Mustafa Nano: “Kjo është një opozitë e demoralizuar, po gjuan ndonjë pakënaqësi të grupeve të veçanta”

Analisti Mustafa Nano e konsideron të drejtë kauzën qytetare, pavarësisht “paligjshmërisë” në ndërtime, por e quan të panevojshme politizimin e çështjes nga opozita.

Protesta e së enjtes përballë Parlamentit nga banorët e Unazës së Re që preken nga ndërtimi i rrugës degradoi në akte dhune me policë e qytetarë të plagosur. Kjo situatë u shfrytëzua nga aktorët politikë, ndryshonin në kahet ku qëndronin, por jo në formën si shfrytëzohen fenomene të tilla sociale. Pse politika jonë ka mbetur në këtë stad, ku në mos nxitje të drejtpërdrejtë, indirekt kërkon të ndërtojë kauza në këtë formë?

Një sjellje e tillë politike ndodh kudo ku motivimi kryesor është ardhja në pushtet apo mbajtja e pushtetit me çdo kusht. Dhe Shqipëria është një nga këto vende, ku partitë nuk ngrihen mbi ide e programe. E vetmja ide, i vetmi program i partive politike te ne është – përsëris pasi më duket që është gjëja më e rëndësishme – të vinë në pushtet e të qëndrojnë në pushtet. Me këtë “ide a program” ua marrin mendjen njerëzve. Ata njerëz që dalin në protestë, e që përdorin dhunë, nuk e bëjnë këtë gjë në mbrojtje të interesit publik, apo në mbrojtje të ndonjë kauze, të cilën e kanë shumë për zemër. E bëjnë se duan të vijnë në pushtet. Ngrenë zërin kundër korrupsionit sepse duan të jenë ata që e bëjnë korrupsionin.

Dhe meqë jemi në këtë pikë, vëreni debatin publik! I gjithi është i dominuar nga retorika kundër korrupsionit. Në asnjë vend tjetër të Europës nuk flitet kaq shumë kundër korrupsionit, e nuk denoncohen kaq shumë bëma e afera të supozuara korruptive, sa kjo gjë bëhet në Shqipëri. Përse ndodh kjo? Ngaqë ka ndjeshmëri të mëdha nga përdorimit abuziv të pushtetit? Ngaqë korrupsionin shqiptarët nuk e durojnë dot? Ngaqë shqiptarët kanë ndonjë standard moral të lartë? Apo ngaqë opozitën e kemi të pastër si kristali? Jo, nuk është asgjë nga këto. Këtu flitet kundër korrupsionit sepse të gjithë janë të korruptuar. Jemi të gjithë të korruptuar. Qeveria në radhë të parë, por edhe opozita. Madje, edhe opinionbërësit. Pjesa më e madhe e tyre të bëhet se kanë motive korruptive në kritikat e tyre. Prapa britmave për të dalë në protestë, për t’u ballafaquar fizikisht, për të përdorur dhunë, për të dhunuar institucionet, për ta bërë dynjanë tym e flakë, qëndron padurimi për të rrëzuar një qeveri që nuk u ka krijuar atyre mundësi abuzimi, e që këto mundësi ua ka krijuar të tjerëve.

Politizimi i protestave i ndihmon apo dëmton qytetarët që dalin të protestojnë para institucioneve për çështjet të cilat preken? Duke u ndalur në faktorin politik a po kalon opozita aktuale nga lufta institucionale në atë të “rrugës” duke qëmtuar çdo pakënaqësi popullore, qoftë edhe me çështje që prekin grupe të caktuara njerëzish?

Kjo është një opozitë e demoralizuar. Nuk ka fuqi të ngrejë një alternativë të denjë konkurruese, dhe sikur të mos mjaftojë kjo, i ka mbushur mendjen dhe vetes se Edi Rama është i pamposhtshëm në një garë elektorale. E vërteta mbetet se Edi Rama është një lojtar i fortë, dhe është i tillë edhe për arsye të përdorimit të pushtetit si një agjent elektoral (ves i vjetër ky i politikës shqiptare), por ai është i mundshëm gjithsesi. Duhet thjesht një alternativë që ta mundë. Po Lulzim Basha nuk beson më te ky version apo te ky skenar. Ai nuk beson se mund të fitojë zgjedhjet. E vetmja shpresë e tij është që të nxjerrë ndonjë fitim prej demonizimit të mazhoranncës. E vetmja shpresë pra është që shqiptarëve t’u vijë në majë të hundës prej Edi Ramës, e kështu të mos i çajnë kryet se kush do vijë pas tij. Prandaj ka zgjedhur që çdo ditë të denoncojë, të denoncojë, të denoncojë… E krahas kësaj, gjuan ndonjë pakënaqësi të grupeve të veçanta, dhe iu bashkëngjitet këtyre grupeve. Nuk janë ata promotorë të protestave. Ata janë thjesht përfitues hileqarë. E keni vënë re? Sapo u ngritën qytetarët e Kukësit, PD-ja u përpoq ta bënte të vetën atë protestë. Sapo u ngritën aktorët e teatrit, PD-ja e mbajti frymën mes tyre. PD-në po e shohim në fund të bëhet bashkë me qytetarët e Unazës së Re. Dhe po ua bën pis atë protestë, duke mobilizuar grupe të dhunshme. Unë nuk e di nëse një protestë paqësore e qytetarëve të Unazës së Re, e pandotur nga interesat politikë të opozitës, do të jepte më shumë frute apo jo, por jam i sigurt se pjesëmarrja e opozitës, sidomos ushtrimi i dhunës, veç punë u ka prishur atyre njerëzve.

PD-ja e ka dëmtuar protestën e qytetarëve të Unazës së Re edhe duke e devijuar qëllimin e asaj proteste. Problemi në këtë mes është vetëm halli i atyre qytetarëve, të cilëve rrezikohet t’u shemben shtëpitë e ndërtuara pa leje. Ndërsa PD-ja ka nxjerrë në plan të parë korrupsionin që fshihet prapa këtij investimi. Dhe i gjithë debati po anon nga ky shqetësim i PD-së, duke lënë në hije hallin e qytetarëve. Në fakt, personalisht ndihem i lodhur prej këtij zakoni për të parë një vjedhje prapa çdo pune publike. Ma shpif kjo gurgule. Dhe jo sepse zërat për korrupsion janë të pathemelta. Jo, nuk është kjo. Në këtë Shqipëri të korruptuar, vetëm me dyshimin apo akuzën për korrupsion nuk mund të dalësh huq. Është e sigurt që qëllon në shenjë. Por puna është se kjo ka ndodhur gjithnjë. Dhe këta të opozitës e dinë më mirë se të gjithë këtë gjë. E dinë sepse i kanë bërë vetë të gjitha. Kjo është arsyeja që kjo luftë kundër korrupsionit të lodh. Dhe të fyen.

Duke u ndalur në protestën e banorëve të Unazës së Re që kërkojnë dëmshpërblim 100 % të vlerës së tregut për objektet që i kanë ndërtuar pa leje në dekadat e fundit, a duhet të trajtohen sipas kërkesave të tyre? Si kundërpeshë është edhe perceptimi se përse duhet që nga taksat e qytetarëve që janë “strikt me ligjin” të paguhet kjo kategori personash që kanë zënë prona dhe ndërtuar në kundërshtim me ligjet?

Shikoni, edhe një budalla e kupton se qeveritë shqiptare kanë bërë një gjë të poshtër, ndoshta më të poshtrën, duke mbyllur sytë, e në ndonjë rast duke inkurajuar ndërtimet pa leje mbi prona publike apo mbi prona të të tjerëve. Në këtë kuptim, legalizimi është plaçkitja më e madhe që është bërë ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Legalizimi i ndërtimeve pa leje, ngado që t’i vish rrotull, do të thotë të dorëzohesh para pjesës më të keqe të shoqërisë shqiptare. Unë vetë pra do të veçoja si pjesën më të keqe të shoqërisë këta mijëra vetë që kanë zaptuar prona që nuk kanë qenë të tyret, dhe që e kanë vendosur shoqërinë në presionin e madh të legalizimit. Por ka një pjesë më të keqe sesa këta. Kjo pjesë më e keqe janë qeveritë shqiptare që i kanë lejuar dhe inkurajuar.

Dhe kështu, erdhi një ditë që ne u ndodhëm para faktit të kryer. Me dhjetëra mijëra shtëpi, prona, biznese ishin të paligjshme. Si i bëhej? Praktika botërore në këtë lëmë na mëson se e vetmja rrugë në këtë rast është legalizimi. Kur ndërtimet pa leje janë me mijëra, zgjidhja nuk është prishja. Dhe ne të tjerët, ne që nuk kemi ndërtuar asgjë pa leje e që jemi të vetmit të dëmtuar në këtë mes, e pranuam këtë zgjidhje. Sepse nuk kishte rrugë tjetër. Holandezët thonë: Kur një ligj të caktuar nuk e respektojnë me qindra mijëra qytetarë, zgjidhja nuk është të futësh në burg qytetarët, por të abrogosh ligjin. Por kjo zgjidhje duhej pranuar edhe për një arsye tjetër. Nëse ti lejon dikë për më shumë se dhjetë vjet të rrijë në një ndërtim pa leje, ti e ke lejuar atë që të krijojë një marrëdhënie të fortë me pronën e tij. Ai fillimisht ka jetuar në atë shtëpi të ndërtuar pa leje gjithë frikë. Por ngadalë-ngadalë, duke parë se askush nuk e ka ngarë, ai ka fituar ndjesinë e pronësisë, ka zënë të investojë më shumë, ka menduar që në një pjesë të investimit të ngrejë një biznes, e kështu  me radhë. Në këto shtëpi kemi njerëz që kanë qenë 3, 4, 5 vjeç në krye të herës e që sot janë bërë 20 vjeç dhe që ndihen të bërë njësh me atë pronë. Nuk është faji i tyre. Dhe të gjitha ëndrrat e tyre janë të lidhura me këtë shtëpi. Ky është problemi me ata qytetarë të Unazës së Re. Ata janë lejuar për më shumë se një dekadë që të jetojnë me idenë se ato shtëpi janë të tyre, dhe në këtë mes, përveç kohës që ka rrjedhur, ka ndikuar edhe premtimi i të gjithë gangsterëve politikë për t’ua legalizuar ato prona. Në këtë kuptim, unë i kuptoj ata njerëz të dëshpëruar. Ato shtëpi legalisht nuk janë të tyret, por ata nuk ka pse të mos i shohin si të tyret, sidomos kur shtëpi të njëjta janë legalizuar gjetkë. Shkatërrimi pa asnjë shpërblim i shtëpive të tyre do të ishte një tragjedi në jetën e tyre. Po të ishin vetëm këta që kanë ndërtuar pa leje, asnjë keqardhje nuk do kishte pse të kishim për këta qytetarë të padenjë. Sepse të padenjë janë. Duhet ta dinë këtë. Duhet t’u thuhet kjo gjë. Por puna është që këta nuk janë të vetëm. Dhe të tjerëve u janë legalizuar. Atëherë? Atëherë, zgjidhja është që qeveria të mendojë shpërblime më të mëdha, në mënyrë që kjo ngjarje të jetë sa më pak dramatike të jetë e mundur në jetën e tyre. Dhe faturën do ta paguajmë ne të tjerët. Dhe doni t’ju them një gjë? Ne qytetarët e rregullt e kemi hak ta paguajmë këtë faturë. Sepse ne nuk kemi mundur të mobilizohemi kundër ndërtimeve pa leje në kohën e duhur në mënyrë që t’i bënim qeveritë e ndyra të vepronin.

Në analizën e situatën jo vetëm aktuale por në dhjetë vitet e fundit, ka një “film të përsëritur” në mënyrën si degradojnë protestat qytetare. Kur Partia Socialiste ishte në opozitë i shfrytëzonte këto raste dhe dilte në krah të protestuesve, gjithashtu ishin edhe një nxitje për dhunë ndaj punonjësve të policisë. E njëjta situatë përsëritet edhe sot nga opozita aktuale PD dhe LSI. Pse politizimi është kaq i madh edhe për çështje të cilat në thelb janë problem qytetar?

Një gjë duhet thënë pa asnjë ndërdyshje. Asnjë kërcënim për dhunë nuk duhet të pasohet me lëshime. Madje kërcënimet për dhunë duhet të jenë arsye që të mos bëhet asnjë lëshim. Lëshimet duhet të vijnë veç si pasojë e negocimit. Dhe në këtë histori, unë dalloj veç një kategori horrash. Janë ata që bëjnë thirrje për dhunë kundër institucioneve, kundër policisë, kundër shtetit. Këta janë horrat e horrave. Dhe Shqipëria nuk duhet lënë në dorë të tyre. Më mirë në dorë të një qeverie të keqe sesa në dorë të një anarkie. Dhe ne shqiptarët që kemi kaluar vitin 1997 e dimë më mirë se të gjithë këtë gjë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤