Xhani Demika: Mundohem të qëndroj me këmbë në tokë

Ka ndjekur për 12 vite sportin e atletikës për të cilin është vlerësuar me titull kampioni edhe nënkampioni si me të rriturit edhe me moshat e reja, nga ana tjetër është diplomuar tek Universiteti i Sporteve në Tiranë, ndërkohë që ka edhe një diplomë për fizioterapi e sot aktualisht punon në rolin e menaxherit të artistëve shqiptarë të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës. A mund të kishim më shumë diversitet sesa kaq në këtë edicion të radhës së gazetës Mapo? Ma merr mendja që jo. Bëhet fjalë për Xhani Demikën menaxherin e preferuar të artistëve që gjithçka e nisi me një shaka apo si një rastësi dhe sot është i njohur në fushën e tij.

Nga një djalë i thjeshtë nga qyteti i Korçës sot e shohim për shkak të punës së tij krah për krah me këngëtarët shqiptarë më në zë të momentit, si: Ledri Vula, Capital T, Tayna, Gjiko, Ylli Limani, Çiljeta Xhilaga, Ingrit Gjoni etj. Thotë që mirëkuptimi dhe marrëdhëniet tolerante dhe miqësore me artistët e kanë çuar kaq larg për të mos pasur konflikte apo përplasje. Pra, çdo gjë edhe pse brenda aspektit profesional çohet deri në fund në saje të shoqërisë që Xhani ka me artistët dhe në saj të drejtësisë dhe dëshirës për të punuar që ai ka. Së fundmi, ai u shpreh për shumë gjëra që s’i kishte thënë më përpara në portale apo media të tjera, mbi startimin e profesionit të tij, studimeve dhe marrëdhëniet me artistët etj.

Intervistoi: Ada Kacmoli
Me çfarë merrej Xhani përpara se të njihej si menaxher i artistëve shqiptarë?

Përveç shkollës merresha me sportin e atletikës, të cilin e kam ndjekur prej 12 vitesh ndërkohë që kam qenë edhe kampion me të rinjtë prej 8 vitesh, por edhe me të rriturit kam pasur edhe tituj kampioni edhe nënkampioni në disiplina të ndryshme, por fokusi im ishte në garat 110 metra me pengesa.

Si nisi çdo gjë për këtë profesion që ju keni tani? Ishte e paramenduar apo rastësi?

Ka qenë fare rastësi sepse nuk ma merrte mendja që do të fokusohesha dhe do të merresha me këtë profesion si menaxher artistësh.

Pse pikërisht menaxhimin e artistëve të mirënjohur dhe jo një profesion tjetër? Po studimet tuaja kanë ndonjë lidhje me këtë pjesë, pra me menaxhimin artistik?

Realisht e thashë edhe pak më sipër që çdo gjë nisi si rastësi, por më vonë e kuptova që kishte fitim dhe normale që u fokusova te menaxhimi i artistëve dhe pse profesioni im nuk ka lidhje fare me artin. Unë kam mbaruar studimet në Universitetin e Sporteve në Tiranë, ndërkohë që kam edhe një diplomë për Fizioterapi. Pra profesioni që ndjek unë tashmë si menaxher artistësh apo nën titullin menaxhim dhe organizim eventesh nuk ka lidhje fare me studimet e mia. Sepse siç e kam përmendur edhe më sipër jam marrë me sport më përpara. Tani për tani jam mirë këtu ku jam më vonë kismet mund të filloj në një pozicion për diplomën që mbart.

Çfarë marrëdhënieje keni me artistët shqiptarë përtej aspektit profesional?

Pothuajse me të gjithë kam marrëdhënie shumë të mira, i kam miq më tepër pastaj vjen ana profesionale. Domethënë nëse nuk do të kisha këto marrëdhënie kaq të konsoliduara si tani nuk do të kisha mundësinë e këtij suksesi dhe organizimi eventesh me artistët.

Me kë nga këngëtarët apo personazhet e showbizit keni relata më të mira dhe që ndani kohën më të madhe me ta?

Me artistët që jetojnë në Shqipëri kam marrëdhënie të mira me disa, me të cilët takohem edhe gjatë ditëve edhe komunikoj edhe kam marrëdhënie shumë të mira shoqërore. Mund të përmend, Ingrit Gjonin, Çiljeta Xhilaga, Greta Koçi, Flori dhe grupi i tij ‘Three Dots’, Stresi etj. Kurse me të Kosovës jam munduar t’i ruaj marrëdhëniet e mira me të gjithë. Më shumë afrimitet dhe në kuadrin e një miqësie do veçoja Ledrin, Capital T, Dafina Zeqiri, Gjikon, Ylli Limanin dhe Taynën.

A janë këngëtarët tanë disi të “llastuar” nga fama që posedojnë, apo për ata që ju njohin zemrën kuptojnë që janë tejet të thjeshtë?

Nuk mund të them të llastuar, sepse e thashë edhe më sipër ne ruajmë marrëdhëniet shoqërore edhe nuk është se arrijnë në këtë pjesën e llastimit, sepse çdo formë komunikimi bëhet me kompromis me marrëveshje dhe mirëkuptim në kuadrin e miqësisë. Gjithsesi çdo artist mundohet të kërkojë më të mirën për veten e tij.

Si është Xhani në përditshmërinë e tij?

Unë në përditshmërinë time jam komplet ndryshe nga ajo që shfaq në rrjetet sociale. Jam i thjeshtë dal kudo. Jam natyrë që mund të udhëtoj me urbanë edhe pse më kufizon kjo pjesa që nisin paragjykimet që çne Xhani me urbanë. Unë kam makinë por s’është ndonjë habi që të më shikoni ndonjëherë. Rrjetet sociale janë mënyra më e mirë e marketimit të vetvetes edhe kështu që mundohem të jem ndryshe edhe larg rrjeteve sociale edhe tejet i thjeshtë në pjesën tjetër të ditës.

Çfarë është familja për ju?

Familja është e shenjtë, gjëja më e dashur që të do pa pikë interesi dhe që gjithmonë do jem i përulur dhe nën komandën e tyre. E respektoj dhe mundohem të jem gjithmonë pranë tyre në momentet kur gëzojnë. Normal familja është e para edhe më pas vijnë gjërat e tjera.

Sa e vështirë ka qenë për të mbërritur deri këtu ku jeni sot?

Ka qenë shumë e vështirë, sepse u nis me shaka, më vonë më hyri në qejf sepse kishte fitim Më vonë ngaqë nuk doja të kisha konkurrencë edhe të kisha sa më shumë kontakte, data, evente filloi të vështirësohej gjithnjë e më shumë edhe puna por edhe menaxhimi. Është me faza në fakt. Kur ia nis punës është mjaft qejf, adrenalinë por më vonë e kupton që është si një biznes dhe duhet ta ruash e ta mbash fort. Unë kam 10 vite që merrem me këtë gjë dhe këto vitet e fundit unë e kam pasur më të lehtë sepse kanë filluar të më njohin. Kështu normal në fillim ka qenë më e vështirë derisa sot kam network-un tim.

Cili ka qenë suporti më i madh për ju si nga ana e familjes por edhe nga shoqëria?

Si nga familja por edhe nga ana shoqërore nuk ia kanë patur idenë se me çfarë unë po merresha. Familja e shikonte si një mënyrë organizimi apo takimi me personazhet, por jo që unë fitoja nga kjo pjesë. Sepse në fillim fitimet i mbaja për vete dhe kam qenë më i vogël. Në atë kohë ndiqja edhe sportin. Fitimet që merrja nga sporti i çoja në shtëpi kurse pjesën e fitimit nga menaxhimi i artistëve i mbaja për vete. Familja më vonë ka filluar të më mbështesë sepse kanë qenë gjithnjë pro ndjekjes së studimeve dhe asnjëherë nuk kanë patur dijeninë që do merresha vetëm me këtë pjesë.

Në çfarë konsiston puna juaj me pak fjalë? Çfarë menaxhoni ju për artistët? Pjesën e koncerteve, çmimeve, apo vendet ku do të performojnë?

Në shumë raste më konsiderojnë si menaxher këngëtarësh. Të jesh i tillë ndodh vetëm atëherë kur ti merresh vetëm me një artist me YouTube, rrjetet sociale etj. Kurse unë në këtë rast nuk kam interes për këtë pjesë. E mira ime është që të mbaj marrëdhënie të mira me të gjithë artistët. Unë aktualisht merrem me datat, eventet, me pagesat dhe me posterat, edhe me marketingun. Situatë e ngjashme është vetëm se nuk merrem me një personazh të vetëm por kam lidhje më të gjithë. Prandaj mund ta quaj veten menaxher koncertesh, eventesh, organizimesh se sa menaxher personal.

Do ndërronit mendje në një jetë tjetër për të punuar në një hapësirë më ndryshe apo ndiheni i kënaqur këtu ku jeni dhe pse? A jeni lodhur ndonjëherë?

Këtë profesion unë e kam nisur me dëshirë dhe me shumë qejf. Çdo i ri në adoleshencë ka si synim të duket apo të jetë në qendër të vëmendjes dhe t’i futen pjesës së skenës. Ngaqë unë kam pasur të shkuarën time televizive nga sporti, më vonë fillova ta pëlqeja dhe ta doja pjesën e jetës publike. Kjo ishte rruga që unë zgjodha për t’iu futur botës së jetës publike. Jam lodhur realisht sepse të lodhin ndjekësit dhe fansat e artistëve. Nuk mund të them që jam një njeri aq i ndjekur por për aq sa jam është pak e lodhshme. Okej i falënderoj të gjithë ata që më ndjekin megjithatë duke u marrë më shumë gjëra njëkohësisht kam mbingarkesë. Në një jetë tjetër do më pëlqente të ndiqja edhe sportin në të njëjtën kohë, por do të doja të kisha lindur në një vend tjetër, sepse sporti këtu nuk vlerësohet. Unë 12 vite që jam marrë me sport s’kam pasur fitim edhe pse shumë suksese edhe rezultate shumë të mira e si përfundim po ndjek profesionin e menaxherit të artistëve dhe jo atë që kam pasur ëndërr. Ende e kam si një ëndërr në sirtar dhe jo më për veten por pse jo për të trajnuar të tjerët. Pra, do doja t’i ndiqja të dyja njëkohësisht dhe menaxhimin dhe sportin.

Po fama si po ndikon te ju? E kishit menduar ndonjëherë të bëheshit i famshëm? Ça ndjesie ju jep?

Nuk është se e quaj veten të famshëm dhe nuk e kam problem këtë pjesë. Po ja nis me Instagramin duke qenë se nga ai jam njohur. Me të gjithë mundohem të jem në kontakt dhe t’ju kthej përgjigje duke qenë sa më popullor dhe i thjeshtë. Por ka nga ato që kur më shikojnë në rrugë më thonë që nuk më mbajnë mend mua. Dua të qëndroj me këmbë në tokë. Nuk e kisha menduar se do isha një person i njohur por mbase kam punuar fort për këtë gjë. Thjesht nga drejtësia ime mundohem të punoj dhe të jem realist dhe prandaj më kanë preferuar edhe artistët dukë më dhënë edhe ata shtysë pa jua kërkuar unë. Është ndjenjë e bukur kur ty të njohin dhe të hapen dyert kudo. Duket gjë e bukur kur të gjithë të njohin nëpër kafe, institucione, televizion. Por ka edhe këtë pjesën që lodhesh edhe stresohesh nga mbingarkesa.

Po me jetën e natës si i keni raportet, jeni mësuar tashmë?

Me jetën e natës i kam aq të mira raportet saqë mund të fle në 6 apo 7 të mëngjesit. Clubet nuk më bëjnë më përshtypje as nuk më hyjnë më në sy sepse më është bërë rutinë tashmë. Jam gjithnjë shumë aktiv në jetën e natës. Kur jam në koncerte kam një sekret nuk pi alkool mund të pi në shumë raste të veçanta, por në koncerte kurrë. Dhe më bën shumë përshtypje për mënyrën sesi e trajtojnë të tjerët këtë, kjo është zgjedhja ime dhe për këtë pjesë nuk më pëlqen të diskutohet. Okej mund të pi me miqësinë time kur dal dhe sërish nuk e teproj e pi me një masë të caktuar, kurse për sa i përket lëndëve narkotike thjesht i kam provuar por nuk më pëlqejnë. I kam provuar thjesht për kuriozitet por nuk do të thotë që do t’i pi më.

Sa të mira janë treguar rrjetet sociale me ju?

Rrjetet sociale janë treguar gjithmonë të mira me mua. Nuk kanë abuzuar me emrin tim. Edhe nëse ka patur lajme të pavërteta kanë qenë në sensin e shakasë pa u tepruar apo pa kaluar në ofeza apo aq të rënda për të përdorur emrin tim për keq. Pra, kanë qenë të pranueshme edhe jo siç bëhet me disa të tjerë.

Mund të ndani ndonjë incident në një koncert të caktuar që ka kaluar pa u vënë re nga mënyra sesi ju e menaxhuat situatën?

Incidente realisht nuk mbaj mend, por ngaqë fokusohem shumë te pjesa e punës nuk memorizoj shumë se çfarë ndodh përqark. Te dhoma e artistëve kur vinë fansat mundohem që t’i bëj unë fotot me telefonat e personave. Mund të jenë dy shoqe për shembull ku njëra sulet të puthë artistin dhe tjetra të kapë momentin. Unë për këtë pjesë jam shumë i kujdesshëm dhe ia marr telefonin nga duart duke i larguar vajzat me lezet edhe pse puthjen e kanë dhënë. Kurse me djemtë nuk ndodh kjo gjë sepse nuk tentojnë të puthin një artiste femër. Artistet femra janë më të kujdesshme edhe mbajnë distancë më të konsideruar. Fansat meshkuj janë më të sjellshëm kurse fanset femra tek artistët meshkuj nuk e di por gjithsesi ok për ato. Sepse mund të ketë edhe si ato filmat horror që ndjekin për disa kilometra në mes të natës artistët por ok nuk po i futem kësaj rruge.

Kush është personazhi me kapriçoz në estradë nëse ka?

Realisht nuk ka artistë kapriçozë. Çdo artist ka kërkesa po teka siç kanë kërkesa edhe pronarët e lokaleve por gjithmonë në masë apo brenda normës duke mos i tejkaluar dhe duke mos u bërë të bezdisshëm. Ata bëhen tolerantë dhe nuk janë imponues duke t’i vënë duart në fyt, por duke bashkëpunuar gjithnjë që secili të marrë fitimin e tij.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

logo-madam-mapo-png-e  mapo1   revista-mapo
¤