mirë, vetëm me thyerje të lehta kockash, por mund të  kishte shkuar dhe shumë  më  keq. Kam akoma një pjesë  hekuri në sup që  më  kujton sa me fat kemi qenë  që  shpëtuam me aq. Ky episod ndoshta e ka shtuar dhe më  shumë  mosqasjen time ndaj makinës”- zbulon pianistja, duke shtuar – “Çdo njeri i papërgjegjshëm është i rrezikshëm në timon, qoftë ky femër apo mashkull” .

Ajo vetë shumë e përgjegjshme dhe e kujdesshme në timon, e kthen makinën në drejtim për nga shtëpia, pas shëtitjes së të shtunës që i habiti fëmijët, të cilët  kuptuan se mami Merita thjesht ka zgjedhur të mos  e ngasë makinën, por si shofere është shumë e zonja…. E dinë që ndoshta do jetë edhe hera e fundit që e shohin kështu dhe nga nesër ajo do të vijojë të jetë në vendin e pasagjeres ose si një çikliste e shkathët që nxiton të kryejë punët e përditshme mbi biçikletë.merita3

merita 2

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤