Stine: Nëse qëndron gjithë kohës në fron, ka rrezik të vritesh

Bëhen gati 22 vite që kur ai është ngjitur për herë të parë në skenën shqiptare. Emri i tij i artit është Stine, por emri i vërtetë i ‘Vocit nga Dibra’ është Ernest Duka. Që në fillimet e tij ka spikatur si për produktet muzikore që ai ka nxjerrë për tregun shqiptar, por edhe për rolin fantastik të kantautorit që e ka kryer me shumë profesionalizëm. Hapat e tij të parë i pati brenda në Shqipëri, por kur u përball me situatën e vështirë në vendin tonë u detyrua të emigronte jashtë kufijve shqiptarë, në Gjermani, ku u dallua për stilin e tij të veçantë në kërcim edhe në këngë ku ka fituar çmime të ndryshme.

Pas suksesit të vazhdueshëm në Gjermani ai kthehet në vendlindjen e tij sërish ku sukseset si kanë munguar as këtu aspak. Studioja e tij mban titullin ‘Stine Records’, nga e cila kanë dalë hite të pafundme për këto dy dekada. Në repertorin e tij ai numëron pafund bashkëpunime dhe këngë solo, ku për këngët solo shprehet se janë dobësia e tij. Në fakt roli i një artisti, i një këngëtari është kaq divers, nga një anë ti je kantautor, nga ana tjetër kërcimtar por edhe aktor. Dhe Stine këtë gjë ka ditur më së miri ta bëjë ndër vite. Natyra e tij interpretative ka bërë diferencën në projektet e tij muzikore. Në këtë intervistë të fundit për MAPO, Stine foli mbi vështirësinë që ndjeu pas humbjes së babait thuajse një vit më parë, momentet më të bukura të karrierës së tij, projektet e ardhshme etj.

Intervistoi: Ada Kacmoli
Kur ka qenë kontakti juaj i parë me artin?

Që në klasë të parë jam prezantuar me artin pasi kam bërë 6 vite violinë dhe në fakt të them të drejtën që në kopsht më kanë zgjedhur. Dy mësues të asaj kohe erdhën dhe kërkonin talente për hapjen e një klase të re për violinë dhe pasi më dëgjuan dhe më testuan nga ana ritmike me duartrokitje se ashtu i bënin testet atëherë e kalova testin, sepse isha shumë saktë dhe kështu që më caktuan për violinë dhe më pas me kërcimin dhe këngën.

Pse keni zgjedhur muzikën?

Sepse është e vetmja gjë që di të bëj më së miri dhe kur arrij t’i ndërthur dhe t’i lidh pasionin, dëshirën dhe profesionin bashkë në një pikë, plus më kryesorja është që, e di mirë që “ne s’bëjmë dot pa njëri-tjetrin” sidomos unë pa të kurrë s’e di, s’e imagjinoj dot.

A e keni trashëgimi pasionin edhe dashamirësinë për këngën?

Nëna ime është një artiste e lindur edhe pse nuk e ka praktikuar si profesion thjesht e ka lënë në kornizat e pasionit. Gjithashtu, edhe gjyshi im ka qenë një valltar i njohur në atë kohë në konakët që mblidheshin, ka qenë i vetmi që dinte më shumë se disa valle tradicionale të zonës dhe i zotëronte profesionalisht edhe pse kërcente me dëshirë dhe pasion.

Mund të sillni ndërmend disa nga momentet më të bukura të karrierës suaj?

Po ka shumë, gjithsesi nuk harrohet emocioni i ngjitjes së parë në skenë në vitin 1997 ku fituam çmimin e parë te “Rin fest” me këngën “Extrem” kushtuar kohëve të vështira që po kalonte vendi ynë. Unë bashkë me 3 pjesëtarët e tjerë të grupit të asaj kohe “Eternal Life” Aldo, Faja edhe Visi morëm këtë çmim në atë kohë.

Më pas vijojmë me një tjetër çmim të parë në “Vera fest 1999”, ku po ashtu me grupin “Etb 57” ku bënim pjesë unë, Bledi dhe Tan Brama, fituam çmimin e parë me këngën “Më mungon”. Më pas duke parë edhe gjendjen e vështirë në vend detyrohem të largohem në Gjermani për më shumë se 4-5 vjet dhe ku rikthehem me një album të përfunduar ku edhe vendos të marr pjesë në “Top fest 1” dhe fitoj sërish çmimin e parë me këngën “Lady Lady” në bashkëpunim me Abbin. Më e rëndësishmja nga këto është pikërisht arritja e çmimit të internetit në “Top fest 3” me këngën “Ishe ti” (po pjesë e këtij Albumi) edhe pse nuk ishte çmim i parë prapë emocioni dhe jehona që ka bërë ajo këngë edhe sot e kësaj dite dëgjohet. Nuk di shpesh herë më kalojnë nëpër mendje ato momente edhe ajo kohë e bukur që s’vjen më. Personalisht mendoj që “Top fest 3” ka qenë nga më të bukurit ndër vite si nga përmbledhja e këngëve, si nga skenografia, organizimi, vëmendja, të gjitha kanë qenë, lart shumë lart.

Çfarë mendimi keni për klikimet që blihen?

Mmm klikimet… Ato po e shkatërrojnë rrënjësisht muzikën e mirë dhe ç’është e vërteta e kanë çuar atë në pikën më kritike, ku edhe vetë publiku nuk di më të kuptojë se kush është muzikë e mirë edhe kush jo, sepse 99% e tyre kamuflohen me klikime marramendëse që s’janë aspak reale duke parë çfarë kapaciteti kemi ne dhe gjithashtu nga manipulimet e rrjeteve sociale.

A mendoni që një artist vlerësohet nga mania e klikimeve? A e keni patur ndonjëherë edhe ju prioritet dhe nëse jo pse?

Realiteti i hidhur ka treguar që shumë artistë vlerësohen nga mënyra si janë klikuar pa marrë parasysh çfarë kënge ka, sepse tani ka edhe këngë të bukura që janë klikuar por vetë nga eksperienca ime nuk kam dashur të ndërhyj në këtë pjesë sepse personalisht nuk dua të vlerësohem në atë mënyrë. Dua që këngën e mirë ta gjejë vetë publiku, sepse ajo këngë kur është e mirë arrin të depërtojë edhe pa to.

Videoklipet që realizoni kush i monitoron që nga veshjet, kërcimi, skenografia? Jeni ju vetë apo keni një staf që kujdeset për çdo gjë? Pse kjo zgjedhje?

Në fakt i monitoroj vetë personalisht edhe idetë i jap vetë paçka që i shqyrtoj me bashkëpunëtorët e mi ndërkohë që finalizohet ideja. Jam unë me një staf të madh ku së bashku jemi të gjithë 1. Dhe pse kjo zgjedhje!?? Sepse kështu është më e mira

Çfarë do të bënte të hiqje dorë nga muzika?

Asgjë kurrë, pasi edhe në momente të vështira e kam kuptuar që kam nevojë për të, që të shprehem ashtu në mënyrën time mirë apo keq nuk ka rëndësi. Muzikën e kam gjithçka, mbi të gjitha qetësi shpirtërore.

Tekstet e këngëve ia besoni dikujt tjetër apo vazhdoni ende në pozicionin e tekstshkruesit?

Po ka patur edhe raste që ua kam besuar të tjerëve, sepse mua më pëlqejnë gjërat e bukura edhe të eksploroj ndonjëherë, por prapë se prapë mbetet pjesa më e madhe nga vetë unë jo vetëm për këngët e mia por edhe për pjesëtaret e studios dhe për ato që vijnë dhe na vizitojnë nga jashtë.

Çfarë marrëdhënie ka Stine me kolegët? Mund të na thoni disa emra me të cilët keni raporte shumë të mira ndër vite?

Me të gjithë artistët kam relata korrekte dhe të mira.

Mbani mend ndonjë incident apo një pjesë humoristike gjatë koncerteve të ndryshme që do donit ta ndanit me fansat?

Vetëm një moment po më kujtohet për momentin, kur kam qenë diku në një koncert dhe në momentin që hyra në club isha pa syze dhe disa vajza më pyetën, ‘Më fal po Stine ku është?’ dhe unë që ju thashë, ‘Ja vjen tani’.

Pse keni zgjedhur të shkëputeni disi nga bota e televizionit? Përse ju shohim aktiv vetëm në rrjetet tuaja sociale?

Sepse vjen një moment që çdo gjë bëhet e lodhshme dhe duhet tërheqje që të ecësh përpara. Nëse qëndron gjithë kohës në fron ka rrezik të vritesh.

Personalisht e di çfarë do të thotë të rritesh pa një prind. Bëhet thuajse një vit që babai juaj është ndarë nga jeta. Ngushëllime. Nuk do doja të hapja plagët e vjetra, por dua t’ju pyes si ndikoi te ju “ikja” e tij? A u demoralizuat edhe nga ana profesionale?

Po normal që po, gjithsesi njeriu duhet të bëhet i fortë sepse këto gjëra për njerëzit janë dhe në momente të tilla duhet të bëhesh i fortë.

A ju suportonte babai juaj në rrugën e artit?

Po gjithmonë dhe jo vetëm në rrugën e artit por në çdo fushë të jetës. Ishim si shokë dhe flisnim hapur për çdo gjë.

Po me Alidën, motrën tuaj kur do t’ju shohim në një bashkëpunim?

Po mendojmë të kemi një këngë së bashku në albumin tim më të ri që po përgatis këto kohë dhe këngën e kemi ideuar dhe shpresojmë të pëlqehet sepse është vërtet e bukur.

Para një jave publikuat një foto që bashkëpunimi i radhës do jetë me Fatlume Popovci? Çfarë natyre do të ketë kënga? Po bashkëpunime apo këngë të tjera solo a priten këto muaj?

Kënga me Fatlumen është gati si audio edhe e realizuar me video kështu që punë ditësh pritet të dalë. Është diçka e re në koncept dhe kur të dalë uroj ta shijoni. Po bashkëpunime të tjera do kem gjithashtu edhe këngë solo patjetër, që janë edhe preferenca ime.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤