Pier Paolo Pasolini: Mish dhe qiell

Aida Baro dhe Edon Qesari sjellin në një libër poezi të zgjedhura nga Pasolini
“Mish dhe qiell” quhet përmbledhja poetike që e sjell Pier Paolo Pasolinin në një libër për lexuesin shqiptar. Libri është një përmbledhje me poezi kushtuar kryesisht të rinjve. Përzgjedhja e bërë me kujdes është shumë kuptimplotë për t’i shoqëruar lexuesit dhe veçanërisht të rinjtë në botën e poetit Pier Paolo Pasolini. Përmes tyre del në pah fuqia e tij shprehëse dhe përfytyruese. Boshti rreth të cilit enden të gjitha poezitë është dashuria, si një fjalë kyç drejt zemrës së rinisë, si dhe angazhimi qytetar, si shenjë e një vetëdijeje të pjekur shoqërore. Këto poezi mund të lexohen, të recitohen, të kopjohen, të dhurohen: për të gjithë të rinjtë që, falë një libri, arrijnë të shprehin ndjenjat e tyre më të thella dhe komplekse. Nën shqipërimin e Aida Baros dhe Edon Qesarit libri vjen në librari nga botimet Pegi.

Libri është i pajisur me një indeks të përgjithshëm të veprave të Pasolini-t, në letërsi, kinematografi, teatër etj.

“Vizioni im është apokaliptik. Por sikur pranë tij dhe ankthit prej të cilit lind, të mos kisha brenda vetes edhe një element optimizmi, domethënë mendimin se ekziston mundësia për të luftuar kundër gjithë kësaj, nuk do të isha duke folur këtu, mes jush,” është një prej deklaratave më të forta të Pasolinit, me vlerë të gjithkohshme dhe të përbotshme. “Pasolini ishte një figurë qendrore e kulturës sonë, poet që shenjoi një epokë të tërë, regjisor gjenial, eseist i pashtershëm” shprehej shkrimtari i njohur Alberto Moravia.

Pasolini ishte një artist i ethshëm dhe i shumanshëm, i ngjashëm me Bembo-n (teoricien, kritik dhe poet), me Aretino-n (polemist dhe vargëzues), me Michelangelo-n (piktor, skulptor, shkrimtar), për të mospërmendur Leonardon (të cilin Paul Valery e vendosi mes ‘engjëlve të morfologjisë’, shprehej Valerio Magrelli. Pier Paolo Pasolini ishte poet, shkrimtar, regjisor, skenarist, dramaturg dhe gazetar, një nga intelektualët dhe artistët italianë më të mëdhenj të shekullit XX. Ai ishte vëzhgues i hollë i ndryshimeve që pësoi shoqëria italiane pas luftës së dytë botërore deri në mes të viteve ’70, si dhe një figurë kontroverse, që nxiti polemika dhe debate të pareshtura për shkak të radikalizmit që shfaqi në gjykimet e veta; një kritik i paepur kundër zakoneve borgjeze dhe shoqërisë së konsumit që sapo kishte nisur të lulëzonte në Italinë e viteve ’60 – ’70.

Pier Paolo Pasolini dhe dritëhijet e tij

Nga Aida Baro

Projekti i përkthimit të poezive të Pier Paolo Pasolini-t lindi si pasojë e pasionit të përbashkët të një grupi miqsh për këtë figurë kaq poliedreike, komplekse dhe kontroverse, që në njëfarë mënyrë të ndryshon pikëpamjen që ke pasur për botën, qysh në çastin e parë të takimit dhe zbulimit të tij.

Pasolini, me dritëhijet e tij të vazhdueshme, mendjen brilante, erudicionin dhe kërkimin e shprehjes së vetvetes në fusha nga më të ndryshmet të artit e të letërsisë, që nga poezia, proza, teatri e kinematografia bëri bashkë dashamirësit e tij, të ardhur po nga aq fusha të ndryshme, si letërsia apo kinemaja, por me të njëjtën dëshirë për ta kthyer në një zë të rëndësishëm në Shqipëri.

Pier Paolo Pasolini ishte shkrimtar, poet, regjisor, dramaturg, gazetar, si dhe një ndër intelektualët më të mëdhenjë italianë. E kanë dhe dashur dhe urryer njëkohësisht për radikalitetin e gjykimeve të veta, shpesh përtej çdo caku, dhe për denoncimet e tij të ashpra të zakoneve dhe hipokrizive borgjeze. Ai u dallua në fusha të ndryshme, duke lënë gjurmë të pashlyera si kineast, piktor, romancier, gjuhëtar, përkthyes e publicist. Ishte një vëzhgues i vëmendshëm i ndryshimeve që pësoi shoqëria italiane në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore deri në mesin e viteve ’60 dhe nxiti shpesh debate dhe kritika të ashpra kundër shoqërisë së konsumit që sapo kishte filluar të lindte.

“Vizioni im është apokaliptik. Por sikur pranë tij dhe ankthit prej të cilit lind, të mos kisha brenda vetes edhe një element optimizmi, domethënë mendimin se ekziston mundësia për të luftuar kundër gjithë kësaj, nuk do të isha duke folur këtu, mes jush,” është një prej deklaratave më të forta të Pasolinit, me vlerë të gjithkohshme dhe tç pçrbotshme.

Pse zgjodhëm përmbledhjen poetike “Mish dhe qiell”? Sepse, në njëfarë mënyre deshëm t’ia nisnim nga e para njohjes së tij, të sillnim pranë lexuesve shqiptarë, sidomos të rinjve, një zë që ka qenë ndryshe qysh në rininë e tij të hershme, që ka shkruar me guxim të çartur për dashurinë, për problemet shoqërorë, për nënproletariatin, për atë klasë që thuajse nuk ekziston nëpër libra, por që në jetën e përditshme është kurdoherë e pranishme.

Me anë të kësaj përmbledhjeje kërkojmë t’u japim të rinjve shqiptarë shembullin e intelektualit të angazhuar, të një personazhi të parehatshëm për pushtetet, që ngriti zërin pareshtur kundër kapitalizmit dhe parashikoi rrënimin e shoqërisë së konsumit.

Të flasësh, të shkruash, apo të sjellësh në shqip gjithë tërësinë e mendimit pasolinian është një kokëkrisje, sidoqoftë, shpresojmë t’ia kemi dalë mbanë në orvajtjen tonë për të prurë pakëz nga bota e kokëkrisurit Pier Paolo Pasolini.

Mish dhe qiell

O dashuri amënore,

sfilitëse, me arturinat

e trupave të pushtuar

nga e fshehta e barqeve.

Dhe sjellje të ëmbla

të pandërgjegjshme për aromën

e paturp që qesh

në gjymtyrët e dëlira.

Përshkënditje të rënda

flokësh… shpërfillje

mizore vështrimesh…

përkujdesje të pabesa…

I flashkur nga vaje

fort të ëmbla kthehem te ti

me mishrat përvëlim

buzëqeshjesh shkëlqimtare.

E çmendem në zemër

të natës festive

pas mijëra netësh të tjera

për këtë zjarr palavi.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤