Tan Brama: S’kam konkurrencë, nëse punon seriozisht, gjendesh lehtë në tregun e punës

Nga Mirgen Çela
Koreografi shqiptar Tan Brama, bashkë me grupin e tij të kërcimit Last Shot Crew është mjaft i njohur për publikun, pasi mban mbi supe shumë vite karrierë në fushën e kërcimit. Tan Brama ka rrëfyer për gazetën Mapo se si ishin fillimet e tij në këtë fushë që në moshë të re dhe nga kush u frymëzua. Ndër të tjera ai ndan dhe një mendim se sa e vlerësojnë të rinjtë sot, artin e kërcimit në Shqipëri.

Si e nisi Tan Brama kërcimin? Kush ju inspiroi?

Kërcimin e nisa duke parë hit-parade në Televizionin Shqiptar kur informacioni ishte shumë i pakët në ato vite të arta. Rreth vitit 1994, dua të përmend një nga diskotekat e Tiranës që ishte e vetmja mundësi për të shprehur talentin, Disco Reflexion. Inspirimi im i vetëm kanë qenë dy grupe . East17 dhe Take That, si dhe filmat Break Dance 1, Beat Street dhe Vanilla Ice.

A janë të rinjtë të apasionuar pas këtij kërcimi?

Te rinjtë e sotëm kanë evoluar nga ky pasion dhe nga ky kompleks, e kanë marrë këtë gjë seriozisht. Dikur Tirana ishte e mbushur me grupe kërcimtarësh, dua të përshëndes veçanërisht disa nga ato 4KINGS, HARD AND FIRE, SPACE BOYS, JUST3 dhe të tjerë që s’i mbaj mend.

Si është arti shqiptar në përgjithësi? A vlerësohet? Çfarë i mungon më shumë?

Kultura e kërcimit në Shqipëri nuk mund të them që vlerësohet aq shumë, por mendoj se nga 40 për qind e të rinjve vlerësohet.

Arti në Shqipëri dhe vlerësohet dhe s’vlerësohet, por e rëndësishme është që ne vazhdojmë të bëjmë art dhe pse disa nuk e vlerësojnë. Arti duhet vlerësuar, suportuar dhe sponsorizuar. Kjo i mungon artit tonë.

Prej vitesh merreni me Break Dance, sa e vështirë ishte të futeshit në treg?

Kam pothuajse 26-27 vite dhe ka qenë vërtet e vështirë të futesha në treg sepse nuk kam pasur suportin e duhur. Suporti i vetëm për mua ka qenë kur të gjithë grupet mblidheshim bashkë në një disko dhe sfidonim njëri-tjetrin nëpërmjet kërcimit.

Çfarë e bën të jetë ndryshe nga të tjerët grupi juaj Last Shot Crew?

LAST SHOT CREW-n e bën të jetë ndryshe nga të tjerët fakti se jemi kompakt dhe të lidhur fort me njëri-tjetrin. Disiplina që ne kemi është një faktor shumë i rëndësishëm, kjo e vërtetuar në performancat që kemi kryer në skenat e mëdha jashtë vendit, në Gjermani “Rock You Contest”, ku fituam çmimin e dytë dhe në Greqi “Bounce Street Dance Contest”, ku fituam vendin e tretë.

Cilat mosha preferojnë Break Dance?

Grupmoshat që e preferojnë janë 15 deri në 20 vjeç.

Në cilën periudhë vjetore jeni më shumë i angazhuar me punë, a mund të përcaktohet?

Periudha më e angazhuar është muaji maj, ku së shpejti kemi dhe konkursin Battle of the Year Balkans, si dhe Bounce Street Dance Contest.

Keni bërë koreografi te shumë videoklipe të artistëve shqiptarë, cili bashkëpunim ka qenë më i veçantë?

Kam bërë shumë performanca, me pothuajse të gjithë artistët më me zë, por dua të veçoj këngëtaren Arilena Ara që është një artiste e plotësuar, mund ta them këtë pasi është e para artiste që vjen një muaj përpara, për të përgatitur kërcimin e radhës.

A ka përplasje mes koreografëve në Shqipëri?

Sa i përket pyetjes për koreografët e llojit tim, dua të them se s’kam konkurrencë. Tashmë kemi disa vite radhazi që marrim pjesë si grup në konkurse dhe dua të them që çdo vit e më shumë emocioni i madh shtohet. Niveli jashtë vendit është shumë i lartë dhe ka shumë përgjegjësi për ne si grup, por them që ia kemi dalë mbanë deri tani.

A kishte mbështetje nga artistët shqiptarë, po për jashtë kufijve kush ju suportoi?

Mbështetje deri diku nga artistët kam pasur dhe po përmend disa prej tyre, si: Stine, Eneda Tarifa, Landi West Side Family, Rovena Dilo, Flori Mumajesi, 2po2 etj. Për jashtë kufijve kam menaxherin Jimmy x Cash që organizon workshop-e, seminare.

Çfarë mund të bëjë tjetër Tani përveç kërcimit? A ka ndonjë pasion të fshehur që s’e keni treguar më parë?

Përveç kërcimit kam shumë gjëra që më pëlqejnë, por më pëlqen më shumë të merrem me veshjet e mia pasi kam një Brand timin që quhet Tab Dance Design.

Çfarë i mungon Tan Bramës?

Mua si Tan Brama më mungon vetëm një pjesëmarrje në SHBA dhe kaq, çdo gjë tjetër e kam të plotësuar.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤