Muhamed Veliu: Kasetat e gatshme, rreziku më i madh i mediave pas “fake news”

Me një shqipe që flitej me theks londinez gazetari Muhamed Veliu u bë i njohur për publikun shqiptar shumë vite më parë pikërisht për raportimet e tij nga kryeqyteti britanik, ku jetojnë dhe shumë shqiptarë. Ndërkohë që studionte në Londër punonte si korrespodent i televizionit Top-Channel, ku punoi shumë vite dhe pasi u kthye nga Britania. I është rikthyer sërish mikrofonit në terren këto ditë duke lënë “komoditetin” e një drejtori informacioni në Report Tv.

Emri i tij dhe puna e tij ngjalli shumë debate publike disa javë më parë pas një interviste që i mori Xhisiela Malokut, vajza që denoncoi për dhunë djalin e një deputeti. Një intervistë ku Veliu nuk e pyet vajzën për shumë gjëra që kishin të bënin me dhunën. Veliu e sqaron këtë moment në intervistën për Media-trend në MAPO.

Muhamed, keni hequr dorë nga detyra si drejtor informacioni në një televizion për t’ju rikthyer gazetarisë në terren me mikrofonin e Top-Channel, aty ku e nise gazetarinë… çfarë ndodhi? Pse një zgjedhje e tillë?

Është një pyetje që më është bërë shpesh këto ditë. Që prej Prillit 2016 kur unë u largova nga Top-Channel për arsye tërësisht personale më është dashur të kem disa angazhime jashtë edhe brenda medias, më e fundit për 17 muaj të drejtoja redaksinë e lajmeve në Report TV që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme pasi nga një tv gjeneralist si Top-i m’u desh të menaxhoja një strukturë krejt tjetër, ku lajmi fundit është ADN-ja e Report TV. Mësova shumë dhe punova me një staf gazetarësh, operatorësh, teknikësh, montazhierësh të cilët unë i quaj heronj në atë që bëjnë në atë TV, përballë kushteve teknike, burimeve njerëzore dhe një ritmi pune, i gatshëm çdo moment për të qenë i pari me lajmin e fundit. Por çdo ditë e më shumë e pash veten të “izoluar” nga fushë-beteja e përditshme e lajmit që është terreni. Në të tilla kushte bëra një zgjedhje të natyrshme t’i rikthehem terrenit dhe në Top-Channel për vetë faktin se gjatë këtyre tri viteve shumë njerëz kujtonin se unë vijoja të isha në Top-Channel.

Ishte një rikthim në “familje” apo një zgjedhje e sforcuar nga tregu ky rikthim?

Nuk ishte aspak një zgjedhje e sforcuar në një treg mediatik të larmishëm, por jo kualitativ. Menjëherë pasi u mor vesh largimi im nga Report TV disa media më kontaktuan të më kishim pjesë të tyre duke më propozuar projekte shumë serioze dhe të rëndësishme. Por zgjodha Top-Channel pasi edhe gjatë këtyre tri viteve që unë isha larguar nga kjo media shumë njerëz vijonin të kujtonin se unë punoja përsëri për këtë logo. Ishte një zgjedhje e natyrshme siç edhe ju me të drejtë e thatë një rikthim në familjen e madhe të Top-Channel.

Së fundmi, emri juaj u bë pre e sulmeve publike pas një intervistë që morët me Xhisielën, vajzën që denonconte si dhunues djalin e një deputeti socialist? Çfarë ndodhi realisht me atë intervistë? Pse u sulmuat ju? Po t’i ktheheni pas a do t’i bënit pyetje të tjera që atë ditë nuk ia bëtë?

Faleminderit për pyetjen. Nuk kam folur asnjëherë se çfarë ndodhi me atë intervistë dhe sulmet e shumta nga ata të cilët bëjnë gazetari zyre. Intervistën supozohej ta bënte një tjetër koleg i Report TV, por për një angazhim që kishte m’u la mua ta intervistoja. Xhisiela vendosi kushte përpara intervistës; Ta pyesja për gjithçka, por jo dhunën që kishte ushtruar i dashuri. Në të tilla kushte respektova kushtin e saj. Në manualet e gazetarisë botërore njihen të tilla intervista me kusht. Në shtator të vitin 2018 Monika Lewinsky la studion e televizionit izraelit “Hadashot News” pasi gazetarja e pyeti për diçka që paraprakisht kishin rënë dakord mos ta pyeste. Ka plot raste të ngjashme. Natyrisht intervista me Xhisielën nuk ishte ajo që doja unë, por respektova vendimin e saj mbi të gjitha duke mos i treguar identitetin pasi për mua ajo është një vajzë e dhunuar. Nuk më ka shqetësuar aspak histeria e sulmeve që shpërtheu ndaj meje madje pati edhe nga ata që kërkuan arrestimin tim pasi isha unë i pari që e intervistova. I vetmi “faj” i imi në të gjithë këtë histori ishte se nuk i shpjegova publikut në nisje të intervistës se ishte një e tillë me kusht.

Gjatë këtyre viteve provuat dhe zyrat e shtypit, gjë që shumë gazetarë me eksperiencë po e bëjnë, pra po lënë gazetarinë për t’iu përkushtuar PR-it. Si u ndjetë në këtë pozicion?

Të kalosh nga gazetaria aktive e terrenit në PR në pamje të parë të duket se je brenda të njëjtës fushë loje, por për mua rezultoi e kundërta. Janë dy botë që ecin paralelisht, por mendoj se janë të kundërta. Nëse në gazetari ti raporton atë shikon apo çfarë deklarohet, në PR duhet të fshehësh, ka raste edhe t’i zbukurosh gjërat për hir të institucionit ku punon. Pale pastaj po të flasim për disa institucione që e shikojnë PR-in si thelbin e suksesit apo dështimit dhe medoemos i varin shpresat te njeriu që mban atë post. Gjithsesi është një fushë interesante e cila dita-ditës edhe në Shqipëri po zhvillohet me plus minuset e saj.

Dhe meqë jemi te PR-i, në televizionet shqiptare po ndodh një fenomen i pazakontë vitet e fundit. Nuk ka më gazetarë në terren, por ka video të gatshme nga zyrat e PR-it të zyrtarëve apo politikanëve ose aktivitete me regji direkte. Si rrjedhojë ku është televizioni shqiptar në raport me të vërtetën, sipas jush?

Kjo është një e keqe e madhe, madje do ta konsideroja si rrezikun më të madh pas “Fake News” që po e dëmton median shqiptare. Por është detyra e të gjithë gazetarëve të mos mjaftohen me atë çfarë u serviret, por të hulumtojnë e insistojnë për të marrë atë informacion që ka vlerë për lexuesin apo shikuesin e lajmeve. Gazetaria ka mision të informojë qytetarin dhe jo t’i bëjë makijazh politikës dhe të servirë atë që do politika.

U bëtë i njohur si korrespodent i Londrës me raportimet që përfundonin gjithmonë me shprehjen; “Për TCH Muhamed Veliu nga Londra,”, aq sa kjo shprehje u kthye si një batutë popullore. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë? Ku është më vështirë të bësh gazetari, në Tiranë apo në Londër?

Është e vërtetë kjo që thoni. Pak kohë pasi isha kthyer nga Londra në vitin 2011 dikush kishte hapur një grup në Facebook e kishte quajtur “Na mungon Muhamed Veliu Top-Channel Londër”. Kam qeshur e njëkohësisht u gëzova që kisha lënë gjurmë me raportimet e mia nga Anglia, ku unë u formova si gazetar dhe falë punës konstante të përditshme them se ia arrita të kthehem në zërin e komunitetit shqiptar atje. Kam kujtime të shumta dhe ndiej keqardhje që nuk kam gjetur ende kohë t’i hedh ato kujtime në një libër që do ta quaja “Ditari i një korrespondenti ndërkombëtar” pasi janë shumë e shumë ngjarje të raportuara nga Londra fillimisht në Gazeta Shqiptare, News24 dhe për plot 6 vite në Top-Channel, të cilat janë kthyer në Shqipëri në faqe të para gazete apo lajm i parë në televizionet ku kam punuar. Nuk ka rëndësi vendi për të bërë gazetari të mirë. Natyrisht Anglia kishte një larmi lajmesh pasi unë nuk raportoja vetëm lajme që lidheshin me emigrantët shqiptarë, por e rëndësishme ishte mënyra e të sjellit të lajmit, intensiteti i tyre dhe korrektësia. Pikërisht ky intensitet lajmesh më bëri pothuajse të përditshëm në ekranet e shqiptarëve e si pasojë të njohur. Edhe Londra kishte vështirësitë e veta më shumë jo në gjetjen e tyre, por në atë si priteshin këto lajme nga ata që lexonin dhe i ndiqnin pasi ka shumë njerëz që lajmet negative duan t’i fshehin nën rrogoz dhe kjo jo në pak raste ka prodhuar sulme të ashpra ndaj meje. Megjithatë kjo është pjesë e profesionit që kam zgjedhur. Jam i lumtur për korrektësinë e atyre lajme që mbajnë firmën time pasi gjithmonë kam raportuar dhe nuk kam bërë lajme me komente personale. Të njëjtën gjë bëj edhe sot dhe do ta bëj deri në fund të karrierës sime pasi për mua kanë vlerë vetëm faktet dhe asgjë tjetër.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤