REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën

View Gallery
8 Photos
REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
1-5

REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
2-2

REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
3-2

REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
4-3

REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
5-2

REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
6-2

REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
7-2

REPORTAZH NGA KAVAJA/ Në qytetin e mëkatit, ku guri i fajit bie mbi viktimën
8-2

Çfarë ndodh në Kavajë pas ngjarjes së rëndë ku një 13-vjeçare u dhunua seksualisht dhe u shantazhua nga një grup adoleshentësh

Nga Blerina Gjoka
Është mesditë. Pranë shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në hyrje të Kavajës kanë nisur të vijnë prindërit e parë që presin fëmijët e tyre të dalin nga mësimi. Kjo e mërkurë do të ishte si gjithë ditët e tjera të zakonshme në rutinën e jetës në qytetin e vogël të Kavajës, por që prej një jave, nuk është më e tillë.

Pas publikimit të lajmit se një vajzë 13-vjeçare, nxënëse e kësaj shkolle ka denoncuar 8 djem, po ashtu nxënës të kësaj shkolle, se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të duke i bërë shantazh, edhe ky veprim kaq normal si pritja e fëmijës apo nipërve te kangjellat e shkollës, është kthyer në një ngjarje me rëndësi.

Prindërit e gjyshërit që vijnë aty me qëndrimin e tyre me sytë nga godina sikur të thonë se pikërisht ky veprim i ka shpëtuar vajzat e tyre. Me qëndrimin e tyre sikur të thonë: “ja, ne jemi të kujdesshëm, i ruajmë fëmijët, ndaj nuk u ndodhi fëmijëve tanë, nuk i ndodhi vajzës sonë”.

Nuk është aspak surprizë që opinioni i përgjithshëm i të rriturve në këtë qytet anon nga fajësimi i viktimës, siç ka ndodhur rëndom në situata të tilla në vendin tonë. Madje dhe fëmijët imitojnë prindërit në këtë pikë.

“Ajo e ka fajin”, shprehet me sytë përdhe një vajzë që ka pak a shumë moshën e vajzës që ra pre e shantazhit dhe dhunës seksuale nga bashkëmoshatarët e saj. Ajo mban fort dorën e nënës së saj dhe si për t’i bërë përshtypje asaj vijon: “ne fëmijët e kemi fajin, nuk e ka mësuesja”.

Fëmijë të tjerë kapërcejnë gardhin dhe nisen për në shtëpitë e tyre vetëm, të pashoqëruar. Shumë prej tyre janë vajza 13-14–vjeçare.

Jo të gjithë prindërit kanë marrë masa ekstreme për të qëndruar te dera e shkollës.

Por Vera është nga ato nëna që kjo masë i duket e domosdoshme, ndërsa po pret vajzën e saj 11 vjeç që të dalë.

Sipas saj, faji kryesor për ngjarjen shkon te prindërit e fëmijëve të përfshirë.

“Unë e ruaj vajzën time. Dua të di çdo gjë që bën ajo. Nuk mund të fajësoj mësuesen apo shkollën nëse i ndodh gjë se mësuesja ka 30 nxënës”, thotë ajo për MAPO.

Po në një mënyrë a një tjetër, edhe vajza e saj, ashtu si gjithë fëmijët e kësaj shkolle, është prekur nga kjo ngjarje.

“Po vajza është tronditur. S’dimë si t’ia shpjegojmë. Tani shkon psikologia nëpër klasa që t’ua shpjegojë, por është e vështirë se ata janë fëmijë”.

Mikesha e Verës, e cila nuk pranon të identifikohet, na thotë se shoqërimi me djem i vajzave të kësaj moshe është një fenomen, jo një rast i veçuar.

“Unë kam shtëpinë pas shkollës dhe i shoh nga ballkoni kur dalin nga mësimi dhe futen në makinat e djemve”, -tregon ajo.

Përsëri te vajzat shkon fjala… opinioni shoqëror synon të fajësojë ato të parat.

Por gjyshërit e shohin situatën me syze më të qarta.

“Është mentaliteti i prapambetur këtu. Jemi në vitin 2019, por Kavaja është shumë vite mbrapa”, na thotë gjyshja, ish-mësuese, Makbule Çeka.

“Për mua, thotë ajo, faji ngelet jetim, por detyra parësore është e prindit të edukojë fëmijët që të mos arrijnë në këto veprime”.

“Prindërit e vajzës së shkretë kanë flakën në kokë, por mos kujtoni se dhe prindërit e djemve nuk kanë probleme”, thotë gjyshja.

Dy burra të tjerë të moshuar po bisedojnë për këtë ngjarje teksa presin nipërit.

“Çfarë të them, moj vajzë. Është e rëndë shumë. Të gjithë kanë përgjegjësi. Edhe mësuesi më i mirë ka gabime. Prindërit duhet të jenë shumë të afërt për fëmijët sepse prindërit ndikojnë shumë te fëmijët e kësaj moshe”, thotë njëri prej tyre, Tahir Beqiri.

Këpucari përballë shkollës na shpreh keqardhjen për familjen e vajzës pasi i njeh, por keqardhja e tij i drejtohet babait të vajzës. “Ia mori burrërinë, çfarë të bën fëmija”, thotë ai, edhe pse pranon se veprimi i djemve është i gabuar, duket se përsëri peshorja e fajit anon nga viktima.

Duke lexuar lajmet në Tiranë për përdhunimin e një vajze 13 vjeç nga një grup djemsh të moshës 14-16 vjeç të duket se po shkon drejt një qyteti si Sodomi (simbol i shthurjes e perversitetit në bibël), por në fakt kur futesh në Kavajë kupton se je në një qytet tipik shqiptar, ku jeta në dukjen e saj është shumë konservatore. Ndaj kjo ngjarje e ka shokuar kaq shumë këtë qytet, i cili ka ditur të shokohet dhe me shumë më pak, kur një vajzë vendosi të linte të fejuarin në një emision televiziv për të punuar e jetuar në kryeqytet.

Ankth në instancat shtetërore përgjegjëse

Në të gjitha instancat shtetërore të lidhura me rastin në fjalë janë në ankth duke nisur nga drejtoresha e shkollës “Rilindja”, drejtoria arsimore e qytetit e deri te seksioni i shërbimit social në Bashkinë e Kavajës, ku një nga detyrat është mbrojtja e të miturve.

Ne shkuam në zyrën përkatëse, por nuk arritëm të komunikonim dot me përgjegjësen pasi në zyrën e saj ishin dy përfaqësues nga Avokati i Popullit.

“Jemi në mes të një hetimi administrativ, nuk mund të flasim për çështjen”, na thanë përfaqësuesit e ardhur nga Tirana.

Disa mbledhje ishin zhvilluar nga drejtoria arsimore me drejtoreshën e mësueset e shkollës, po ashtu.

Duket se çdo njeri që mund të ketë pasur dijeni për ngjarjen apo ka lidhje në një formë a një tjetër me fëmijët, ka frikë se do të penalizohet.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤